Your Life

Gjërat do të shkojnë mirë në fund. Nëse nuk janë mirë, atëherë nuk është fundi

Ndonjëherë një situatë na duket e tmerrshme, por me kalimin e kohës, do të marrë fund. Të gjithë kalojnë kohë të vështira në jetë; ndoshta marrëdhënia juaj ka përfunduar, ndoshta keni humbur një njeri të dashur, apo ndoshta jeni të palumtur me karrierën dhe të pasigurtë për atë që doni të bëni.

Shumëkush beson se eksperiencat negative janë emocionalisht të dëmshme, por kjo s’është e vërtetë. Në realitet, eksperiencat negative ju bëjnë më të zgjuar, më të fortë e më të dhembshur. Nëse aktualisht po kaloni një kohë të vështirë, mos u shqetësoni – gjërat do të shkojnë mirë në fund. Nëse nuk janë mirë, atëherë nuk është fundi.

Ja katër gjëra që mund të bëni për të përmirësuar situatën tuaj aktuale.

  1. Prano që nuk ndihesh mirë

Kur përjetojmë dhimbje, si për shembull kur humbasim një njeri të dashur, mund të jetë tunduese të injorojmë emocionet negative e të fokusohemi tjetërkund. Nuk ju pëlqen ideja të qani apo të ndiheni keq, por në realitet kjo e përkeqëson problemin. Emocionet negative nuk do të kalojnë, deri kur t’i ndjeni, dhe nëse i injoroni mund ta shndërrojnë zemërimin tuaj në pakënaqësi. Ndiejeni trishtimin, edhe nëse shqetësoheni se do ju pushtojë. Nuk keni pse racionalizoni ndjenjat tuaja; thjeshtë pranoni që janë pjesë e udhëtimit të jetës.

2. Flisni atë që ndjeni

Shumë njerëz që janë të trishtuar luftojnë shumë që të shprehin trishtimin tek njerëzit e dashur. Partneri i pyet si ndihen dhe në vend të jenë të ndershëm, pretendojnë që janë mirë. Kjo mund ta bëjë problemin të duket më i madh, kur merreni me të të vetëm, pa ndihmë nga njerëzit përreth jush. Nëse ju ndodh kjo, përpiquni të flisni me dikë që e doni dhe i besoni. Perspektiva e dikujt tjetër ndihmon, dhe thjeshtë të folurit për problemin do ta bëjë të duket më i vogël dhe i menaxhueshëm.

3. Fokusohuni në mendësinë tuaj

Jeta nuk është e përsosur për askënd, dhe të gjithë përjetojnë kohë të vështira. E vetmja gjë që ka vërtetë rëndësi është se si zgjidhni të përballeni me problemet. Disa njerëz fusin kokën në rërë dhe i injorojnë problemet; nëse marrëdhënia e tyre po dështon, ata shmangin partnerin në vend të përpiqen të ndreqin problemin. Kjo sjellje mund t’ju bëjë të ndiheni më mirë për momentin, por shumë shpejt do i bëjë problemet tuaja të duken më keq. Përpiquni të keni qasje pozitive ndaj problemeve, me qëllim që t’i zgjidhni. Mund të ngjajë si një sfidë e madhe, por në realitet është një zgjedhje e thjeshtë – ose mund të përballeni me problemet, ose mund t’i shmangni ata.

4. Merruni me të sot (dhe mos e vrisni mendjen për të nesërmen apo të djeshmen)

Kur po kaloni një kohë të vështirë, mund të mos e keni të lehtë të fokusoheni tek e tashmja. Shumë njerëz fokusohen në vendime të së shkuarës për të cilët janë penduar, dhe vazhdimisht shqetësohen se si problemi i tyre aktual, do të ndikojë të ardhmen. Kjo qasje negative nuk i shkon askujt, dhe do ju bëjë të ndiheni më të stresuar.

Harrojeni të kaluarën dhe të ardhmen, me qëllim që të fokusoheni tek e tashmja, dhe do të shihni se është shumë më e kollajtë që të jeni pozitivë dhe optimistë. Kaloni kohë me njerëzit e dashur dhe shijoni shoqërinë e tyre, dhe buzëqeshni kur një gjë ju dëfren. Mund të ndiheni ende të trishtuar, por kjo nuk do të thotë që nuk mund ta shijoni lumturinë, atëherë kur e gjeni atë. /Lifehack – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button