BotaSpeciale

Obeziteti, armiku “numër Një”

Screen Shot 2015-05-20 at 18.03.32

CHARLIE COOPER

THE INDIPEDENT

Shumica e të rriturve evropianë “brenda 15 vjetësh do të jenë mbipeshë”. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë kriza e obezitetit sa vjen e bëhet më e rëndë. “Pothuajse të gjithë të rriturit” në disa vende evropiane – kryesuar nga Irlanda – brenda 15 vjetësh do të jenë mbipeshë.

Sipas parashikimeve më të fundit të OBSH, deri në vitin 2030, në Mbretërinë e Bashkuar, tre në çdo katër meshkuj dhe dy në çdo tre gra do të jenë mbipeshë. Treguesit e mbipeshës dhe të obezitetit parashikohet të vijnë në rritje në të gjithë Evropën, duke na bërë të qartë se fushatat për të përmirësuar dietat duke pakësuar sheqernat e yndyrën ende nuk ia kanë dalë të kenë ndikim.

Parashikimet tregojnë se Britania e Madhe do të jetë në mesin e tre vendeve evropiane me treguesin më të lartë të mbipeshës dhe obezitetit. Sipas këyre shifrave rezulton që deri në vitin 2030 rreth 74 për qind e meshkujve britanike dhe 64 për qind e grave do të jenë mbipeshë – me një indeks të masës trupore (BMI) më shumë se 25. Në vitin 2010 ky tregues ishte 70 për qind për burrat dhe 59 për qind për gratë. Të njëjtat shifra tregojnë se mbi 30 për qind e grave dhe 36 për qind e meshkujve parashikohet të jenë obezë, me një BMI mbi 30.

Por ka edhe më keq. Parashikohet që deri në vitin 2030 Irlanda ta ketë edhe më shumë problem me normat e larta të mbipeshës, deri në 89 për qind për meshkujt dhe 85 për qind për gratë. Ekspertët thonë se këto shifra bazohen në një numër të dhënash nga burime të ndryshme, dhe se parashikimet e bazuara në trendet aktuale paralajmërojnë “një krizë obeziteti të përmasave të mëdha”. Por ata gjithashtu flasin edhe për të kundërtën duket u bazuar në shifrat shumë pozitive, të King’s College në Londër, që tregojnë për nivele të ulta të obezitetit tek fëmijëve të vegjël.

Dr Laura Webber, drejtore i modelimit të shëndetit publik në Forumin e Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, dhe bashkëautore e një studimi, që do të paraqitet këtë javë në Kongresin Evropian të Obezitetit në Pragë, thotë se pas këtyre parashikimeve bëhen të nevojshme veprime radikale që kapin të gjitha shtresat e shoqërisë. “Ka dëshmi për një nivel të lartë të obezitetit tek djemtë e rinj në Angli, ndërkohë që ne po shohim me kalimin e kohës rritjen e këtyre treguesve,” thotë ajo. “Duhet një angazhim i gjithë shoqërisë për këtë. Do të doja të shihja më shumë ndërhyrje ligjore për këtë: taksat e sheqerit për shembull. Po ashtu njerëzit duhet të dinë se çfarë po hanë. Etiketimi më i mirë i ushqimeve dhe të kuptuarit se çfarë shkon dhe cfarë nuk shkon me ushqimet e përpunuara ka rëndësi jetike”, shton ajo.

Tam Fry, nga Forumi Kombëtar i Obezitetit, thotë se standardet e jetesës në rënie që pasuan krizën ekonomike kanë dëmtuar përpjekjet për të ulur normat e obezitetit tek shtresat e varfra. “Njerëzit me më pak të ardhura nuk kanë mundësi për të blerë ushqime të mira, shpesh nuk dinë se cfarë të gatuajnë, dhe për pasojë janë gjithnjë e më të varur nga ushqimet e përpunuara,” thotë ai. “Ushqimet e përpunuara në mënyrë të pashmangshme janë më pak të shëndetshme dhe shkaktare të rritjes së niveleve të obezitetit. “Ju mund të shihni se si miliona njerëz përdorin bankat e ushqimit, dhe shifrat rriten me të tjerë që janë në vështirësi. Midis klasave shoqërore në drejtim të prevalencës së obezitetit nuk ka më diferenca të mëdha.”

Tregues në rritje të normave të mbipeshes dhe obezitetit pritet të ketë edhe në Greqi, Spanjë, Austri dhe Republikën Çeke. Edhe vende të tilla si Suedia, e cila më parë kishte numrin më të lartë të të rriturve me peshë të shëndetshme, parashikohet të ketë përkeqësim. 26 për qind e meshkujve suedez pritet të jenë obezë deri në vitin 2030 në krahasim me 14 për qind që ishin në vitin 2010. Vetëm në Holandë, shifrat parashikohet të vijnë në rënie. Më pak se gjysma e meshkujve janë parashikuar të jenë mbipeshë në 2030 dhe vetëm 8 për qind obezë, në krahasim me 54 për qind dhe 10 për qind që ishin në 2010. Rënie obeziteti nga 13 në 9 për qind parashikohet edhe për gratë holandeze.

 

Lufta me yndyrën

Si po ndikon industria ushqimore në shtimin e obezitetit dhe a e kemi informacionin e duhur për ta luftuar këtë epidemi?

Nëse dëgjon Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duket sikur Irlanda do të zhytet në det deri në vitin 2030, për shkak të peshës absolute në rritje të popullsisë së saj. Por kjo hiperbolë, nuk e zhbën faktin se epidemia e shëndoshjes është e vërtetë, dhe se ajo që po ndodh me ne tashmë, nuk është më një çështje për të qeshur.

Në kohën tonë ku kërkesat e shërbimeve shëndetësore nuk mungojnë, kemi tashmë një popullsi që jetojnë më gjatë, ose më mirë që jetojnë më gjatë por me një shëndet më të keq, nëse i marrim në konsideratë trajtimet e reja (dhe të shtrenjta) për sëmundjet e jetës moderne, përfshirë bllokimin e arterieve nga kolesteroli apo diabetin e tipit 2. Plot një e treta e grave britanike parashikohet të jenë obeze në 2030, krahasuar me rreth një e katërta që janë tani. Në të njëjtën kohë, në mënyrë paradoksale, anoreksia dhe bulimia janë në nivelet historike më të larta. Ushqimi duket se është bërë më shumë një dhimbje sesa një kënaqësi për ne, një rrezikshmëri për rritje dhe për vetë jetën.

Ç’duhet të bëjmë përveçse të harrojmë sanduicët e patatinat? E pra, duhet thënë që në fillim se pavarësisht se ne nuk kemi vullnetin e mjaftueshëm për të ndjekur predikimet e dietologëve, patjetër duhen ndërhyrje për të luftuar që në trurin tonë evolucionin e yndyrës dhe të “trajtimit” me sheqer. Paketimet më të mira do të ishin një fillim i duhur. Patjetër në to duhet të ketë një sistem ”semafor”, me elementë të detyrueshëm për treguar nivelet e yndyrnave, kriprave dhe sheqernave, sidomos në ushqimet e përpunuara. Mund të shkohet edhe më tej, siç është bërë me duhanin, duke i frikësuar konsumatorët që të mendojnë dy herë kur marrin pakot e patatinave apo hamburgerat e donerat. Ose kur i marrin të dyja. “Patatinat vrasin” mund të tingëllojë si një lloj paralajmërimi komik, por konsumatorët duhet ta mendojnë mirë herë atë që i shkaktojnë vetes dhe se sa u kushton ky lloj ushqimi për zemrën, dhëmbët apo shëndetin në përgjithësi. Informacioni i bashkëngjitur edhe me avantazhet e paraqitjeve grafike është i domosdoshëm për konsumatorët që u duhet të bëjnë zgjedhje të informuara. Bëhet shumë pak për këtë. Duhet të mos mbetemi peng të industrisë së reklamave të modës që këmbëngul në mënyrë agresive duke përcjellë imazhet e përsosura “të trupave në plazh”, ndërkohë që industria ushqimore dhe supermarketet sjellin mënyra gjithnjë e më shumë joshëse për të na nxitur të hamë sheqerna e yndyrna e që e më pas të na vijë turp që të zhvishemi në plazh.

Taksimi i sheqerit, një zgjidhje e sugjeruar shpesh, është problematike, pasi pengesat praktike e bëjnë të pamundur aplikimin e drejtë. Në fund të fundit, “pesë ditë” ushqim me fruta që kanë një përmbajtje të shëndetshme sheqernash natyrore, është shumë më e lahtë e praktike se sa dietat e çuditshme krejtësisht pa sheqer. Në realitet, një taksë mbi sheqerin do të jetë, ashtu si me çdo taksë mbi ushqimet, një taksë që bie në mënyrë disproporcionale mbi të varfërit, dhe nuk do të ndryshojë domosdoshmërisht zakonet tona të të ushqyerit. Kjo bëhet edhe më e vërtetë në kushtet e krijuara të varësisë nga sheqeri.

Duke pasur parasysh shpenzimet e mëdha për prodhimin e ushqimeve, marketingun dhe shpërndarjen e tyre, është e çuditshme se sa pak shpenzohet për edukimin e fëmijëve në lidhje me dietën e tyre. Ekziston dhe shumë problem tjera me fushatat e ushqimit. Njerëzit refuzojnë të pranojnë se, për shumë persona të të gjitha moshave, një McDonalds apo një sanduic është më i shijshëm se supa me karrota. Po ashtu duhet kuptuar se industria e fast-food-eve që është aq e suksesshme në prodhimin e ushqimit të pëlqyeshëm dhe me çmim të ulët, në këtë mënyrë e ka të fituar gjysmën e betejës.

Pra, në një sferë të tillë, ngushtësisht personale, sic është të ushqyerit është e vështirë të arrish të kthesh në të kundërt prirjen drejt shëndoshjes. Informacion në lidhje me ushqimin, edukimi në lidhje me çfarë mund të bëjmë, veprimi vullnetar i kompanive të ushqimit dhe paketimit të tyre, është përditë e më i nevojshëm. Taksimi ndoshta mund të jetë efektiv, por do të duhet kohë që të gjykohet, për efektin çoroditës dhe të paqëllimtë, sidomos tek familjet e varfëra, të cilat nuk do të zëvendësojë automatikisht mishin e “kalbur” të pulës me një zog fshati të rritur me ushqime të freskëta organike.

Sidoqoftë obeziteti është bërë një armik i frikshëm.

a.d./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button