Magazine

Oksford, aty ku prodhohen udhëheqësit

Boris Johnson dhe Jeremy Hunt, dy finalistët e garës për Kryeministër të Britanisë së Madhe (të cilën e fitoi Johnson), kishin një gjë të përbashkët: ishin diplomuar të dy në Okford. Nuk është një karakteristikë ekskluzive e tyre: nga po i njëjti universitet kanë datë gjashtë prej shtatë kandidatëve që mbërritën në raundin e dytë të primareve në Partinë Konservatore.

Në Oksford janë diplomuar njëmbëdhjetë kryeministra britanike që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ndër të cilët edhe tre nga katër të fundit: Tony Blair, David Cameron,Theresa May. Duke parë rezultatet që ka patur kjo treshe, Blairi i rrëzuar për shkak të luftës në Irak (me të cilën duket se ka bërë të harrohet çdo e mirë që kish bërë më parë), Cameron dhe May të rrëzuar prej Brexit, është e drejtë të ngrihet pyetja: po një diplomë në Oksford, a vlen vërtetë për ndonjë gjë?

Dhe tani që Johnson ka fituar garën për Kryeministër, dhe veprimet e tij pas marrjes së detyrës, reputacioni i universitetit të dytë më të vjetër të Evropës (viti i krijimit 1096, pas Bolonjës që u krijua në 1088) mund të përkeqësohet më tej.

Për kryeministrin 55-vjeçar të Britanisë së Madhe, ndërtesa gotike e dijes, një orë me tren larg kryeqytetit ka qenë pedana prej nga u nis, shkruan Financial Times. “Mënyra se si fitoi presidencën e unionit të studentëve të kujton fushatën me të cilën u zgjodh kryeministër”.

Në Oxford Union, BoJo siç e quajnë tabloidët, krijoi personazhin që vazhdon të luajë edhe sot e kësaj dite dhe që konsiderohet arsyeja kryesore e suksesit të tij: satirik, autoironik, me aftësinë për të futur në fjalimet e vetë ndonjë citim në gjuhën latine dhe ndonjë deklaratë bombastike.

Një shartim mes Bertie Woosterit, protagonisti i romaneve humoristike të P. G. Wodehouse dhe Winston Churchillit, heroi me të cilin i pëlqen të identifikohet. Përbërësi tjetër i arsimimit të tij oksfordian është pritshmëria për të qenë në krye, si një e drejtë që i takon, sensi i përkatësisë në elitë. Asgjë nuk e shpjegon më mirë një ndjesi të tillë, se sa një fotografi e vjetër e Bullingdon, klubi i studentëve të pasur ku bënte pjesë edhe Boris, ku shfaqet i veshur me frac, bashkë me kolegun e ardhshëm në parti dhe rivalin e përjetshëm, Cameron.

“Sot nuk është më kështu”, thotë Federico Varese, docent i kriminologjisë në Nufield College, një prej të shumtëve që japin leksione në Oksford: “Universiteti ka bërë një përpjekje të madhe diversifikimi për të fshirë imazhin prej shkolle vetëm elitare”. Statistikat e konfermojnë: mes të regjistruarve të vitit që kaloi, 18 përqind vijnë nga pakica etnike dhe 61 përqind nga shkolla shtetërore (që janë falas, ndërkohë që në ato private paguhet shumë). Rritet edhe numri i të huajve, që ka shkuar nga 17 në 22 përqind, me Kinën në krye. Ashtu sikurse rriten dhe kërkesat për regjistrim, 21 mijë për 3300 vende. Edhe pse e kaluar nga Cambridge dhe për herë të parë nga skocezi St Andreës në shkallën e universiteteve më të mira kombëtare, Oksford mbetet mes dhjetë më të mirëve në botë. Dhe në qershor mori një dhuratë 150 milion dollarë nga një miliarder amerikan, “dhurimi më i madh i bërë që nga koha e Rilindjes”, sipas The Guardian.

Çfarë ka kaq të veçantë? “Sistemi i kolegjeve që u mundëson studentëve dhe mësuesve që të studiojnë, hanë, jetojnë nën të njëjtën çati, me një ndërveprim të vazhdueshëm”, thotë profesor Varese.

Ferdinando Giugliano, napoletan, që shkruan për agjencinë Bloomberg, i diplomuar dhe me doktoraturë në Oksford vëren: “Eshtë universitet i ekselencës, para se të jetë i elitës. Çdo vit, shumë studentë dhe kërkues të mirë përzgjidhen në bazë të talentit, për të ndjekur kursin akademik në një mjedis të pasur me mjete dhe stimuj. Në Britaninë e Madhe, sistemi shkollor avantazhon familjet më të pasura, dhe prandaj shumë të rinj si Johnson dhe Cameron përfundojnë në Oksford. Por kjo nuk do të thotë absolutisht që nuk ia vlen të shkosh”.

Fabrika e vërtetë e klasizmit nuk është as Oksford dhe as Cambridge, por shkolla. Vetëm 7 përqind e britanikëve i çojnë fëmijët në shkolla private që janë shumë të kushtueshme, por prej tyre del 40 përqind e klasës drejtuese:  menaxherë, bankierë, politikanë, gjykatës. Edhe universiteti kushton, 9 mijë stërlina në vit, por me sistemin e huave të gjithë mund ta përballojnë.

Shkollat private, nga 25 mijë në 50 mijë stërlina në vit, janë të arritshme vetëm prej të kamurve. Dhe prej aty vjen edhe Boris Johnson, i dalë nga Eton, shkolla private më e kushtueshme dhe elitare e Anglisë, përpara se të kalonte nga Oksfordi, drejt Downing Street.

Il Venerdi – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button