Histori

10 histori të pabesueshme të fshatarëve që u bënë mbretër

James Jackson

Për pjesën më të madhe të historisë, vetëm njerëzit me prejardhje aristokratike kishin mundësi të arrinin ndikim politik, aq më pak të bëheshin mbret apo mbretëreshë. Por ndonjëherë, thjesht ndonjëherë, një njeri i përulur prej gjaku të zakonshëm mund të ngrihej dhe të merrte “frerët” e një pushteti të jashtëzakonshëm.

Screen Shot 2015-04-26 at 18.21.09

10. Servius Tullius, Mbreti i Romës

Pak dihet me siguri rreth jetës së hershme të Servius Tulliusit, por legjenda romake (dhe emri i tij) sugjerojnë se ai ishte lindur një skllav. Disa burime pretendojnë se ai ishte djali i një princeshe, të kapur dhe të shitur si skllave gjatë rrethimit të Corniculumit, por të tjerë thonë se fisnikëria romake thjesht e sajoi historinë, për të maskuar turpin e tyre, që qeveriseshin nga një njeri i thjeshtë. Legjendat duket se bien dakort se ai ishte i destinuar për madhështi që nga fëmijëria, duke qenë se mbi kryet e tij kishte rrezatim hyjnor, kur flinte.

Më në fund, i ra në sy Tanaquilit, gruas së Mbretit Tarquinius Priscus të Romës, e cila thuhej se kishte aftësi në artet hyjnore. Pasi predikoi se Serviusi do të kishte një të ardhme madhështore, Tanaquili e martoi atë me vajzën e saj dhe filloi të bënte plane për ta bërë pasardhësin e burrit të saj. Kjo gjë i trazoi fëmijët e pushtetshëm të mbretit paraardhës, të cilët po planifikonin që ta trashëgonin vetë fronin, dhe pa kaluar shumë kohë, Tarquinius Priscusi u godit me sëpatë në kokë, në rrethana misterioze. Por Tanaquili manovroi me shkathtësi kundër vrasësve të burrit të saj, duke pretenduar se ai i kishte mbijetuar mrekullisht sulmit dhe caktoi Serviusin si regjent (zv.mbret), ndërsa ai shërohej. Sapo Serviusi kishte çimentuar pushtetin e tij, u shpall vdekja e mbretit të vjetër dhe Serviusi, sipas rregullit, zuri vendin e tij. Regjimi i tij zgjati afërsisht 43 vjet, gjatë të cilëve ai i mundi etruskët dhe urdhëroi regjistrimin e parë të përgjithshëm statistikor të Romës, duke e ndarë qytetin në gjashtë klasa zyrtare. Regjimi i tij ishte një kohë begatie, dhe fama e tij ishte kaq e madhe, saqë sot është e vështirë të thuash objektivisht se c’gjë tjetër bëri ai, duke qenë se romakët, më pas, kishin tendencën që t’ia jepnin atij meritat për cdo gje te mire që kish ndodhur në atë kohë. Ai vdiq rreth 535 para Krishtit, kur sipas legjendës, u vra sipas urdhërave të vajzës së tij Tullia, e cila më pas kalëroi mbi trupin e tij, tek shkonte për të parë kurorëzimin e bashkëshortit të saj. /Bota.al

Tjetra: Liu Bang, Perandor i Han-it


Leave a Reply

Back to top button