Kur mendon për Egjiptin, mendja të shkon menjëherë te piramidat. Më të njohurat prej këtyre strukturave të lashta prej gurësh ndodhen në nekropolin e Gizës. Ato ruhen nga një statujë po aq ikonike: Sfinksi i Madh.
Piramidat e Gizës u ndërtuan gjatë Dinastisë së Katërt të Egjiptit të Lashtë, e cila zgjati nga rreth vitit 2613 deri më 2494 p.e.s. Megjithatë, për shekuj me radhë, historianët dhe arkeologët nuk kanë arritur ende të zbulojnë saktësisht se si u ndërtuan këto struktura gjigante.
Ky boshllëk në dije ka çuar në përhapjen e teorive konspirative për piramidat.
Po si kanë zënë rrënjë këto teori?
Për shumë “detektivë amatorë” sot, është e paimagjinueshme që një qytetërim aq “primitiv” sa egjiptianët e lashtë mund të kenë ndërtuar piramidat vetëm me forcat e veta.
Historianët besojnë se gurët u sollën në Giza përmes lumit Nil. Shumica e egjiptologëve mendojnë se u përdorën sisteme rampash për të ngritur blloqet lart në piramidat që ndërtoheshin. Por kjo nuk i ka penguar teoritë konspirative të marrin jetë…
- Dhjetëra mijëra skllevër punuan në ndërtim
Kjo histori është përsëritur si fakt për shekuj. Miti e ka origjinën nga një pretendim i historianit të lashtë grek Herodoti, i cili shkroi historinë e tij për Egjiptin. Por edhe vetë Herodoti shkruante 2,000 vjet pas ndërtimit të piramidave.
Në fund të shekullit XX, arkeologët zbuluan mbetje që ngjajnë me kapanone të mëdha ku punëtorët e piramidave mund të jetonin rehat. Zbulime të tjera tregojnë se ata konsumonin sasi të mëdha mishi — krejt ndryshe nga një dietë tipike skllevërish.
- Piramidat u ndërtuan nga alienët
Kjo është një nga teoritë konspirative më të qëndrueshme rreth piramidave. Ajo u rikthye në vëmendje në gusht të vitit 2020, kur Elon Musk shprehu mbështetje për këtë teori në një postim të tij.
Fjalët e tij nxitën reagime të forta nga ekspertët egjiptianë. Ndërkohë, ekzistojnë dëshmi të bollshme që piramidat u ndërtuan nga njerëzit, edhe pa vegla të sofistikuara.
Në vitin 2013, arkeologët zbuluan papiruse mahnitëse nga “Ditari i Mererit”, një zyrtar i mesëm që drejtonte transportin e gurëve për ndërtimin e Piramidës së Madhe. Dokumentet tregojnë se materialet e ndërtimit vinin nga zona të largëta të Egjiptit, dhe ndërtimi ishte një përpjekje e madhe e mirëorganizuar.
- Piramidat janë rezultat i heqjes së gurëve rreth e rrotull
Në librin “Ancient Egypt: A Very Short Introduction”, egjiptologu Ian Shaw diskuton për konceptin e “piramidologjisë” — pra krijimin e teorive konspirative rreth piramidave.
Ai kujton një rast kur dikush pretendoi se piramidat “janë krijuar duke hequr të gjithë gurët përreth”. Por Shaw thekson me të drejtë se “kjo nuk shpjegon formën e tyre karakteristike”.
- Piramida e Madhe është gërryer nga përmbytjet
Një përdorues i platformës X (ish-Twitter) përhapi këtë teori në maj 2024. Ai vuri re se dëmtimet fizike në Piramidën e Madhe kishin karakteristika që ngjanin me erozionin nga përmbytjet.
Por kjo teori injoron faktin që blloqet e dëmtuara që shohim sot ishin më parë të mbuluara nga një shtresë gëlqerore e lëmuar dhe me ngjyrë të çelët. Me kalimin e kohës, kjo shtresë u hoq për t’u përdorur në ndërtime të tjera, duke ekspozuar blloqet e brendshme.
- Piramidat u ndërtuan nga banorët e Atlantidës
Në prill 2013, dy shtetas gjermanë — Dominique Goerlitz dhe Stefan Erdmann — gdhendën me daltë një pjesë të një kartushi brenda Piramidës së Madhe. Ky kartush identifikonte mbretin Khufu si ndërtuesin e saj.
Ata kërkonin të analizonin pigmentin për të vërtetuar se kartushi ishte më i ri se vetë piramida. Ishte një përpjekje për të forcuar teorinë që piramida ishte ndërtuar mijëra vjet më herët.
Nga kush? Nga banorët e ishullit legjendar Atlantidë. Por historia e Atlantidës — siç rrëfehet nga filozofi grek Platoni — sot konsiderohet gjerësisht si sajesë. / bota.al