Covid19MAIN

A na duhet doza e tretë e vaksinës anti-Covid? Ja çfarë thonë ekspertët

Pas Izraelit, vendi i parë që nisi fushatën e vaksinimit dhe po i pari që propozoi dhënien e njëdoze të tretë të vaksinës anti-Covid për grupime të caktuara të popullsisë, tashmë po flitet për administrimin e një doze “përforcuese” të vaksinës edhe në Itali.

Kameron Uolf, specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin Djuk në (SHBA), foli mbi këtë çështje në një konferencë në internet, duke dhënë vlerësimet e tij se kush duhet të marrë dozën e tretë, kush duhet të presë, dhe cilat janë variablat që duhen marrë parasysh.

Rendi i administrimit të vaksinave

Sipas Uolf, nuk ka asnjë dyshim se përparësi duhet t’u jepet atyre me sistem imunitar të kompromentuar:“Bëhet fjalë për njerëz, reagimi imunitar i të cilëve ndaj vaksinave është më i dobët se normalja. Dhe për këtë arsye, është mirë që atyre t’u ofrohet mundësia e marrjes së një doze shtesë të vaksinës anti-Covid”- thotë eksperti.

Pas tyre, duhet të marrin dozën përforcuese të moshuarit dhe punonjësit në sistemin shëndetësor. Ndërkohë Uolf thotë se nuk duhet të nxitohemi me mundësinë e një doze të tretë në dispozicion për cilindo që e dëshiron atë.

Ai nuk ka dyshime mbi efikasitetin apo sigurinë e vaksinave. Por sipas ekspertit amerikan, para se të mendojmë mbi përmirësimin e përgjigjes imunitar të atyre që tashmë janë të mbrojtur, do të ishte e përshtatshme t’i administrojmë vaksinat tek ata që nuk kanë ende ndonjë mbrojtje.

Të binden të pavendosurit

“Ne e dimë që vaksina është e sigurt dhe efektive, dhe se ata që vaksinohen rrezikojnë shumë më pak të përfundojnë në repartet e kujdes intensiv në spitale, apo të vdesin nga Covid-19 sesa ata që nuk janë vaksinuar”- thotë ai, duke kujtuar se ky është informacioni që duhet të përdorim për t`i bindur ata që janë ende të pavendosur.

“Mënyra më e keqe për të luftuar kundër hezitimit ndaj vaksinave, është t’i japim publikut të dhëna të pasakta ose asnjë informacion”-theksoi ai. Në këtë mënyrë, njerëzit mund të mbushin boshllëqet e krijuara nga komunikimi shkencor përmes mashtrimeve dhe lajmeve të rreme.

Doza e tretë, vazhdon Uolf, është saktësisht e njëjtë me të parën dhe të dytën. “Atëherë, mund të pyesë dikush, a nuk është më mirë që të presim derisa të kemi një vaksinë të përshtatur për variantet e reja të SARS-CoV-2, e cila ofron ndoshta një mbrojtje më të mirë? Sipas Uolf “ne rrezikojmë tani, prandaj është e rëndësishme që edhe doza e tretë të administrohet pikërisht tani”.

Më mirë t’ua dhurojmë dozat vendeve më në nevojë?

Një çështje që nuk u prek nga eksperti, por që është e një rëndësie jetike, pasi të gjithë ne jetojmë në të njëjtin planet, është ajo që ka të bëjë me të ashtuquajturën Bota e Tretë. A është etike t’u ofrohet banorëve të vendeve më të pasura një dozë e tretë “përforcuese”, kur 3/4 e popullsisë së planetit, po pret ende të marrë dozën e parë?

Është një aspekt që duhet pasur parasysh si nga pikëpamja humanitare (në gusht OBSH i kërkoi Botës së Parë që t’i dhurojë dozat e saj Botës së Tretë), ashtu si edhe nga pikëpamja egoiste e një rifillimi të jetës si para pandemisë. Si mundet të mendojmë të rikthehemi në normalitet, nëse pjesa tjetër e botës nuk është e mbrojtur nga koronavirusi? Kjo është e mundur, vetëm nëse vihen në përdorim bllokime totale në stilin e Zelandës së Re. / Focus – Bota.al

Back to top button