Nga Uilliam DeLong
Një performancë e Xhimi Hendriks në një koncert, ishte e sigurt se do të qe e shfrenuar dhe plot energji. Ai do ta bënte shpesh copë-copë kitarën e tij në fundin e një koncerti. Shikimi i një koncerti të Hendriks, ishte më shumë se sa të dëgjuarit e muzikës, ishte një përvojë.
Por historia e vdekjes së kitaristit dhe këngëtarit të famshëm, është po aq legjendë sa edhe jeta e muzikantit, madje edhe sot kur kanë kaluar gati 50 vjet. Më 18 shtator 1970, rokeri 27-vjeçar vdiq në mënyrë të pashpjegueshme në gjumë. Në fakt, vdekja misterioze e Xhimi Hendriks tronditi fansat e e muzikës, dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot.
Xhejms Marshall Hendriks lindi më 27 nëntor 1942 në Siatëll të Uashingtonit. Ai u apasionua që fëmijë pas muzikës, dhe babai i tij e kujtonte Xhimin që përdorte një fshesë elektrike si një kitarë. Ai u pajis me kitarë në moshën 11-vjeçare, ndërsa iu bashkua grupeve të ndryshme muzikore në moshën 13-vjeçare.
Një djalosh tejet i çuditshëm, shokët e grupit të Hendriksit e përshkruanin atë si të turpshëm, dhe që i mungonte dukshëm prezenca skenike. Por do të befasoheshin, kur panë që më vonë ai u bë një ylli i muzikës rok. Hendriks e braktisi gjimnazin, dhe iu bashkuar përkohësisht ushtrisë amerikane. Ai gjeti një mënyrë për të ushtruar pasionin e tij mbi muzikën edhe atje, duke formuar një grup të quajtur “Kings Casuals”.
Pas u largua nga ushtria në vitin 1962, Hendrix filloi të udhëtonte dhe të luante muzikë me emra të tillë të mëdhenj si Litëll Riçard, Xheki Uilson dhe Uilson Piket. Ai do të elektrizonte audiencat me talentin dhe energjinë e tij. Ndër shfaqjet e tij më të famshme ishte “The Star-Spangled Banner” në Udstok në vitin 1969.
Mbrëmjen që ai ndërroi jetë, e dashura e tij Daneman raportoi se doli për disa minuta për të blerë cigare. Kur u rikthye, ajo tha se e gjeti Hendriks pa ndjenja, ndonëse merrte ende frymë. Ajo telefonoi urgjencën, dhe mjekët mbërritën në vendngjarje në orën 11:27 të paradites, por ishte tepër vonë për të shpëtuar këngëtarin.
Ndihmësmjeku Reg Xhons tha se Hendriks ishte i mbuluar me të vjella, dhe rrugët e tij të frymëmarrjes ishin bllokuar tërësisht deri në mushkëri. Ai kishte vdekur prej disa minutash. Mjekët në një spital lokal thanë:”Padyshim që kur ai erdhi këtu kishte vdekur. S’ kishte puls, asnjë rrahje të zemrës, dhe përpjekja për ta ringjallur qe thjesht një formalitet”.
Autopsia mbërriti në përfundimin se vdekja e Xhimi Hendriks, ishte shkaktuar nga asfiksia për shkak të të vjellave të tij, që përmbanin kryesisht verë të kuqe – të njëjtën verë që ai kishte konsumuar me të dashurën e tij një natë më parë.
Natyrisht, e vërteta e vdekjes së yllit të rokut, nuk përfundoi me autopsinë. Mjekët nuk gjetën asnjë provë të ndonjë vetëvrasje, edhe pse raportet para vdekjes së rokerit, thoshin se Hendriks kishte probleme me gjumin, dhe ishte tejet i zhgënjyer me industrinë e muzikës. Ai po vuante presionet e menaxherit të tij, për të performuar sa më mirë nëpër koncerte.
Rokeri nuk e pëlqente gjithë atë presion. Ai vetëm donte të luante në kitarë – të paktën, kështu i tha të dashurës së tij dhe një bashkëpunëtori në grupin e tij muzikor. Për shkak të presionit, dëshmon e dashura e tij, Xhimi konsumoi 9 tabletat e gjumit Vesparax, që i përdorte zakonisht ajo vetë. Kjo ishte 18 herë më e madhe sesa doza normale.
Ishte disi i dyshimtë fakti, që e dashura e tij në atë kohë vazhdoi të ndryshojë historinë e saj kur fliste me autoritetet. Në fillim, ajo tha se këngëtari ishte mirë, por pastaj në një raport të mëvonshëm thuhej se Hendriks piu mori pilulat e saj të gjumit. Erik Bërdon, muzikant dhe personi i fundit që luajti së bashku me Hendriks në një koncert, tha se këngëtari ishte vetëvrarë. Pranë trupit të tij u gjet një poezi disafaqeshe.
“Poezia përmendte gjërat që kishte thënë përherë Hendriks, por të cilat askush nuk i kishte dëgjuar ndonjëherë. Ishte një letër lamtumire. Unë nuk mendoj se Xhimi kreu vetëvrasje në një mënyrë të zakonshme. Ai vendosi të largohej nga kjo botë, kur deshi vetë”- tha Bërdon pak pas vdekjes së Hendriks.
Por Majkëll Xheferi, menaxheri personal i Hendriks, mohoi çdo mundësi që këngëari të ishte vetëvrarë. “Nuk besoj se ishte vetëvrasje. Unë thjesht nuk e besoj se Xhimi Hendriks ia la trashëgiminë e tij Erik Bërdon. Hendriks ishte një individ shumë i veçantë. Unë kam shfletuar një raft të tërë letrash, poezish dhe këngësh që kishte shkruar ai, dhe mund t’ju tregoja plot 20 prej tyre, që mund të interpretoheshin si një shënim përpara një vetëvrasje”.
Një hipotezë edhe më e debatueshme për vdekjen e Hendriks doli në vitin 2009, kur Xhejms “Tapi” Rajt, shoferi i Hendriks, shkroi një libër me kujtime të ditëve të tij me yllin e rokut. Në të, Rajt bëri një deklaratë bombatike:ai tha se Xhimi Hendriks ishte vrarë.
Rajt pretendon se menaxheri personal i Hendriks, Xheferi pranoi të futeshin ato 9 pilula gjumi në fytin e Hendriks. Në fakt, kishte një motiv të fortë për të dyshuar tek menaxheri i Hendriks.
Ai kishte siguruar për kitaristin një policë sigurimit të jetës prej 2 milion dollarësh, para se ai të vdiste.
Vetë Xheferi vdiq në vitin 1971. Nëse historia e policës së sigurimit ishte e vërtetë, ai nuk do të jetonte aq gjatë sa ta gëzonte atë. Legjenda tjetër e rokut, Xhenis Xhoplin do të vdiste po atë vit në moshën 27 vjeçare. Viti i ardhshëm, shënoi vdekjen e yllit tjetër të muzikës rok Xhim Morison, gjithashtu 27-vjeç.
Kërt Kobein i grupit Nirvana dhe këngëtarja britanike Emi Uejnhauz, do t’i bashkoheshin me vonë këtij klubit të tmerrshëm 27-vjeçarësh të përjetshëm. Xhimi Hendriks, u përcoll për në banesën e fundit më 1 tetor 1970 në Siatëll të Uashingtonit, me anë të një ceremonie kishtare, ku morën pjesë anëtarët e familjes së tij dhe miqtë e fëmijërisë.
Hendriks i kishte thënë një gazetari vetëm një vit para vdekjes së tij:Unë po ju them se kur të vdes, do të ketë një funeral. Por duke njohur veten, them se do të dreqos gjithçka edhe në atë rast”.
Më shumë se 5 dekada më vonë, Xhimi Hendriks vazhdon të ndikojë tek komuniteti muzikor. Në fakt, Pok Mekartni, Erik Klepton, Stiv Uinud, Riçard Riçards, dhe Kirk Hammet i grupit “Metallica”, thonë se Hendriks ndikoi shumë në muzikën e tyre.
AllThatIsInteresting – Bota.al