BotaMAIN

Alarmi nga terrorizmi në botën post-Covid

Nga Mauro Indelicato

Pandemia e ka monopolizuar vëmendjen e mediave prej disa muajsh, duke e bërë dytësore çdo çështje tjetër. Për shembull, në Evropë nuk është folur më për terrorizmin. E megjithatë, pak para fillimit të kësaj emergjence shëndetësore, frika nga sulmet e reja dhe kujtimet e netëve të tmerrshme të Bataklanit dhe ngjarjeve të tjera tragjike, ishin elementë të pranishëm në debatin politik.

Nga njëra anë, fakti që po flitej gjithnjë e më pak mbi dukurinë e xhihadistëve islamikë ishte pozitiv, duke treguar një rënie të presionit terrorist mbi kontinentin e vjetër. Por nga ana tjetër, një “shpërqendrim” nga çështjet e sigurisë, mund t’u japë mundësi grupeve ekstremiste që të gjejnë hapësirë ​​për ndërmarrjen e sulmeve të reja. Nga ana e forcave kryesore të sigurisë, vëmendja nuk është zbehur kurrë. Në fakt, monitorimi i forcave radikale ekstremiste ka vazhduar, dhe sot ka çuar në alarme të reja.

Trajektorja e xhihadit gjatë pandemisë

Menjëherë pas sulmeve të 7 korrikut 2005 në Londër, i pari në Evropë i kryer nga Al Kaeda me përdorimin e kamikazëve, shërbimi sekret britanik ishte shumë e qartë:terroristët synojnë të përfitojnë nga një ekspozim i madh mediatik.

Kur në marsin e vitit 2020, fillimisht në Itali dhe më pas në pjesën tjetër të kontinentit, vëmendja e popullatës u fokusua vetëm tek pandemia, organizatat xhihadiste hynë në një fazë pasiviteti të dukshëm. Kjo dëshmohet edhe nga numri i sulmeve të kryera gjatë vitit të shkuar. Viti i kaluar nisi me dy sulme, i pari më3 janar në Paris, dhe i dyti më 2 shkurt në Londër. Në të dyja rastet bëhej fjalë për sulme të kryera nga 2 persona të radikalizuar, të lidhur ndoshta me ISIS-in.

Pastaj nga marsi dhe deri në maj 2020, pra periudha kur Evropa përjetoi valën e parë pandemike, nuk u regjistrua asnjë episod terrorist islamik. Kur u referohemi forcave xhihadiste, vëmendja kryesore është tek Al Kaeda dhe ISIS:të dyja grupimet kryesore terroriste janë aktive në qarqet radikale evropiane dhe të afta për të kryer sulme të reja.

Një anëtar i ISIS me origjinë libiane, u hodh në veprim më 20 qershor 2020 në qytetin anglez Riding, duke sulmuar disa kalimtarë me thikë. Tre viktimat e asaj dite tragjike ishin të parët që u vranë nga terrorizmi në Evropë, pasi mbaruan bllokimet e para.

Dhe nuk ishte një rastësi:në fakt, në atë moment, kur po binte numri i infeksioneve të reja, xhihadistët e dinin se mund të rifitonin vëmendje në skenën mediatike. Në vjeshtën e vitit të shkuar, terrorizmi goditi sërish rëndë. Në fillim në Francë, ku në qytetin e Nisës një tunizian që kishte zbarkuar disa javë më parë në Lampeduza vrau 3 besimtarë brenda Katedrales më 29 tetor, më pas në Austri.

Tek kjo e fundit në mbrëmjen e 2 nëntorit, një komando terrorizoi njerëzit në zona të ndryshme të Vjenës, duke vrarë gjithsej 4 persona. Pikërisht në nëntor, kontinenti i vjetër hyri në fazën më akute të valës së dytë të infeksioneve, dhe nga ai moment e tutje nuk u regjistruan më sulme të reja. Një tjetër shenjë se pa mundësinë për të qenë në faqet e para të mediave, milicët islamikë i frenojnë aktet e tyre kriminale.

Paralajmërime për të ardhmen

Terrorizmi u shfaq si një dukuri më e zbehtë në Evropë, por tragjikisht shumë aktiv në zonat më të nxehta. Nga Lindja e Mesme, ku pati një rikthim të sulmeve xhihadiste në zemër të Bagdadit në muajin mars, deri në Afrikën sub-Sahariane, ISIS dhe Al Kaeda kanë treguar se nuk flenë gjumë.

Tani ekziston frika se terrorizmi mund të kthehet sërish në Perëndim. Kriza e Covid-19 ka dalë paksa nga vëmendje e medias për shkak të një uljeje të re të rasteve të reja dhe përparimit të fushatës së vaksinimit. Alarmi është i dyfishtë:ekziston jo vetëm mundësia e organizmit të sulmeve të reja, por edhe frika e destabilizimit të mëtejshëm të vendeve më të rrezikuara që po përballen me emergjencën e koronavirusit.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Itali, që u mblodh së fundmi më 14 maj, ishte shumë i qartë:“Pandemia po e përkeqëson situatën socio-ekonomike të rajoneve më të brishta”-thuhej në një deklaratë të lëshuar pas takimit në të cilin mori pjesë edhe kreu i qeverisë Mario Dragi. “Dhe kjo ka pasoja humanitare por edhe për sigurinë e popullatave”- theksohej në të.

“Në këtë kontekst, terrorizmi ndërkombëtar mund të gjejë hapësira ​​të reja për manovrim, dhe mbetet një kërcënim shqetësues, të cilit duhet t’i kundërvihemi përmes veprime të vendosura të një natyre shumëpalëshe dhe në kontekstin e nismave të komunitetit ndërkombëtar”- përfundonte deklarata.

Një alarm që nuk vlen vetëm për Italinë, por edhe për vendet e tjera të Evropës. Konteksti i përgjithshëm, i karakterizuar nga reagimi i fazës aktuale të epidemisë, kërkon një vëmendje të madhe për të parandaluar rreziqet e mundshme në frontin e sigurisë. /

“Il Giornale” – Bota.al

Back to top button