HistoriMAIN

Athina, shtëpia e demokracisë:Nga Antikiteti në modernitet

Nga Robert Mitchell

Ne mendojmë shpesh për Athinën e lashtë si shtëpia e demokracisë, si vendi ku nisi gjithçka. Dhe kjo është e vërtetë. Por e vërteta tronditëse është se Athina e ka kaluar pjesën dërrmuese të ekzistencës së saj nën sundimin e mbretërve dhe diktatorëve tiranë.

Ndërsa analizojmë historinë e Athinës, mund të shohim se sa e brishtë është demokracia që Athina ndihmoi për ta krijuar. Athina ka qenë e banuar në një formë ose në një tjetër që nga epoka neolitike, mbi 5000 vjet më parë. Ajo nisi të ekzistojë si një qendër mikenase dhe si vendndodhja e një fortese të madhe.

Mikena e lashtë ra rreth vitit 1200 Para Krishtit, dhe shumica e qendrave të saj u shembën me të. Por është e paqartë nëse Athina i mbijetoi rënies apo jo. Për rënien e Mikenës është fajësuar tradicionalisht për një pushtim nga Dorët. Por historianët e sotëm bëjnë përgjegjës për kolapsin e sistemit në një kohë kur institucionet e qytetërimit u shembën në vetvete, ashtu siç ndodhi me shumë qytetërime të epokës së bronzit të vonë.

Gjithçka që dimë me siguri është se athinasit ishin krenarë që ishin jonianë të pastër, duke pretenduar se nuk kishin gjak dorian. Gjatë Epokës së Hekurit, Athina gëzonte shumë prosperitet. Vendndodhja e saj në Greqinë Qendrore dhe qasja e lehtë në det, e bënë atë një qendër tregtare kryesore, ndërsa Akropoli i fortifikuar i garantonte sigurinë.

Këto faktorë bënë që Athina të merrte nën kontroll qytete të tjera në rajonin e Atikës. Shumë shpejt u bë shteti më i madh dhe më i pasur në Greqinë e Epokës së Hekurit. Megjithatë, siç ndodh shpeshherë në histori, suksesi i Athinës e pati një kosto. Gjatë kësaj periudhe, Athina drejtohej nga një fisnikëri e vogël në numër.

Me zgjerimin e saj, një segment më i madh i popullsisë së saj u përjashtua nga politika. Nga shekulli i VII Para Krishtit, kjo gjë nisi të shkaktonte probleme. Pati shtim të trazirave civile, ndërsa një njeri i quajtur Drakon u vendos në krye nga udhëheqësit e Athinës për të zbatuar ligje të reja shumë të ashpra (nga këtu buron origjina e fjalës drakonian).

Ligjet e reja të Drakonin ishin tepër të ashpra dhe ndëshkuese, ndaj është logjike që ato ishin jopopullore për njerëzit e Athinës. Kur dështuan ligjet e reja, një ligjvënës revolucionar i quajtur Solon u vendosu në krye për të provuar diçka të re. Kushtetuta e tij e re kishte tre aspekte të rëndësishme.

Së pari ajo ndalonte skllavërimin e qytetarëve athinas si dënim për mos-shlyerjen e borxheve

Së dyti anuloi pronësinë mbi tokën dhe e hapi tregtinë e lirë për më shumë njerëz, duke krijuar kështu një klasë të re tregtare urbane. Së treti, i ndau athinasit në klasa të ndryshme bazuar në pasurinë dhe aftësitë ushtarake.

Shtresës më të ulët (shumicës) iu dha e drejta e votës, por vetëm ata nga shtresa e lartë mund të mbanin poste publike. Në terma afatgjatë, kushtetuta e Solonit do të siguronte kuadrin për demokracinë e mëvonshme athinase. Por në planin afatshkurtër ishte një dështim.

Sistemi i tij zgjati vetëm 20 vjet, të shoqëruara me trazira civile dhe konflikte klasore. Në fund të asaj periudhë, sistemi u përmbys nga partia popullore e kohës, e udhëhequr nga Pisistratusi. Ai mund të ketë qenë një diktator, por ishte gjithsesi një diktator popullor.

Gjatë sundimit të tij, Athina u bë gjithnjë e më e fuqishme dhe e pasur, dhe shumë shpejt një qendër e kulturës greke. Në fakt Pisistratus mbajti në fuqi Kushtetutën Soloniane, dhe u sigurua që të ishin anëtarët e familjes së tij ata që mbanin të gjitha funksionet drejtuese.

Pisistratusi vdiq në vitin 527 Para Erës Sonë dhe u pasua nga djemtë e tij, Hiparkus dhe Hipias. Ata ishin gjithçka që ai nuk ishte. Në 514 Para Krishtit, Hiparkus u vra, ndërsa vëllai i tij Hipias vendosi një diktaturë të plotë. Kjo shkaktoi protesta dhe rebelim, dhe Hipias u rrëzua brenda 4 vjetësh. Më pas kontrollin e Athinës e mori një politikan radikal i quajtur Kleisten. Ai ishte njeriu që më në fund ndërtoi në Athinë demokracinë e “vërtetë”.

Ai shfuqizoi 4 shtresat sociale të dikurshme duke i zëvendësuar me 10 klasa të reja të emërtuara sipas heronjve të lashtë. Këto klasa quheshin file. Çdo grup ishte një elektorat qëllimisht i larmishëm nga pikëpamja gjeografike dhe që nuk kishte asnjë lidhje me klasën. Çdo file përbëhej nga 3 triti. Këto triti ishin themeli i qeverisjes vendore. Çdo grup dërgonte 50 anëtarë në bule, ose këshill, që e drejtonte çdo ditë Athinën. Shumica e posteve publike  hidheshin me short, ndërsa vetëm gjeneralët zgjidheshin me votë.

Ky sistem i ri ishte shumë popullor dhe i qëndrueshëm. Ai ekzistoi për 170 vjet dhe u shpërbë vetëm për shkak të humbjes së Athinës dhe Tebës në 228 Para Krishtit përballë ushtrisë së Filipit II i Maqedonisë. Edhe pse Athina ishte një demokraci, asaj i pëlqente t`i përkulte muskujt e saj ushtarakë.

Gjatë periudhës klasike, Athina u përfshi në luftëra të vazhdueshme, si me fqinjët e tjerë po grekë, po ashtu edhe me fuqitë e huaja. Para ngritjes së Athinës, Sparta e kishte konsideruar tradicionalisht veten si udhëheqëse të grekëve. Athina u përpoq të ndryshonte këtë statuskuo dhe të bëhej lideri i ri.

Në vitin 466 Para Erës sonë, grekët jonianë të Azisë së Vogël po rebeloheshin kundër persëve. Duke synuar të fitonte ndikim, Athina u dërgoi përforcime. Kjo i zemëroi persët dhe çoi në dy pushtime të Greqisë prej tyre. Në vitin 490 Para Krishtit, athinasit, të udhëhequr nga Miltiadhi, e sprapsën pushtimin e parë pers në betejën e Maratonës.

Por në vitin 480, persët u rikthyen në një numër më të madh. Kushdo që e njeh tashmë legjendën e “300-ve” dhe çfarë ndodhi më pas. Nën udhëheqjen e Kserksit të Madh, persët mundën një njësi të vogël të ushtrisë greke në kalimin e ngushtë të Termopileve dhe u drejtuan drejt një Athine të mbrojtur shumë keq.

Brenda një viti, Athina u pushtua dy herë nga persët. Gjithsesi, suksesi i tyre zgjati vetëm një vit. Në 479, Athina u bashkua me Spartën dhe aleatët e tjerë, dhe e mundi ushtrinë persiane në Betejën e Plateas. Për shkak të asaj fitoreje, Athina përfshiu pjesën më të madhe të Egjeut dhe zonave të tjera të Greqisë në Lidhjen Deliane.

Lidhja Deliane ishte një aleancë e shteteve greke me në krye Athinën. Në atë kohë kjo mund të dukej si një pozicion prestigjioz, por që i shkaktoi Athinës shumë probleme, të cilat arritën kulmin në Luftën e Peloponezit në vitin 431 Para Krishtit. Shtetet e tjera greke u lodhën shpejt nga udhëheqja e Athinës, ndaj u rebeluan nën udhëheqjen e Spartës.

Konflikti ishte i gjatë dhe sfilitës. Spartanët sundonin nga toka ndërsa Athinasit nga deti. Por në fund fitimtarë dolën spartanët, dhe epërsia detare e Athinës mori fund. Në atë periudhë u dëmtua edhe demokracia athinase. Populli fajësoi për humbjen politikanët demokratë. Ndaj pati një trazirë 8-vjeçare ku demokracia në Athinë u përmbys, duke u zëvendësuar nga sundimi i “Tridhjetë Tiranëve”.

Ndërkohë as dominimi spartan nuk zgjati shumë. Aleatët e braktisën shpejt Spartën duke u bashkuar sërish me Athinën në Luftën e Korintit gjatë viteve 395-387 Para Krishtit. Athina e përdori këtë armiqësi ndaj Spartës për të krijuar Lidhjen e Dytë Athinase. Por nuk u desh shumë kohë që të shfaqej një sfidues i ri.

Maqedonia, e udhëhequr nga mbreti Filipi II, mposhti një aleancë të qytet-shtete greke në vitin 338 Para Krishtit të cilat u detyruan të bëhen pjese e një konfederate të udhëhequr nga Maqedonia. Pavarësisë së Athinës i kishte ardhur fundi. Mbreti Filipi II u pasua nga djali i tij, i famshëm Aleksandri i Madh.

Ky i fundit bëri një punë të madhe për bashkimin e Greqisë dhe zgjerimin e ndikimit të saj. Nën sundimin e tij, qytet-shtetet greke u bënë një gjë e së shkuarës. Athina ishte ende një qendër shumë e pasur kulturore, por jo më një fuqi udhëheqëse. Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, Greqia u pushtua nga Roma, që e ndau në 4 provinca të mëdha.

Gjatë Luftës së Parë Mithridatike (89-85 Para Erë Sonë), pjesa më e madhe e Greqisë u rebelua kundër sundimtarëve të saj romakë. Romakët u kundërpërgjigjën me egërsi. Gjenerali romak Kornel Sula shkatërroi shumicën e ndërtesave athinase, përfshirë shtëpitë dhe gati të gjitha fortifikimet.

Pasi romakët shtypën kryengritjen, e shpallën Athinën një qytet të lirë. Perandori Hadrian dhe romakët e respektuan reputacionin e Athinës si një vend mësimi, dhe perandori filloi të investonte shumë në Athinë. Projektet e tij kryesore përfshinin përfundimin e Tempullit të Zeusit dhe ndërtimin e Bibliotekës së Hadrianit, si dhe një gjimnaz dhe një ujësjellës.

Më pas Athina u sulmua nga Heruli (një popull gjermanik ose ndoshta skandinav) në 267 Pas Krishtit. Të gjitha ndërtesat publike u dogjën dhe u grabit gjithçka me vlerë. Pas bastisjes, pjesa veriore e qytetit u rifortifikuar në një shkallë më të vogël, duke e lënë Agorën të pambrojtur jashtë mureve të qytetit.

Kur u nda Perandoria Romake, Greqia mbeti pjesë e Perandorisë Romake Lindore, e sunduar nga Kostandinopoja, deri në vitin 1453 kur ajo u pushtua nga osmanët. Vetë Athina u pushtuar nga osmanët në vitin 1458. Pasi hyri në qytet sulltan Mehmetit II i bëri aq përshtypje bukuria e qytetit, saqë nxori një dekret mbretëror që ndalonte plaçkitjen apo shkatërrimin e Athinës.

Çdo njeri që e shkelte urdhrin dënohej me vdekje. Gjithsesi nën sundimin osman, Athina humbi rëndësinë që kishte dhe popullsia e saj ra ndjeshëm. Partenoni dhe Propilea u shkatërruan. Rezistenca greke kundër osmanëve nisi të ketë sukses në vitin 1822, kur një kryengritje greke e pushtoi Athinën. Ajo do të ishte përfundimisht në duart e grekëve vetëm në vitin 1833. Athina e atij viti kishte një popullsi të vogël, vetëm rreth 400 shtëpi, por kjo do të ndryshonte shumë shpejt.

Mbreti i parë i Greqisë moderne, Mbreti Oto, ose Othon, e shpalli shpejt Athinën kryeqytetin e vendit. Ai urdhëroi një studim të detajuar arkeologjik dhe topografik të Athinës. Më pas nisi zbatimi i planit të ndërtimit. Sot, Athina është një qytet i lulëzuar me mbi 3 milionë banorë. Miliona njerëz dynden në Athinë çdo vit për të parë monumentet dhe për të vizituar shtëpinë e demokracisë. / “Ancient Origins” – Bota.al

Back to top button