Fotoja e këtij artikulli është e një punëtori që punon në një fabrikë ushqimesh të ngrira. Teksa ishte duke bërë punën e tij, dikush e mbylli aksidentalisht në dhomën e ftohtë duke mos ditur që ai ishte brenda. Punëtori filloi të bërtiste për ndihmë, por orari i punës kishte mbaruar dhe nuk kishte mbetur më njeri në fabrikë, ndaj shpresat për ta shpëtuar ishin shumë të pakta! Në atë moment, ai kuptoi se ishte gati të ngrinte deri në vdekje. Por roja i fabrikës hapi derën e frigoriferit dhe e shpëtoi nga vdekja e sigurt!
Menaxheri i fabrikës e pyeti rojen: “A e dinit se punëtori ishte brenda në fabrikë dhe shkuat ta shpëtonit?!”
Roja u përgjigj: “Jo, askush nuk dinte gjë, mirëpo asnjë nga punëtorët e tjerë nuk më përshëndet përveç tij. Ai çdo ditë më pyet për gjendjen time, por në fund të asaj dite nuk e dëgjova dhe as e pashë të dilte nga fabrika. Punëtorët e tjerë më thanë se kishte ardhur në punë, por kishin kohë që nuk e shihnin, ndaj e dija, isha më se i sigurt se ishte ende në fabrikë, kështu që e kërkova derisa e gjeta”.
Mirësjellja i shpëtoi jetën këtij punëtori dhe na jep të gjithëve një mesazh të qartë se duhet të sillemi mirë me të gjithë, pavarësisht pozicionit apo punës që bën kushdo prej nesh. Punëtori i fliste rojes, e pyeste për gjendjen e tij çdo ditë, pa e paragjykuar se ishte thjesht një roje e të mos i fliste si gjithë të tjerët. Ky është gabimi më i madh që bëjnë shumë prej nesh. Duke e mbivlerësuar veten, të tjerët u duken më poshtë nga vetja dhe i lënë pas dore, ama mund të vijë një moment kur ndoshta jo jeta (si në rastin e mësipërm), por shumë aspekte të jetës sonë të varen nga persona të tillë. Mirësjellja nuk i kushton askujt asgjë, ndaj le të jemi sa më të sjellshëm me të gjithë dhe të shpërndajmë pozitivitet.