Elefanti në dhomë është shteti që ende nuk është i pranishëm.
Pavarësisht sigurisë së dhënë nga Sekretari amerikan i shtetit se Kievi do të përfshihet në bisedimet mbi të ardhmen e tij, ka shumë pak prova për këtë.
Po ashtu, Ukraina nuk do të jetë shumë e inkurajuar nga diskutimet në Riad.
Kini parasysh përmbledhjen që bëri ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov: “Kam arsye të besoj se pala amerikane ka filluar të kuptojë më mirë pozicionin tonë, të cilin e kemi parashtruar sërish në detaje, duke përdorur shembuj konkretë, bazuar në fjalimet e përsëritura të Presidentit Putin.”
A do të thotë “të kuptojë më mirë”, kalimin përtej një pozicioni ku Ukraina dorëzon territor dhe heq dorë nga çdo ambicie për anëtarësim në NATO?
Ky është tashmë terreni që amerikanët e kanë vënë në diskutim – të dëgjosh që Rusia ka marrë siguri dhe garanci, nuk e ndihmon aspak idenë se Ukraina dhe aleatët europianë do të jenë të përfshirë dhe do të ndikojnë në proces.
Rusët i kanë paraqitur këto bisedime si një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Është një vizion që e ndajnë edhe amerikanët. Sekretari amerikan i shtetit e mbështeti këtë vizion dhe foli për rikthimin e stafit në ambasadat përkatëse, si dhe eksplorimin e një bashkëpunimi më të ngushtë ekonomik.
Madje, ai përmendi interesat ruse për t’i bërë vendet europiane të heqin sanksionet, duke deklaruar: “Bashkimi Europian do të duhet të jetë në tryezë në një moment, pasi edhe ata kanë vendosur sanksione.”
Sa i përket Ukrainës, Marco Rubio foli për krijimin e një “ekipi të nivelit të lartë” për të mbështetur bisedimet e paqes për Ukrainën, por çdo detaj tregon se interesi për Ukrainën mbetet një prioritet i ulët.
Sekretari amerikan i shtetit tha se do të duheshin lëshime nga të gjitha palët – por kjo nuk përputhet me pikënisjen e Ukrainës për negociata, që është se lëshimet duhet të vijnë nga agresori.
Ata që janë pranë Donald Trump-it flasin për ambiciet e tij më të gjera për një ribërje të strukturës gjeopolitike, ku marrëdhëniet më të ngushta me Moskën janë në qendër. Të njëjtët njerëz thonë se Ukraina është vetëm një pjesë e vogël e kësaj tabloje.
Asgjë nga çfarë ndodhi në Riad nuk e kundërshton këtë mesazh.
Ndërkohë, Volodymyr Zelenskyy ishte i qartë: Bisedimet për të negociuar paqen në luftën me Rusinë nuk duhet të zhvillohen pas shpinës së Ukrainës. / bota.al