BOTËRORI / Mirë se vini në spektaklin më të madh pas Big Bengut

Një Kampionat Botëror i florinjtë

BOTËRORI

Lamine Yamal dhe Kylian Mbappé, Gianni Infantino dhe Donald Trump. Mirë se vini në spektaklin më të madh pas Big Bengut. Para, pushtet, pushtet dhe para. Nesër do të nisë Botërori, një aktivitet sportiv më e pasur se kurrë. Sigurisht, do të jetë e para me 48 skuadra, në emër të globalizmit që është shenja dalluese e kësaj presidence të FIFA-s. Por nuk është vetëm kaq. Industria e futbollit, e aftë të rimëkëmbet edhe pas një pandemie, është në rritje të vazhdueshme: më shumë publik, më shumë sponsorë, më shumë investitorë. Kupa e Botës, e organizuar nga SHBA-ja, pra nga ekonomia që, mes krizës së naftës dhe kërcënimeve kineze, vazhdon të tërheqë planetin, me Kanadanë dhe Meksikën në krah, është manifestimi i saj.

A e dini sa është vlera e tregut e përllogaritur e 1248 lojtarëve të listuar në 48 kombëtaret pjesëmarrëse? Plot 13 miliardë euro, sipas vlerësimeve të Football Benchmark dhe Transfermarkt. Vlera e dhjetë skuadrave të para është rritur me një miliard krahasuar me edicionin e vitit 2022. Është “player trading”, bukuria. Yjet e futbollit botëror, me talentin e tyre dhe ndjekjen masive të shtuar nga mediat e reja që rrëzojnë çdo barrierë, janë asete tepër të çmuara, të afta të shkëlqejnë edhe më shumë falë “mungesës” së tyre.

Talentet dhe Botërori

Merrni Lamine Yamalin: në moshën 18-vjeçare ai ka fituar tashmë një Kampionat Europian me Spanjën dhe dy tituj të La Ligës me Barcelonën. Videot e tij si adoleshent qarkullojnë në rrjetet sociale, aq sa në TikTok ka më shumë ndjekës se kushdo tjetër (44 milionë). Ai është neo-futbollisti në shprehjen e tij më të plotë dhe vlera e tij teorike e tregut tashmë ka shpërthyer në 292 milionë euro sipas Football Benchmark, pothuajse e dyfishuar krahasuar me një vit më parë, kur klubi blaugrana e lidhi me kontratë deri në vitin 2031 me një klauzolë largimi prej një miliard eurosh.

Pas tij vjen Mbappé, alter egoja e Clásico-s: sulmuesi i Real Madridit vlen 221 milionë euro dhe e çon Francën në vendin e parë mes kombëtareve, me një kuotë prej 1.6 miliardë eurosh, pikërisht përpara Spanjës (1.5 miliardë). Dikur protagonistët e Clásico-s ishin Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, në Kupën e tyre të fundit të Botës, e destinuar të vinte në skenë kalimin e stafetës së brezave. Nëse futbolli, në këtë shekull, është shndërruar në një biznes pa kufij gjeografikë, merita u takon edhe atyre, të cilët, pasi e bënë të madh Kampionatin Europian të klubeve, u nisën në kërkim të territoreve të reja, duke përputhur ambiciet ekspansioniste të këtij sporti mes Amerikës dhe Lindjes së Mesme.

Përparimi i parasë ka ecur paralelisht me një polarizim gjithnjë e më të theksuar. Pesë kombëtaret me vlerën më të lartë të tregut (Franca, Spanja, Anglia, Gjermania dhe Portugalia) arrijnë në 6.5 miliardë euro dhe përfaqësojnë gjysmën e vlerës së përgjithshme të të 48 pjesëmarrëseve.

Pesë lojtarët më të vlefshëm (Lamine Yamal, Mbappé, Haaland, Bellingham dhe Olise) vlejnë sa 8% të totalit prej 1248 futbollistësh të pranishëm. Nga ana tjetër, Kupa e Botës është e bukur edhe sepse është e larmishme: Jordania dhe Katari vlejnë vetëm 19 milionë. Këto vlerësime pasqyrojnë, ndoshta edhe tepër, duke parë borxhet e disa klubeve, rritjen e vazhdueshme të faturimeve. FIFA, ashtu si UEFA, është prej kohësh një aktor kryesor në betejën me mbajtësit e të drejtave për të siguruar pjesët e tregut. Asnjë ngjarje sportive nuk mund të krahasohet me xhiron e biznesit të Kupës së Botës në futboll. Edicioni i këtij viti, duke shfrytëzuar formatin gjigant dhe vitrinën amerikane, do të arrijë në 10 miliardë dollarë. Lojërat Olimpike të Parisit arkëtuan gjysmën e kësaj shume.

Biznesi

Rritja krahasuar me Botërorët e mëparshëm është mbresëlënëse: 2.3 miliardë në 2006; 3.7 në 2010; 4.8 në 2014; 5.4 në 2018; 6.3 në 2022. Të gjitha zërat po rriten, sidomos biletaria: parashikohet të trefishohen të ardhurat brenda katër viteve, në kuotën e 3 miliardëve (përfshirë mikpritjen). Polemikat për çmimet e çmendura të biletave? FIFA nuk shqetësohet. Kostot organizative janë vlerësuar në 3.8 miliardë, përfshirë 871 milionë dollarë të destinuara për kombëtaret kualifikuese në formë shpërblimesh dhe rimbursimi shpenzimesh. Kjo do të thotë se turneu duhet të gjenerojë për Zyrihun një fitim prej të paktën 6 miliardë dollarësh. Prej tyre, 2.7 miliardë do të shpërndahen në katërvjeçarin e ardhshëm te 211 federatat e lidhura dhe te konfederatat kontinentale. Të gjithë të lumtur dhe të kënaqur. / gazzetta dello sport – bota.al

Back to top button