Javën e shkuar Organizata Botërore e Shëndetësisë i vendosi emrin një varianti të ri të koronavirusit të ri, variantit Mu. Ai u zbulua për herë të parë këtë vit në Kolumbi, dhe deri më tani është raportuar në rreth 39 vende. Mu bart disa ndryshime, ose mutacione, që mund ta bëjnë atë të aftë të anashkalojë pjesërisht mbrojtjen që kemi fituar nga vaksinat kundër Covid-19.
Megjithatë një element sigurues,është se pavarësisht se ka qenë në qarkullim që nga janari i këtij viti, ai nuk duket se është në gjendje të tejkalojë Deltën, variantin dominues në pjesën më të madhe të botës. Në rast se Mu do të kishte qenë një variant i keq, duhet të kishim parë tashmë shenja të tij, por kjo nuk ka ndodhur ende.
Disa mutacione mund të jenë të dëmshme për virusin, por të tjerat mund të jenë të dobishme, duke i dhënë mundësi atij të përhapet më mirë dhe të shmangë mbrojtjen e ofruar nga vaksinat. Nëse në virus ka mutacione,të cilat nxjerrin në pah potencialin për të shkaktuar më shumë dëme, varianti mund të përcaktohet si “me interes”, dhe të mbahet nën vëzhgim.
Varianti Mu ka mutacione që mund t’i japin virusit disa nga këto veti, por provat janë ende duke u mbledhur. Katër variantet e tjera që po mbahen nën vëzhgim janë Eta, Iota, Kapa dhe Lambda. Deri më tani 4 variantet më shqetësuese janë Alfa, Beta, Gama dhe Delta.
A mund t’i shpëtojë ai vaksinave?
Shumica e vaksinave anti-Covid shënjestrojnë proteinën virale, të cilën virusi e përdor për të hyrë në qelizat e njeriut. Vaksinat i ekspozojnë trupat tanë ndaj një pjese të virusit, zakonisht proteinës që e rrethon nga jashtë koronavirusin e ri, në mënyrë që sistemet tona imune të mund të mësojnë se si ta mposhtin virusin nëse e hasin atë.
Në rast se një variant përmban ndryshime të rëndësishme në proteinën virale, kjo gjë mund të dobësojë efektivitetin e vaksinave. OBSH thotë se të dhënat e deritanishme sugjerojnë se varianti Mu mund të shmangë pjesërisht antitrupat që ne marrim nga vaksinat anti-Covid. Gjithsesi, meqë këto të dhëna vijnë nga studimet laboratorike, ne nuk e dimë ende me saktësi se si do të sillet në fakt ky variant në popullatë.
Kërkohen më shumë kërkime për të mësuar me siguri se si do të sillet ai mes njerëzve, dhe studimet për këtë gjë janë ende në vazhdim. Lajmi i mirë, është se vaksinat aktuale na mbrojnë mirë kundër infeksionit simptomatik, dhe ndaj formave serioze të sëmundjes të shkaktuara nga të gjitha variantet e virusit të identifikuar deri më tani.
Vaksinat mund të mos na mbrojnë përgjithmonë
Ekziston një probabilitet i lartë, që një ditë të shfaqet një variant i ri, i cili mund t’i shmanget ndjeshëm mbrojtjes së ofruar nga vaksinat, bazuar në llojin origjinal të virusit. Është e e vështirë të dihet nëse dhe kur do të ndodhë kjo. Por qarkullimi i pakontrolluar i virusit në komunitet, rrit gjasat që të shfaqet një variant i këtij lloji.
Sidoqoftë, prodhuesit kryesorë të vaksinave anti-Covid,janë të përgatitur për këtë skenar. Disa prej tyre, janë tashmë duke zhvilluar vaksina për variantet e reja si Delta. Nëse zbulohet një variant i tillë, disa prodhues të vaksinave mund t’i modifikojnë vaksinat e tyre brenda 6-8 javëve,që t’i përshtaten variantit të ri.
Për ta bërë këtë, autoritetet rregullatore mjekësore në të gjithë botën, do të duhet të përshpejtojnë procesin e miratimit të vaksinave të reja. Sigurisht, do të ketë nevoje për kërkime të reja shkencore. Por ato mund të kryhet shumë shpejt, për sa kohë që vaksina e re ka të njëjtat veti si ato ekzistuese.
Në një moment mund të ndodhë që një variant ta tejkalojë Deltën sa i përket infektueshmërisë. Shkencëtarët besojnë se Delta është të paktën 50 për qind më infektive sesa Alfa, që është rreth 50 për qind më infektive se varianti origjinal.
Sipas teorisë evolucionare, virusi mund të bëhet më infektiv, por me kalimin e kohës shkakton më pak forma të rënda të sëmundjes, pasi qëllimi i një virusi është të përhapet sa më shumë që të jetë e mundur dhe të mos vrasë specien ku ka bujtur,para se të mundet të bëjë këtë.
Sidoqoftë, Sars-Cov-2 nuk sillet domosdoshmërisht në këtë mënyrë. Dhe për momentin ne jemi realisht në fazat e hershme të jetës së këtij virusi. Mënyra më e mirë për të luftuar me variantet e tij, është vaksinimi i sa më shumë njerëzve, në mënyrë që virusi të ketë më pak njerëz për të infektuar,për t’u riprodhuar dhe pësuar mutacione.
Ndërkohë, ekziston rreziku që sapo të vaksinohet shumica e popullsisë së botës, vaksinat mund të ushtrojnë një“presion selektiv” mbi virusin, duke bërë që ky i fundit të evoluojë në një mënyrë të tillë që t’i shpëtojë mbrojtjes që ofrojnë vaksinat. Por përfitimet e vaksinimit të më shumë njerëzve e tejkalojnë këtë rrezik.
Unë nuk mendoj se për momentin është koha të shqetësohemi edhe për variantin Mu.
Në rast se ai do të shndërrohet në një “variant shqetësues”, atëherë mund të shqetësohemi pak më shumë. Sidoqoftë, ne kemi në dispozicion mjete të jashtëzakonshme për të luftuar Sars-Cov-2, duke përfshirë shumë vaksina efektive, shumica e të cilave mund të përshtaten me shpejtësi ndaj varianteve të reja. / “The Conversation” – Bota.al