Covid19

Çfarë mund të bësh pasi të jesh vaksinuar plotësisht?

Ju u vaksinuat dhe kjo është vërtet shumë gjë e mirë.

Por, para se të filloni të puthni bebet, të përqafoni të panjohur ose të hidhni tutje maskat, dijeni se duhet ende të jeni të kujdesshëm pasi ka ende shumë të panjohura që vërtiten rreth nesh. Nuk po duam t’ju vrasim ëndrrën tuaj për t’u kthyer në një lloj jete normale. Të gjithë meritojnë një farë normaliteti pas një viti sfidues siç ishte 2020. Por duam që ju të mbroni veten dhe ata përreth jush, që janë ende duke pritur për të bërë një vaksinë COVID-19.

Pra, çfarë mund të bësh pasi të konsiderohesh “plotësisht i vaksinuar?” Specialistja e sëmundjeve infektive, Kristin Englund, MD, ofron disa fjalë shprese dhe këshilla për të qëndruar të sigurt ndërsa vazhdoni të lundroni mespërmes një pandemie.

Çfarë do të thotë “plotësisht i vaksinuar”

Sipas CDC, ju nuk konsideroheni plotësisht të vaksinuar derisa të kenë kaluar të paktën dy javë nga doza e dytë e një serie me dy doza vaksinash.

CDC thekson se nëse kanë kaluar më pak se dy javë që kur keni marrë një vaksinë me një dozë të vetme ose nuk keni marrë dozën e dytë, ju NUK jeni të mbrojtur plotësisht. Kjo do të thotë që ende keni nevojë të merrni të gjitha masat e nevojshme paraprake si mbajtja e një maske, larja e duarve dhe shmangia e turmave të mëdha.

Pra, çfarë mund të bëjnë njerëzit e vaksinuar plotësisht?

Dr. Englund thotë se ka përfitime nga vaksinimi i plotë. “Së pari, me siguri nuk do të sëmureni.” Dhe së dyti, ka të ngjarë të ketë disa mundësi për të parë njerëz që nuk i keni parë prej pak kohësh, thotë ajo. Njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë pse të mbajnë maska rreth njëri-tjetrit

Dr. Englund thotë se nëse ju dhe një mik apo një grup i vogël miqsh jeni vaksinuar të gjithë, nuk keni pse të mbani maska. Por përsëri, të gjithë duhet të vaksinohen plotësisht, jo pjesërisht.

“Nëse ju dhe një person tjetër jeni vaksinuar plotësisht ose një grup i vogël është vaksinuar plotësisht, nuk keni pse të mbani maska kur jeni në ambiente të mbyllura”, thotë ajo. “Kjo do të çojë në shumë më tepër liri dhe shumë më tepër mundësi për të parë njerëzit të buzëqeshin – dhe të gjithëve na ka munguar kjo. Por sërish, le të mos harrojmë se i gjithë grupi duhet të vaksinohet plotësisht dhe të kenë kaluar të paktën dy javë që nga vaksina e fundit e të gjithëve”, thotë Dr. Englund.

Pse dy javë?

Kur merrni vaksinën, ajo hyn në trupin tuaj dhe ndihmon sistemin imunitar të mësojë se si të njohë dhe të luftojë virusin që shkakton COVID-19. Ju nuk jeni duke marrë virusin e gjallë kur vaksinoheni. Vaksinat COVID-19 që janë miratuar për përdorim emergjent, thjesht mësojnë trupat tanë të na mbrojnë nga infeksioni në të ardhmen.

Mund të duhen rreth dy javë pas vaksinimit që trupi juaj të krijojë imunitet kundër virusit që shkakton COVID-19. Për shkak të kësaj, është e mundur të merret COVID-19 para ose menjëherë pas vaksinimit dhe më pas të sëmureni, sepse vaksina nuk ka patur kohë të mjaftueshme për të punuar siç ishte menduar.

Karantinimi nëse…

Nëse jeni vaksinuar plotësisht, nuk keni pse të bëni karantinë pasi të jeni ekspozuar ndaj COVID-19 nëse nuk filloni të përjetoni simptoma. Nëse filloni të përjetoni simptoma, kjo mund të nënkuptojë që vaksina nuk është efektive ose jeni ekspozuar ndaj një varianti.

Dr Englund shpjegon.

“Një gjë tjetër e mirë, për ata prej nesh që janë vaksinuar plotësisht, dhe një arsye tjetër për t’u vaksinuar plotësisht, është se nëse ndodh që të ekspozoheni ndaj dikujt që ka COVID-19, nuk keni pse të bëni më karantinë. Dhe nëse nuk keni simptoma, sigurisht që mund të vazhdoni me punët tuaja të përditshme”, thotë ajo.

Ajo thotë se nëse filloni të keni simptoma, kjo mund të tregojë që vaksina nuk ishte plotësisht efektive ose mund të jeni ekspozuar ndaj një varianti. “Por nëse nuk keni ndonjë simptomë, përsëri mund të dilni dhe të bëni punën tuaj të përditshme brenda komunitetit. Ju gjithashtu mund të ndiheni të sigurt se nuk keni pse të bëni karantinë.”

Nuk duhet t’i hidhni maskat dhe të silleni sikur gjërat janë kthyer në normalitet

Siç u përmend më herët, duhen dy javë për të krijuar rezistencë pasi të keni marrë vaksinën COVID-19. Për të ruajtur procesin, vazhdoni të mbani maskën. Dr. Englund gjithashtu thekson se, edhe pse jeni plotësisht të vaksinuar, ju nuk jeni mbinjerëzorë. Ende keni nevojë të mbani maskën për të mbrojtur veten nga shumë të panjohura.

“Kur do të dilni në publik, vetëm sepse jeni vaksinuar plotësisht nuk do të thotë që jeni plotësisht të sigurt. Ju do të bashkëveproni me shumë njerëz të ndryshëm në dyqanet ushqimore, ngjarjet sportive dhe në hapësira të tjera publike. Kështu që, do të duhet absolutisht të vazhdoni të mbani maskë”.

Vazhdoni të mbani maskat në mjediset e kujdesit shëndetësor

Dr. Englund thotë se është e rëndësishme të vazhdojmë të mbajmë maskat dhe mburojat e fytyrës. “Eshtë thelbësore, veçanërisht kur nuk e dimë nëse njerëzit janë plotësisht të vaksinuar. Dhe ndërsa hyni në godinën e një spitali ose ofruesi të kujdesit shëndetësor, nuk e dini statusin shëndetësor të personit që mund të ecë ose të ulet pranë jush. Ai person mund të jetë në rrezik të lartë për marrjen e COVID-19. Pra, sigurisht që nuk duam t’i vendosim njerëzit në mjediset e kujdesit shëndetësor në rrezik”. / bota.al

Back to top button