Psikologji

Cili është libri që të ka ndryshuar jetën? Ky është imi!

Në këtë periudhë me ditë ende të ftohta, pavarësisht nisjes së pranverës, nuk ka gjë më të bukur për të bërë se sa të lexosh një libër në kohën e lirë. Në lokalin e preferuar duke konsumuar kafen e pasdites, apo në shtëpi pranë ngrohëses, librat janë një shoqëri shumë e mirë. Por cilët janë librat që ju kanë ndryshuar jetën? Cilët ju kanë bërë të reflektoni gjatë për jetën dhe vendimet që merrni?

Në të vërtetë, nuk ka libra të bukur apo të shëmtuar. Ka libra që të mësojnë, njëri më tepër se tjetri. Ama nuk ka libra që kur përfundohen, nuk të mësojnë diçka. Në preferencat e mia hyjnë kryesisht romanet klasike, romanet e autorëve të brezit të humbur, apo të autorëve rusë. Mirëpo, vitet e fundit, një nga shkrimtarët më të përfolur është dhe Khaled Hosseini. Në panairin e librit të disa viteve më parë të gjithëdiskutonin për “Gjuetarin e balonave”, por kurioziteti më shtyu të nisja leximin e veprave të tij me “Dhe malet oshtinë”.

Kam mbetur pa fjalë në fund të romanit. “Dhe malet oshtinë” bën fjalë për një shoqëri që jeton në kushte tepër të vështira, kur prindi detyrohet të dhurojë fëmijën e tij, për arsye se nuk ka mundësi ekonomike ta ushqejë. Dhimbja e ndarjes së prindit nga fëmija, apo e ndarjes së një vëllai nga motra nuk mund tëpërshkruhej në mënyrë më të dhimbshme se në këtë libër. Nga ana tjetër, në roman tregohet se jeta rrjedh natyrshëm, por kur diçka është e shkruar, do të ndodhë pavarësisht pengesave. Dy fëmijët e ndarë, pas shumë vitesh, të plakur, takohen me njëri-tjetrin, por me një ndryshim, ai vuante nga demenca dhe nuk e mbante mend motrën e tij. Nga ky roman mësova se shpesh jeta tregohet e padrejtë me disa persona. I ndan ata për arsye të kota dhe kur vendos t’i bashkojë, shpesh është shumë vonë

Back to top button