Covid19MAIN

Covid-i tek topi

Stadiumi si inkubator Covid-i. Eshtë konsideruar i tillë që në fillim, qysh nga ajo mbrëmje e 19 shkurtit 2020 në San Siro: Champions League, ndeshja Atalanta-Valencia, sipas shumë ekspertëve “ndeshja zero”, një bombë për përhapjen e virusit. 16 muaj më vonë, të kaluar pothuajse kudo me stadiume të mbyllura për publikun dhe futboll vetëm në tv, ja tek jemi sërish. Duke parë me shqetësim shkallët e stadiumeve të këtij Evropiani, që UEFA e ka organizuar në 11 qytete të ndryshme të kontinentit. Zgjedhja më e keqe, e parë me sytë e sotëm, por një vendim i marrë kur “green pass” nuk ekzistonte dhe karantinën e shihnim vetëm në filma.

Sot, kur kemi mbërritur në çerekfinale dhe me variantin Delta në ekspansion në shumë shtete, “Covid-i tek topi” rikthehet si lajm aktualiteti. Alarmi i parë ka të bëjë me ndeshjen e të shtunës, në Romë, mes Anglisë dhe Ukrainës.

“Anglezë, qëndroni në shtëpi”

Në Itali i druhen ardhjes në kryeqytet të tifozëve anglezë, pavarësisht se që nga 18 qershori është në fuqi një urdhër i Ministrit të Shëndetësisë, që vendos karantinën e detyrueshme prej 5 ditësh për ata që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, vendi më i goditur prej variantit të ri (26 mijë raste në 24 orët e fundit). Pra, vetëm kush ndodhet në Itali prej fundjavës së kaluar mund të zërë vend në stadiumin Olimpico. “Nuk mund të rrezikojmë. Nëse një tifoz anglez niset sot, nuk do e shohë ndeshjen”, siguron nënsekretari për Shëndetësinë, Andrea Costa. Nga Rajoni i Lacios, presidenti Nicola Zingaretti kërkon “respektim të ligjit dhe kujdes nga problematikat e variantit Delta”.

Pritet intensifikim i kontrolleve në aeroporte, stacione dhe rrugët kryesore për të shmangur infiltrime të mundshme nga toka dhe në përpjekje për të ndaluar ata që mbërrijnë me ndalesa në qytete të tjera evropiane: kush nuk respekton rregullat, do të ndëshkohet edhe me gjobë, edhe penalisht.

Duhet thënë se këto rregulla vlejnë edhe për tifozët e Ukrainës, të cilët duhet të qëndrojnë në karantinë për dyfishin e kohës, në krahasim me anglezët. Ndërkohë, Federata angleze e futbollit ka vendosur të mos nxjerrë në shitje në Britaninë e Madhe paketën e biletave të rezervuara për tifozët e vet, për të 2560 vendet që do u jepen anglezëve me banim në Itali. Dhe nga Londra nuk ka ardhur asnjë kërkesë për qeverinë italiane, që të zbusë masat kufizuese, teksa u është bërë thirrje qytetarëve të vet që të mos nisen. “Rrini në shtëpi, mos shkoni në ROmë. Bëni tifozllëk sa të mundeni nga televizori”.

Rasti Uembli

Kryeministri italian, Mario Draghi ka polemizuar ndërkohë me kryeministrin britanik, Boris Johnson në lidhje me mundësinë e zhvillimit të dy gjysmëfinaleve dhe finales në stadiumin historik të Londrës. Shumë e rrezikshme po të kemi parasysh numrin e infeksioneve në Britaninë e Madhe, më mirë që ndeshjet të zhvendosen gjetkë, ka thënë kryeministri italian që është mbështetur edhe nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe nga vetë Komisioni Evropian. Megjithatë, UEFA nuk duket se ka ndërmend të ndryshojë planet dhe madje është konfirmuar rritija e mëtejshme e numrit të vendeve, me reduktim të distancimit: nga 25 mijë tifozë në ndeshjet në grupe, u kalua në 45 mijë në ndeshjen Itali-Austri dhe Angli-Gjermani, dhe në finale do të jenë 60 mijë.

Infeksionet në shkallët e stadiumit

Eksperienca sugjeron që duhet treguar kujdes. Nga Skocia bëjnë të ditur se 2 mijë tifozë kanë rezultuar pozitivë me Covid në 2 javët e fundit, pasi ndoqën ndeshjet e kombëtares së tyre në Evropian, në stadiumin apo në klube me shumë njerëz. Dy të tretat e infektimeve ishin në Londër gjatë ndeshjes Angli-Skoci të 18 qershorit: 397 ishin në shkallët e Uemblit, të tjerë gjatë shikimit të ndeshjes në sheshe. Javën e kaluar, autoritetet finlandeze identifikuan 120 tifozë pozitivë që ishin rikthyer nga Shën Petërsburgu, ku kombëtarja e tyre ishte ndeshur me Belgjikën.

Por të infektuarit mes skandinavëve mund të jenë më shumë, sepse në kufi ishin shumë dhe nuk ka qenë e mundur të testoheshin të gjithë. Stadiumi i Shën Petërsburgut ka organizuar tashmë gjashtë ndeshje të Evropianit dhe nesër do të luhet ndeshja Spanjë-Zvicër.

Pavarësisht kërkesës së autoriteteve shëndetësore lokale për të shmangur grumbullimet dhe festimet masive, për shkak të rritjes së numrit të infektimeve në qytet: 1500 pozitivë dhe 111 të vdekur në 24 orë. Sintezën e bën më së miri këshilltari i ministrit Speranza, Valter Ricciardi: “Rritja e rasteve mes tifozëve që rikthehen nga stadiumet e mbushura dhe pa maska, mungesa e arsyes dhe vetëkënaqësia kanë qenë gjithmonë shkaku i përhapjes së epidemive”. / La Stampa – Bota.al

Back to top button