Covid19MAIN

“Covidi i Gjatë” ka mbi 200 simptoma, dhe ato janë të përhapura tek ne më shumë sesa mendohej deri tani

Përveç trajtimit të gjithçkaje tjetër që ka shkaktuar Covid-19 tek të prekurit, ekspertët po punojnë shumë për të pasur një ide më të mirë të asaj që shkakton fenomenin e “Covidit të Gjatë”- një gjendje ku simptomat vazhdojnë për muaj të tërë pas një infeksioni me koronavirusin.

Një studim i ri, ka identifikuar 203 simptoma të ndryshme të Covid-19 në10 sisteme të ndryshme të organeve në trup, duke theksuar sesa e përhapur dhe e larmishme është vuajtja nga kjo sëmundje, dhe si mund të ndërhyjë ajo në shumë aspekte të ndryshme të jetës së përditshme të njerëzve.

Studiuesit që kanë kryer këtë studimi -ku të gjithë ata kanë përjetuar ose vazhdojnë ta përjetojnë vetë “Covidin e Gjatë” – po bëjnë thirrje për hartimin e programeve kombëtare të shqyrtimit të të gjitha rasteve me këtë gjendje, si dhe për hartimin e udhëzimeve më të sakta klinike për përshkrimin e simptomave.

“Ndërsa ka pasur shumë diskutime publike rreth “Covidit të Gjatë”, ka shumë pak studime sistematike mbi këtë grupim njerëzish”-thotë neuroshkencëtarja Atena Akrami  nga Kolegji Universitar në Londër.

“Prandaj dihet relativisht pak mbi gamën e simptomave të tij, dhe përparimin e tyre me kalimin e kohës, ashpërsinë dhe ecurinë e pritshme klinike (kohëzgjatjen), ndikimin e tyre në funksionimin e përditshëm të organizmit tonë dhe pasojat e pritshme në shëndetin në tërësi”- thekson ajo.

“Përmes kësaj qasjeje unike, ne kemi analizuar direkt ata që vuajnë nga “Covidi i Gjatë” në të gjithë botën, në mënyrë që të krijojmë një bazë të dhënash të plota për studime të mëtejshme, për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe mbështetjen e vazhdueshme të këtij grupimi”-thotë Akrami

Me 3.762 njerëz të pyetur në 56 vende, studimi ndërkombëtar është më i madhi dhe më gjithëpërfshirësi mbi këtë fenomen që ka prekur miliona njerëz, të cilët vazhdojnë të kenë probleme përtej kohës normale për shkak të Covid-19.

Simptomat më të zakonshme të raportuara ishin lodhja, gjendja e dobët fizike pas sforcove të ndryshme fizike ose mendore, dhe mosfunksionimi njohës ose “mjegulla e trurit”. Simptoma të tjera përfshijnë halucinacionet vizuale, të dridhura, mosfunksionimin seksual, humbje të kujtesës dhe diarre, si dhe një gamë të tërë problemesh shëndetësore fizike dhe të aftësive njohëse.

Pjesëmarrësit raportuan mesatarisht nga 55.9 simptoma secili, në shumicën e sistemeve tëorganeve. Nga 3.762 njerëz të përfshirë në studim që vuanin nga “Covidi i Gjatë”, 2.454 prej tyre kishin përjetuar simptoma të tilla për të paktën 6 muaj.

Kjo shkakton edhe shumë dëme të tjera:45.2 për qind e pjesëmarrësve në studim, thanë se kishin zvogëluar orët e tyre të punës, ndërsa 22.3 për qind nuk ishin duke punuar fare në kohën e studimit.“Edhe 7 muaj pas prekjes,shumë pacientë nuk janë shëruar ende (kryesisht nga simptomat sistematike dhe neurologjike apo njohëse), dhe nuk janë rikthyer tek norma e mëparshme e punës, dhe vazhdojnë të përjetojnë një ngarkesë të madhe nga simptomat”- shkruajnë studiuesit në artikullin e publikuar me këtë rast.

Ka shumë gjëra që ende nuk i dimë mbi “Covidin e Gjatë”, por tabloja po bëhet dalëngadalë më e qartë. Simptomat duket se zbehen pas vaksinimit, por vetëm për disa pacientë. Ndërkohë studimi ka zbuluar se gratë janë më të rrezikuara nga ky fenomen.

Rreth 1 në 10 njerëz që preken nga Covid-19, mendohet se vuajnë ende nga disa simptoma më shumë se 12 javë pas rezultati pozitiv të testit. Duke pasur parasysh përhapjen e pandemisë në të gjithë globin, po flasim potencialisht për miliona njerëz.

Studiuesit duan që të analizojnë testet mbi simptomat neurologjike dhe neuropsikiatrike, si dhe ato kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, për të zbuluar akoma më shumë njerëz që po vazhdojnë të vuajnë nga Covid-19.“Ka të ngjarë të jenë dhjetëra mijëra pacientë me “Covidin e Gjatë”që vuajnë pasojat në heshtje, të pasigurt nëse simptomat e tyre janë të lidhura me Covid-19”-thotë Akrami. / ScienceAlert – Bota.al

Back to top button