Motivuese

“Ç’të bësh, do të gjesh!” 

Historia e ditës

Një ditë një burrë pa një zonjë të moshuar, të bllokuar në anë të rrugës. Edhe në dritën e zbehtë të ditës, ai mundi të kuptonte se ajo kishte nevojë për ndihmë. Kështu ndaloi përpara Mercedesit të saj dhe doli. 

Edhe pse me buzëqeshje në fytyrë, ajo ishte e shqetësuar. Askush nuk ishte ndalur për ta ndihmuar në 2 orët e fundit, apo edhe më shumë. A mos ai do ta lëndonte? Ai nuk dukej tip që jepte siguri;iu duk i varfër dhe i uritur. Ai mundi të dallojë se zonja ishte e frikësuar, duke qëndruar aty në të ftohtë. E kuptonte se si ndihej ajo. Ishin ato lloje të dridhurash, që vetëm frika mund të t’i fusë. I tha: “Jam këtu për t’ju ndihmuar, zonjë. Pse nuk prisni në makinë ku është ngrohtë? Meqë ra fjala, unë quhem Bryan Anderson.”

Në fakt, problemi i saj ishte thjesht një gomë e shfryrë, por për një zonjë të moshuar, ky ishte jo pak problem. Bryan u zvarrit poshtë makinës duke kërkuar një vend për të vendosur krikon. Pa kaluar shumë, arriti ta ndërronte. Por iu desh të bëhej pis dhe duart i dhimbnin.

Ndërsa ai po shtrëngonte dadot, zonja uli xhamin e dritares dhe filloi të fliste me të. I tha se ishte nga St. Luis dhe se rruga e kish sjellë atypari. Nuk kish fjalë për ta falënderuar, që i erdhi në ndihmë.

Bryan buzëqeshi ndërsa mbylli bagazhin. Zonja e pyeti se sa i detyrohej. Cilado të ishte shuma, nuk e kishte problem. Tashmë i imagjinonte të gjitha gjërat e tmerrshme që mund të kishin ndodhur nëse ai nuk do të kishte ndaluar. Bryan as nuk mendoi t’i merrte para. Ishte duke ndihmuar dikë në nevojë dhe Zoti e dinte se sa njerëz kishte që i kishin dhënë një dorë në të kaluarën. 

I tha zonjës se nëse me të vërtetë donte t’ia kthente, herën tjetër që të shihte dikë që kishte nevojë për ndihmë, ajo mund t’i jepte atij apo asaj ndihmën që i nevojitej dhe, shtoi Bryan: “Mendo për mua.”

Priti derisa zonja ndezi makinën dhe u largua. Kishte qenë një ditë e ftohtë dhe dëshpëruese, por ai ndihej mirë teksa shkonte për në shtëpi, duke humbur nëpër muzg.

Pak kilometra më tutje, zonja pa një kafene të vogël. Hyri për të ngrënë diçka dhe për t’u qetësuar, para se të bënte pjesën e fundit të rrugës për në shtëpi. Ishte një restorant disi i zymtë. Jashtë kishte dy pompa të vjetra karburanti. E gjithë skena ishte e panjohur për të. Kamerierja erdhi dhe solli një peshqir të pastër për të fshirë flokët e lagur. Ajo kishte një buzëqeshje të ëmbël, të cilën edhe lodhja e të qëndruarit në këmbë gjatë gjithë ditës nuk mund ta fshinte. Zonja vuri re se kamerierja ishte gati tetë muajshe shtatzënë, por kurrë nuk lejonte që sforcimi dhe dhimbjet të ndryshonin qëndrimin e saj. Zonja e moshuar pyeti veten se si një njeri, që kishte kaq pak, mund t’i jepte kaq shumë një të huaje. Pastaj iu kujtua Bryani.

Pasi mbaroi së ngrëni, zonja pagoi me një kartëmonedhë njëqind dollarëshe. Kamarierja nxitoi për të marrë kusurin për faturën, por zonja e moshuar kishte dalë shpejt e shpejt nga dera. Kur kamarjerja u kthye, ajo kishte ikur. Dhe kish lënë një shënim në kartëpecetë.

Sytë iu mbushën me lotë, kur pa atë që kish shkruar zonja e moshuar.

“Nuk më detyrohesh asgjë. Kam qenë edhe unë në situatën tënde. Dikush më ndihmoi mua dikur, ashtu siç po të ndihmoj unë ty sot. Nëse vërtet dëshiron të ma kthesh, ja çfarë të bësh: Mos lejo që ky zinxhir dashurie të përfundojë me ty.” 

Nën pecetë kishte edhe katër kartëmonedha të tjera 100-dollarëshe.

Kishte tryeza për të fshirë, enë për të pastruar dhe njerëz për të shërbyer, por kamarjerja e e kaloi edhe atë ditë. 

Në mbrëmje, kur u kthye në shtëpi dhe u shtri në shtrat, po mendonte për paratë dhe atë që kishte shkruar zonja e moshuar. Si mund ta dinte ajo zonjë, se sa shumë kishte nevojë ajo dhe i shoqi?

Me fëmijën që e priste pas një muaji, do të ishte e vështirë…

E dinte sa i shqetësuar ishte i shoqi, i cili po flinte pranë saj. Iu afrua, i dha një puthje të lehtë dhe i pëshpëriti në vesh: “Çdo gjë do të shkojë mirë. Të dua, Bryan Anderson”.

Bota.al

Back to top button