Letersi

“Dashuria është abstrakte”, poezia fantastike e Arben Dukës

“Dashuria është abstrakte” është një ndër poezitë më të bukura të autorit të ndjerë, Arben Duka. Poeti mundohet të na bindë, siç e qartëson dhe në titull, se dashuria është abstrakte dhe nuk ka pse të ketë kuptim. Në fakt, dashuria duhet ndjerë, nuk ka pse t’i jepet një kuptim. Sharl Bodler, poeti simbolist, shprehej se nëse mundohemi t’i japim kuptim gjërave, atyre u humbet vlera. Të njëjtin mesazh mundohet edhe poeti Arben Duka të na e transmetojë me këtë poezi. Ai shprehet se jemi robër të saj dhe se dashuria nuk ka një formulë fikse. Për më tepër, ju ftojmë të lexoni vetë poezinë.

“Dashuria është abstrakte”
Dashurinë, dashurinë,
Asnjeri s’e ka arritur,
Nëpër misteret e saja,
Hyn e del i pastërvitur!

S’e njohim në të vërtetë,
As në prill, e as në maj,
Po dhe pa e njohur fare,
Ne jemi robër të saj!

Dashuria s’ka formula,
Që përmendësh ti mësosh,
Po për të ësht’ vënë vula,
Thjesht duhet të dashurosh!

Dashuria s’njeh logjikë,
Ndryshe dashuri s’do qe,
Është abstrakte edhe pikë,
Ndaj dot se kuptojmë ne!

Dashuria, dashuria,
Jo, nuk ka formula fikse,
Dhe në një zemër që digjet,
S’mund të futesh me zjarrfikëse!

Koha ikën si shigjetë,
Si shigjetë e vetëtimë,
Po ne s’e njohim gjithë jetën,
As veten, as dashurinë!

Back to top button