Shkenca ka arritur të vërtetojë diçka që shumë njerëz tashmë e kishin vënë re: empatinë e qenve. Këto krijesa të mrekullueshme lidhen me emocionet e njerëzve pothuajse menjëherë. Por aftësia e tyre shkon përtej kësaj lidhjeje të mahnitshme, pasi ata tregojnë një dëshirë të sinqertë për të ofruar ngushëllim, për të lehtësuar dhimbjen dhe trishtimin që përjetojmë.
Kushdo që ka një ose më shumë qen e njeh këtë ndjenjë. Ata e kuptojnë menjëherë gëzimin ose hidhërimin tonë dhe reagojnë pa hezitim, duke na lepirë duart, duke na sjellë lodrat e tyre të preferuara ose duke na u ulur pranë për të na dhënë mbështetje.
Një ndihmës i heshtur, por i fuqishëm
Historia e Benjamin Stepp, një veteran i luftës në Irak që vuan nga dhimbje të papritura për shkak të dëmtimeve në tru, është një shembull i mahnitshëm i empatisë së qenve. Qeni i tij besnik, një Labrador me emrin Arleigh, percepton momentet kur dhimbja do të fillojë dhe shkon menjëherë pranë tij për ta qetësuar dhe ndihmuar në lehtësimin e ankthit dhe rregullimin e frymëmarrjes.
Shkencëtarët kanë zbuluar se qentë “ndiejnë” ndryshimet metabolike në trupin e njeriut, të tilla si rënia e nivelit të sheqerit në gjak ose fillimi i një krize epileptike. Por ajo që i bën më të veçantë është gatishmëria për të ndihmuar pa kërkuar asgjë në këmbim.
Empatia primitive e qenve
Shkencëtarët e etologjisë dhe psikologjisë shpjegojnë se empatia e qenve nuk është identike me atë të njerëzve, por mund të përshkruhet si “infektim emocional”, një formë më primitive e empatisë. Ata lexojnë shprehjet tona të fytyrës dhe tonin e zërit dhe reagojnë me sjellje që synojnë të na qetësojnë.
Një lidhje e lashtë mes qenve dhe njerëzve
Lidhja mes qenve dhe njerëzve daton që nga kohët më të hershme. Sipas studiuesit Edward Osborne Wilson, njerëzit që bashkëjetonin me qen kishin më shumë shanse për mbijetesë. Qentë na ndihmonin të gjenim ujë, ushqim dhe të përballonim sfidat e natyrës. Kjo bashkëjetesë përforcoi lidhjen emocionale mes qenve dhe njerëzve.
Madje, është provuar se vetëm duke parë një qen në sy, trupi ynë fillon të prodhojë oksitocinë, hormonin e dashurisë dhe kujdesit. / bota.al