Magazine

Dashuria për veten është shumë pozitive, deri kur bëhet e rrezikshme dhe e pashëndetshme

Nga Maor Moiger

Gjatë Revolucionit Industrial, e gjithë struktura shoqërore dhe ekonomike e shoqërisë ishte planifikuar dhe projektuar me kujdes për t’u siguruar që njerëzit të kuptonin se ata të gjithë po punonin si pjesë e diçkaje më të madhe: familja, puna, shoqëria, vendi.

Megjithatë dekadat e fundit, gjithnjë e më shumë njerëz e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është ta vendosin veten në radhë të parë, të kujdesen dhe ta duan veten, gjë që do t’i ndihmojë ata të duan dhe të kujdesen për të gjithë të tjerët.

Por, para se të kalojmë tek pika kryesore, ia vlen të theksojmë se si sipas vëzhgimeve tona po ashtu edhe sipas disa studimeve shkencore, kjo është një gjë e mirë. Sepse na bën njerëz më të shëndetshëm, më të qëndrueshëm dhe më të ekuilibruar.

Shkrimtarja Shannon Kaiser shkruan në librin e saj “Eksperimenti i dashurisë për veten”: “Pavarësisht nëse dëshironi të bini në peshë, të gjeni punën tuaj të ëndrrave, shpirtin tuaj binjak apo të shlyeni borxhet, gjithçka kthehet tek dashuria për veten dhe pranimi i vetes”.

Pra, nuk është e vështirë të kuptosh rëndësinë e dashurisë për veten në rrugëtimin e dikujt për të përmirësuar jetën e tij dhe të atyre që janë të rëndësishëm për ne. Në teori kjo është diçka e mirë. Megjithatë në praktikë duket se vitet e fundit, dashuria për veten është rritur në përmasa të tilla, saqë disa njerëz duket se janë të fiksuar pas saj. Sot shumë njerëz mendojnë se duhet ta duan veten në çdo situatë, dhe se shoqëria duhet të bëjë të njëjtën gjë, gjithmonë dhe pa kushte.

I vetmuar, i stresuar dhe i frustruar

Revista “TIME” e trajtoi gjerësisht këtë prirje kohët e fundit duke u përpjekur të shpjegojë se përse sot, kur dashuria për veten lavdërohet kaq shumë, njerëzit duket se ndihen më të vetmuar, të stresuar dhe të frustruar se kurrë më parë. Në artikullin në fjalë u cituan studime që tregonin se normat e vetmisë kanë arritur një kulm të paprecedentë vitet e fundit, pjesërisht për shkak të Covid-19, që rriti distancën mes të gjithëve.

Por ai nuk ishte faktori i vetëm. Për shembull, një studim i kryer nga grupi hulumtues Cinga, zbuloi se gati 80 për qind e të rinjve midis moshës 18-24 vjeç ndiheshin të vetmuar. Një studim tjetër i ngjashëm zbuloi se edhe para Covid-it, në vitin 2018, një shumicë (54 për qind) e amerikanëve mendonin se askush nuk i njihte realisht në detaje.

Theksimi i ndarjes në vend të lidhjes

Shumë ekspertë po analizojnë të dhënat e zymta që rrethojnë ndjenjat e vetmisë dhe të huajëzimit në shoqërinë tonë moderne, duke u përpjekur të shpjegojnë pse në një kohë kur të gjithë janë më të hapur për të qenë më të ndjeshëm dhe për të ndarë ndjenjat, njerëzit ndihen kaq shumë të vetmuar.

Një nga këta ekspertë është dr.Den Sigëll, ekspert në psikiatri në Universitetin e Kalifornisë dhe autor i librit “Intraconnected”. Në librin e tij, Sigëll i referohet kulturës bashkëkohore perëndimore si “kultura e ndarjes”. Ai vë në dukje se kultura jonë sot e “e vë më shumë theksin tek ndarja dhe jo lidhja, tek pavarësia në vend të ndërvarësisë, tek individualiteti në vend të identitetit të përbashkët”.

Një shembull tipik vërehet në Instagram, ku burra dhe gra të bukura ndajnë prova fotozhenike të dashurisë së tyre për veten, ndërsa marrin dashuri virtuale nga mijëra ndjekës të rastësishëm, dhe po ashtu reklamojnë produkte dhe shërbime të ndryshme gjatë rrugës.

Në një kulturë ku kjo është e vetmja gjë që duhet të bësh për të siguruar jo vetëm jetesën, por edhe për të marrë dashuri nga njerëzit në internet, ekziston gjithmonë një nevojë e vazhdueshme për ta krahasuar veten me të tjerët, gjë që i bën njerëzit të ndihen sikur nuk janë shumë të mirë.

Për pasojë, ata vuajnë nga vetëbesimi dhe vetëvlerësimi i ulët, të cilat vazhdojnë të bien në nivele të reja të ulëta. Dhe nëse keni menduar se njerëzit që “e bëjnë atë të madh” janë të imunizuar ndaj gjithë kësaj, mund të habiteni (ose edhe jo) kur të zbuloni se edhe në mesin e influencuesve të suksesshëm, këto ndjenja ekzistojnë ende, ndonjëherë edhe me ritme më të larta.

Në një artikull të botuar së fundmi në revistën “Women’s Health”, u zbulua se shumë femra ndikuese të mediave sociale përballen rregullisht me ankthin apo edhe paranojën, depresionin, varësinë dhe vetëbesimin e ulët.

Kur dashuria për veten kthehet në narcisizëm

Por asnjë nga këto dukuri nuk është në fakt diçka e re. Që nga viti 2013, një studim gjithëpërfshirës shqyrtoi mënyrën se si dashuria për veten mund të shndërrohet në një fokusim të tepruar te vetja, diçka që i tensionon marrëdhëniet tona dhe na bën më të vetmuar, më të shqetësuar dhe më të frustruar. Sipas studimeve, të gjitha këto mund të dëmtojnë edhe shëndetin e organizmit tonë duke rritur inflamacionin në trup, dhe duke sjellë rritje të rrezikut të sëmundjeve të zemrës, madje edhe duke rritur mundësinë e vdekjes së parakohshme.

Çfarë mund të bëjmë?

Mos harroni se nga njëra anë, dashuria për veten është një mjet i rëndësishëm dhe i fuqishëm që mund të ketë ndikim të jashtëzakonshëm, për mirë a keq qoftë. Po ashtu, dashuria për veten mund të na ndihmojë të lidhemi më lehtë me të tjerët.

Por nga ana tjetër, ajo mund të na nxitë të zhvillojmë prirje destruktive, narcisiste që do t’i distancojnë edhe më shumë njerëzit nga ne. Jeta është një rrugëtim i pafundmë i përpjekjeve ndonjëherë të suksesshme për të balancuar aspekte të ndryshme të sjelljes sonë.

Dashuria për veten është një aspekt i tillë, ndaj kërkon një ekuilibër të vazhdueshëm. Por kjo nuk do të jetë gjithnjë e lehtë. Ndaj ia vlen të kujtojmë një nga vargjet më të famshme nga Bibla: “Duaje të afërmin tënd ashtu siç do veten!”. Të duash veten është e rëndësishme, dhe të duash të tjerët është po aq e rëndësishme. Jo më shumë, por po aq e rëndësishme. / Jerusalem Post – Bota.al

Back to top button