Histori

Dhjetor 1837, kur Notre Dame ishte Pallati i Dimrit në Shën Petersburg të Rusisë

Nga Paul W.Werth

Në një qytet të stolisur me një arkitekturë të spikatur, katedralja e Notre Dame, mund të jetë ndërtesa më mbresëlënëse e Parisit. Prandaj, kur u pushtua nga zjarri që rrëzoi çatinë e saj, u duk sikur ishte djegur më shumë se një ndërtesë: kombi francez, kishte humbur një pjesë të shpirtit të tij.

Po si mund të reagojë një vend, pasi sheh shkatërrimin e godinës së tij më madhështore? Teksa po shihja pamjet në televizor, mendja më shkoi menjëherë tek një tragjedi e ngjashme, që ndodhi në Rusinë e shekullit XIX-të. Një histori që do e rrëfej në detaje në librim tim të ardhshëm, rreth asaj se si viti 1837 luajti një rol të rëndësishëm në historinë ruse.

Ashtu si francezët që po mbajnë zi për dëmet që pësoi Notre Dame, edhe rusët u tronditën asokohe nga shkatërrimi i një ndërtese ikonë. Përpjekja e tyre për rindërtimin e saj, mund të jetë një frymëzim për popullin francez, që synon të riparojë tërësisht katedralen e tij të dashur.

Një pallat, që simbolizon “gjithçka që është ruse”

Më 17 dhjetor 1837, një zjarr i madh shpërtheu në Pallatin e Dimrit në Shën Petersburg. Sot vendndodhja e Muzeut Kombëtar, shërbente asokohe si shtëpia kryesore e carit dhe familjes së tij. I vendosur në zemër të kryeqytetit rus, me 60.000 metra katrorë hapësirë dhe 1.500 dhoma, Pallati i Dimrit, ishte një ndër ndërtesat më madhështore në botë.

Poeti rus Vasili Zhukovski, shkruante se pallati ishte “përfaqësimi i gjithçkaje ruse, gjithçka që është e jona, gjithçka që lidhet me Atdheun”. I ndërtuar në vitin 1762, pallati i ishte nënshtruar një rikonstruksioni vetëm pak kohë para zjarrit. Historianët nuk janë saktësisht të sigurt se si nisi zjarri, por ata e dinë se defektet e rikonstuksionit, mundësuan përhapjen e shpejtë të flakëve nëpër tavanet e pallatit.

Në mbrëmje, godina ishte plotësisht në flakë, dhe zjarri mund të vërehej nga kilometra larg. I vënë në dijeni mbi atë që po ndodhte kur ishte në Teatrin Balshoi, Cari Nikolla nxitoi të shkonte në pallat, vetëm për të mësuar se godina nuk mund të shpëtohej. Maksimumi që mundi të bënte monarku dhe personeli i tij, ishte të shpëtonin sendet e çmuara, dhe të parandalonin përhapjen e zjarrit në pjesën muzeale, ku mbahej koleksioni i veprave të artit të perandorit.

Deri në mëngjesin e 19 dhjetorit, kur zjarri u shua, nga pallati kishin mbetur vetëm muret, në një kohë që një numër i panjohur njerëzish kishin humbur jetën. Pallati i rrënuar “rezitoi si një luftëtar “ – vuri në dukje një dëshmitar, “i fuqishëm, por i mbushur me plagë, dhe i nxirë nga tymi i asaj beteje të pashembullt”. “Kryeqyteti verior, ka humbur stolinë e saj më të madhe”- u ankua një gazetë lokale.

Një krizë për regjimin

Pallati – një simbol i monarkisë autokratike në epokën e revolucioneve, ishte shndërruar në gërmadhë. A kishte gjasa që shkatërrimi i shpejtë i pallatit, të pasqyronte brishtësinë e rendit carist? Ashtu si me Parisin në vitin 2019, njerëzit shprehën mosbesimin e tyre. Si ishte e mundur që ajo ndërtesë madhështore, një simbol kombëtar, të rrënohej në përmasa të tilla?  Vetë Nikolla ra në depresion. Pati zëra se zjarri ishte një ndëshkim nga Zoti, për zullumet e një epoke shekullarizuese.

Duke pasur frikë se kundërshtarët e Rusisë, do ta cilësonin zjarrin si një hakmarrje ndaj ndikimit negativ të regjimit, aleatët e Nikollës u mobilizuan me shpejtësi për të formësuar narrativën në Rusi dhe jashtë. Ata donin që vendi të shfaqej i bashkuar. Dhe sigurisht që nuk dëshironin që dëshpërimi të bëhej histori.

Dëshmia e parë e plotë mbi zjarrin u shkrua në frëngjisht nga poeti Pjotër Viazemski, dhe u botua në Paris. Një përkthim rus u shfaq dy muaj më vonë. Ai tekst dhe të tjerët, pikturuan një tabllo shumë të idealizuar të reagimit ndaj tragjedisë. Dëshmitë, vinin në dukje se perandori drejtoi aksionin për kontrollin e zjarrit, duke i dorëzuar më në fund me përulësi vullnetit të Zotit.

Ushtarët ishin vetëmohues në zellin e tyre, për të shpëtuar pasurinë e familjes perandorake. Populli rus, duke e parë pallatin si një “trashëgimi kombëtare”, e ndjeu humbjen po aq fort sa edhe Cari. (Një sulm në bodrumin e tij të verës, dhe zhdukja e 215 shisheve me verë, nuk u raportua).

“Zelli triumfon mbi gjithçka”

Për të ndryshuar atmosferën poshtëruese që kishte krijuar zjarri, Car Nikolla i vendosi vetes një synim thuajse të pamundur: rindërtimin e pallatit brenda 15 muajve. Dhe për të fshirë çdo kujtim të zjarrit, ai urdhëroi që pallati të dukej tamam si më parë.

Mijëra punëtorë u angazhuan në një kantier të madh ndërtimi, duke prodhuar ajër të nxehtë nga furrat e mëdha, për të shpejtuar tharjen e brendshme. Herë pas here, të nxitur nga shishet e vodkës, ata siguruan një ecuri të shpejtë të punimeve. Në përvjetorin e parë të zjarrit, pjesë të pallatit të rindërtuar, u ndriçuan nga brenda për të vënë më në dukje progresin.

Dhe në Natën e Pashkëve, më 25 mars 1839, Nikolla festoi ringjalljen jo vetëm të Jezu Krishtit, por të Pallatit të Dimrit. Rreth 200 mijë njerëz e vizituan godinën Ditën e Pashkëve, dhe 6.000 punëtorë morën nga një medalje nderi, që kishte të shkruar fjalët “Zelli triumfon mbi gjithçka”. Gati identik me versionin e vjetër, pallati i ri përmbante më shumë hekur, tulla dhe qeramikë në strukturat e tij, dhe më pak dru. Ai kishte tashmë ngrohje qendrore, dhe ujë të rrjedhshëm. Dhe ishte më pak i ndezshëm se origjinali.

1837 dhe 2019

Nga ajo që dimë deri më tani, Notre Dame nuk ka përjetuar të njëjtin nivel shkatërrimi si Pallati i Dimrit. Falë Zotit, askush nuk vdiq. Ngjarja e rëndë e 15 prillit, nuk shkaktoi humbje kulturore, si ato në zjarrin e vitit të kaluar që shkrumboi Muzeun Kombëtar të Brazilit. Megjithatë, rrezja e dëmeve ka qenë e madhe.

Vetëm koha do të tregojë, se çfarë ka rezervuar për katedralen. Sfidat e rindërtimit të saj janë të mëdha. Por, ashtu si Nikolla edhe presidenti francez Emanuel Makron, ka premtuar një riparim të shpejtë. Miliona euro janë dhuruar tashmë. Dhe në qoftë se “feniksi rus” i vitit 1839, është ndonjë lloj treguesi, ka shpresë se një Notre Dame i rikonstruktuar do të hijeshojë sërish brigjet e Senës.

The Conversation – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button