Magazine

Diktatura e pëlqimeve në rrjete sociale dhe pasojat e saj negative

Në këtë artikull do të flasim për efektet negative të diktaturës së pëlqimeve, një fenomen kaq i përhapur në shoqërinë tonë ku rrjetet sociale janë të kudondodhura

Rrjetet sociale kanë ardhur për të qëndruar. Kjo formë e re e komunikimit ka revolucionarizuar plotësisht mënyrën se si lidhemi me botën. Në disa aspekte, këto platforma online kanë përfaqësuar një evolucion në krahasim me të kaluarën. E megjithatë, disa njerëz po paguajnë një çmim shumë të lartë: fillimin e diktaturës së pëlqimeve.

Problemi është se asnjëherë më parë nuk kemi qenë kaq të varur nga fakti nëse të tjerët na kushtojnë vëmendje apo jo. Me shpërthimin e rrjeteve sociale si Instagram dhe Facebook, është përhapur ideja se kush nuk ka qindra ndjekës, nuk vlen asgjë. Kjo pakënaqësi emocionale është shumë e përhapur dhe prek një pjesë të madhe të popullsisë, duke krijuar kështu diktaturën e pëlqimeve.

Pse rrjetet sociale krijojnë varësi?

Qëniet njerëzore janë kafshë sociale. Një nga instinktet tona bazë është kërkimi i aprovimit. Sipas psikologjisë evolucionare, paraardhësit tanë kishin nevojë për grupin për të mbijetuar. Ata që nuk u bëhej vonë për mënyrën se si i shihnin të tjerët, vdisnin pa lënë pasardhës.

Gjeneratat tona e kanë trashëguar këtë ndjeshmëri nga të parët tanë, të cilët ishin shumë të vëmendshëm ndaj mendimit të grupit. Kemi trashëguar nevojën për të kënaqur të tjerët. Në të kaluarën, kjo shprehej duke krijuar marrëdhënie të mira me fqinjët ose miqtë. Megjithatë, në ditët e sotme, rrjetet sociale e kanë përmbysur këtë paradigmë.

Ajo që kemi sot është një garë e vërtetë për të qenë më popullor në Facebook apo Instagram. Diktatura e pëlqimeve e shkaktuar nga këto platforma na bën të fiksohemi pas idesë se duhet të dukemi më të mirë se të tjerët. Krahasojmë veten me ata që na rrethojnë dhe ndihemi keq nëse shohim se jeta e tyre duket më tërheqëse.

Disa studime të fundit kanë treguar se një pjesë e madhe e popullsisë së re është e varur nga rrjetet sociale. Ky fenomen shpjegohet pjesërisht nga fakti se marrja e një pëlqimi në një foto aktivizon të njëjtat mekanizma shpërblyese në tru si një puthje nga dikush që na pëlqen ose si një kompliment që marrim.

Diktatura e pëlqimeve sjell çrregullime të reja

Truri ynë e percepton realitetin virtual dhe atë real si shumë të ngjashëm, dhe për këtë arsye nuk është gjithmonë në gjendje t’i dallojë qartë. Problemi me varësinë nga vëmendja, të cilën e kemi trashëguar nga interneti, është se të gjithë na duken më interesantë se ne.

Nga natyra e tyre, rrjetet sociale na japin akses në jetën private të njerëzve më të suksesshëm dhe më të famshëm. Më tërheqësit, më të rëndësishmit, më të njohurit. Me pak fjalë, kur dikush bëhet i famshëm në botën virtuale, kjo do të thotë se është dalluar në mënyrë të jashtëzakonshme në një fushë të caktuar.

Problemi është se kur shohim profilin tonë në Instagram apo Facebook, automatikisht e krahasojmë veten me këta njerëz, të cilët janë jashtëzakonisht mbi mesataren. Si rezultat, jeta jonë duket gri dhe e mërzitshme. Ndjejmë presionin për të përjetuar eksperienca të mahnitshme çdo ditë, vetëm për të qenë në lartësinë e tyre.

Ky mekanizëm shkakton një sërë problemesh. Shumë njerëz, për shembull, vuajnë nga FOMO – frika e mbetjes jashtë (Fear of Missing Out). Ky çrregullim na bën të besojmë se të gjithë të tjerët kanë jetë më interesante dhe më argëtuese se e jona.

Të tjerë, nga ana tjetër, përfshihen nga obsesioni për t’u dukur më të suksesshëm se të tjerët. Ata postojnë vazhdimisht foto spektakolare të udhëtimeve të tyre, të mbrëmjeve fantastike me miqtë, apo të aktiviteteve të reja që po provojnë – shpesh duke mos i shijuar realisht ato momente.

Si mund ta kapërcejmë këtë problem?

Janë shumë ata që kanë rënë në kurthin e diktaturës së pëlqimeve. Megjithatë, është e mundur ta përmbysim këtë tendencë të rrezikshme, mjafton të ndjekim disa hapa:

Kuptoni që jeta e të tjerëve nuk është ashtu siç duket në rrjetet sociale. Të gjithë ne postojmë versionin më të mirë të vetes në internet. Megjithatë, pjesa tjetër e ditës është shpesh e mbushur me rutina të zakonshme.

Shkëputuni nga rrjetet sociale. Kalimi i tepërt i kohës në Facebook apo Instagram mund të krijojë varësi. Caktoni çdo ditë një kohë të lirë nga telefonat, kompjuterët dhe pajisjet e tjera elektronike.

Kërkoni miratimin brenda vetes. Shpesh kemi nevojë për konfirmimin e të tjerëve për të ndjerë veten të vlefshëm. Por nëse arrijmë të ndërtojmë vetëvlerësimin tonë pa u ndikuar nga të tjerët, diktatura e pëlqimeve do të humbasë fuqinë mbi ne.

Siç është normale, procesi i çlirimit nga varësia ndaj rrjeteve sociale është i gjatë dhe plot sfida. Por rikthimi i besimit në veten tuaj mbetet një nga hapat më të rëndësishëm që mund të ndërmerrni. / bota.al

Back to top button