Agjencia Qendrore e Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara ka pasur urdhëzime të qarta sa i përket “trajtimit njerëzor” para, gjatë dhe pas sulmeve të 11 shtatorit.
Por, sipas një shkrimi të britanikes “The Guardian”, këto udhëzime nuk janë respektuar ndaj të burgosurve për terrorizëm, të cilët janë torturuar edhe duke u bërë subjekt i kërkimeve mjekësore.
Ekzistenca e këtyre udhëzimeve, shkruan “The Guardian”, vë në dyshim limitet e mbikëqyrjes së brendshme të operacioneve të agjencisë për kërkimet mjekësore, të realizuara nga vetë ajo apo kompani të kontraktuara. Seksione të një dokumenti të klasifikuar të CIA-s, i bërë publik nga gazeta, i japin pushtet drejtorit që të aprovojë, modifikojë, apo refuzojë të gjitha propozimet që bëhen në lidhje me njerëzit që bëhen subjekt i kërkimeve mjekësore, transmeton T.CH.
Liria e veprimit i mundëson drejtorit, që kurrë në historinë e agjencisë nuk ka qenë doktor, influencë të fuqishme për kufizimin e enteve qeveritare amerikane që të kujdesen për sigurinë dhe trajtimin njerëzor e etik të personave. George Tenet, në kohën kur ishte drejtor, aprovoi teknikat abuzive të marrjes në pyetje të të dyshuarve, të hartuara nga një psikolog i kontraktuar nga CIA.
Më vonë, ai udhëzoi personelin shëndetësor të agjencisë që të mbikëqyrte metodat brutale të marrjes në pyetje, vendim ky që çoi në përplasje institucionale që zgjatën prej vitesh dhe që vazhdojnë edhe sot, mbi torturat që konsiderohen se kanë shkelur etikën mjekësore. Zbulimi i udhëzimeve ka shkaktuar një seri kritikash që vënë në dyshim metodën se si agjencia ka implementuar atë që e quan “teknikat e zgjeruara të marrjes në pyetje”, pavarësisht se në pamje të parë ekzistojnë rregulla që ndalojnë kryerjen e kërkimeve ndaj subjekteve njerëzore pa konsensusin e tyre. Aktivistë të të drejtave njerëzore dhe ekspertë të inteligjencës kanë konfirmuar për “The Guardian” se rregullat e agjencisë janë të qarta sa i takon përgjegjësive mbi praktikat mjekësore. Por, mesa duket, CIA redaktoi një nga katër nënseksionet sa i takon eksperimenteve me njerëzit.