Kalimi nga vera në vjeshtë dhe frika nga përhapja e variantit “Delta” të SARS-CoV-2 kanë sjellë debatin mbi administrimin e një vaksine të tretë kundër për SARS-CoV-2. Vende të tilla si Izraeli, Gjermania, Franca, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe Rusia tashmë kanë filluar ose do të fillojnë të japin një dozë të tretë përforcuese për njerëzit e vaksinuar.
Mjekët e klinikës terapeutike të shkollës mjekësore të Universitetit Kombëtar të Athinës, Theodora Psaltopoulou, Giannis Danasis, Panos Malandrakis dhe Thanos Dimopoulos në një botim në revistën prestigjioze shkencore “Nature”, shtrojnë dhe u përgjigjen pesë pyetjeve për dozën përforcuese të vaksinës kundër SARS-CoV-2.
1.Cili është përfitimi i dhënies së një doze shtesë të vaksinës SARS-CoV-2?
Administrimi i një doze të tretë për ata që tashmë janë vaksinuar mund të rezultojë në një përgjigje imune më të shpejtë dhe më të fortë ndaj SARS-CoV-2. Rezultatet e studimeve që konfirmojnë pikërisht këtë kanë filluar dhe po publikohen. Dozat e treta të vaksinave të zhvilluara nga Moderna, Pfizer-BioNTech, Oxford-AstraZeneca dhe Sinovac çuan në një rritje të niveleve të antitrupave “neutralizues” që luftojnë SARS-CoV-2 kur u dhanë disa muaj pas dozës së dytë.
2.A po bie imuniteti ndaj vaksinave?
Nga të dhënat e disponueshme për imunitetin pas vaksinimit ndaj SARS-CoV-2 ne dimë që nivelet e antitrupave pas vaksinimit zvogëlohen me kalimin e kohës.
3.A e parandalon vaksina infeksionin COVID-19 edhe pas disa muajsh?
Sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, një vend me një nga nivelet më të larta të mbulimit të vaksinimit në botë, të dhënat e përafërta tregojnë një rënie të mbrojtjes së siguruar nga vaksina nga mbi 90% në fillim të programit të vaksinimit në më pak se 50% në fund të qershorit. Kjo mund të jetë për shkak të mbizotërimit të llojit Delta dhe heqjes së masave kufizuese për të parandaluar transmetimin e SARS-CoV-2.
Një analizë tjetër në Izrael ata që janë vaksinuar në janar dhe shkurt 2021 kishin 51% më shumë gjasa të infektoheshin me SARS-CoV-2 sesa ata të vaksinuar në mars dhe prill 2021. Të dhënat nga provat klinike të rastësishme tregojnë se efektiviteti i vaksinës Pfizer-BioNTech ka rënë nga 96% në 84% pas gjashtë muajsh. Të dhënat përkatëse për vaksinën Moderna tregojnë se efektiviteti i vaksinës është zvogëluar në “mbi 90%” nga “mbi 94%” që ishte.
4.A mbrojnë vaksinat kundër infeksionit të rëndë COVID-19?
Të dhënat e provave klinike tregojnë se mbrojtja kundër sëmundjes së rëndë COVID-19 mbetet e lartë. Vaksinat mRNA tregojnë efikasitet të vazhdueshëm në infeksionin e rëndë COVID-19 në nivele mbi 90% në gjashtë muaj pas vaksinimit. Për më tepër, të dhënat nga Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar tregojnë gjithashtu se vaksinat janë jashtëzakonisht efektive.
5.Cilët faktorë të tjerë mund të ndikojnë në vendimin për të administruar doza përforcuese të vaksinës COVID-19?
Ardhja e valës së re të pandemisë me përhapjen e llojit “Delta” në shumë vende të botës bën presion shtesë. Përkundër të dhënave të kufizuara në dispozicion, rregullatorët kanë më shumë gjasa të veprojnë në rolin e parandalimit dhe të miratojnë doza përforcuese të vaksinave, të paktën për njerëzit në rrezik të lartë për COVID-19, duke pasur parasysh që rreziku i efekteve anësore nga vaksinimi vazhdon të jetë i vogël dhe i menaxhueshëm.(ABC News)