AnalizaMAIN

Epoka e re, në të cilën armët bërthamore do të luajnë një rol më të madh

Nga Richard Haass

Armët bërthamore kanë qenë një faktor thelbësor në marrëdhëniet ndërkombëtare që nga gushti i vitit 1945, kur Shtetet e Bashkuara hodhën dy prej tyre mbi Japoni për të përshpejtuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Asnjë armë e tillë nuk është përdorur që nga ajo kohë, dhe ndoshta kjo gjë ndihmoi në mbajtjen e “ftohtë“ të Luftës së Ftohtë, duke imponuar një shkallë të lartë të kujdesit në të dy anët e konfrontimit midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.

Për më tepër, negociatat mbi kontrollin e armëve të tilla, patën sukses në kufizimin e arsenalit bërthamor të dyja vendeve, dhe ndalën ose ngadalësuan përhapjen e tyre. Sot, vetëm 7 vende të tjera (Britania e Madhe, Franca, Kina, Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut) zotërojnë armë bërthamore.

Tani pyetja është nëse jemi në pragun e një epoke të re të zgjerimit të arsenaleve bërthamore, të një roli më të spikatur të tyre në gjeopolitikë, dhe të përpjekjeve të më shumë vendeve për t’i blerë ato. Rrezikut i shtohet ndjenja se tabuja bërthamore kundër zotërimit apo edhe përdorimit të armëve bërthamore po zbehet ndjeshëm, për shkak të kalimit të kohës dhe shfaqjes së një gjenerate të re të së ashtuquajturave armë bërthamore taktike, që nënkuptojnë pasoja më pak katastrofike dhe që për këtë arsye mund të duken si më të përdorshme.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e ka bërë më të mundshme ardhjen e kësaj epoke të re. Dhe kjo në disa mënyra. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Ukraina ia dorëzoi  Rusisë armët bërthamore që mbetën në territorin e saj në këmbim të garancive të sigurisë. Që nga ajo kohë, Rusia e ka pushtuar dy herë, një fakt që mund të bindë të tjerët se heqja dorë nga armët bërthamore e vë në rrezik sigurinë e një vendi.

Më pas, në vazhdën e pushtimit të dytë të Rusisë në fillim të këtij viti, SHBA-ja përjashtoi  përfshirjen e drejtpërdrejtë ushtarake në krah të Ukrainës, për shkak të shqetësimit se dërgimi i trupave amerikane në terren, apo krijimi i një zone ndalim-fluturimi mund të çojë në shpërthimin e një Luftë të Tretë Botërore që do të jetë me siguri bërthamore.

Kina dhe vendet e tjera, mund ta shohin këtë si një dëshmi të qartë se zotërimi i një arsenali të madh bërthamor që mund të pengojë SHBA-në, ose të paktën ta nxisë atë të veprojë me një vetëpërmbajtje më të madhe. Pas dështimeve serioze në fushën e betejës, presidenti rus Vladimir Putin ka  kërcënuar se do të përdorë armët bërthamore brenda ose afër Ukrainës, në një përpjekje për të frikësuar ukrainasit, dhe për t’i detyruar qeveritë evropiane dhe SHBA-në që të rimendojnë mbështetjen e tyre për këtë vend.

Edhe zhvillimet diku tjetër kanë ndikuar për rimendimin e vlerës së armëve bërthamore. Regjimet dhe udhëheqësit në Irak dhe Libi u rrëzuan, pasi braktisën programet e tyre të armëve bërthamore, dhe kjo mund t’i shtyjë të tjerët të marrin në konsideratë avantazhet e mbajtjes apo zhvillimit të aftësive bërthamore.

Nga ana e saj Koreja e Veriut, qëndron e qetë pasi po vazhdon ta zgjerojë arsenalin e saj bërthamor. Po ashtu bota ka mësuar të jetojë me arsenalet bërthamore izraelite, indiane dhe pakistaneze. Ekziston rreziku që më shumë armë bërthamore nga më shumë vende, të rrisin shanset e përdorimit të një ose më shumë nga këto armë me një forcë shkatërruese të paimagjinueshme.

Dhe ne nuk mund ta marrin të mirëqenë se mbi to do të ketë një kujdes të përgjegjshëm. Ndërkohë zotërimi i armëve bërthamore ka po ashtu potencialin për të siguruar një lloj mburoje, që mund ta bëjë më të zakonshëm agresionin jo-bërthamor.

Madje edhe vetëm besimi se një vend po shkon drejt prodhimit të armëve bërthamore, mund të shkaktojë veprime ushtarake nga fqinjët e shqetësuar, duke çuar ndoshta në një konflikt më të madh. Duke pasur parasysh këto rreziqe, detyra më emergjente është të mos biem pre e kërcënimeve bërthamore të Putinit, pasi kjo mund të krijojë një precedent të rrezikshëm. Dhe kjo qasje kërkon ruajtjen e mbështetjes ushtarake dhe ekonomike perëndimore për Ukrainën, si dhe rikujtimin e rregullit ndaj Rusisë nga SHBA dhe aleatët e saj, se pasojat e çdo përdorimi bërthamor të armëve bërthamore, si për forcat ushtarake ruse në Ukrainë, po ashtu edhe për këdo që është përfshirë në këtë vendim, do të jenë shumë më të mëdha sesa çdo përfitim i perceptuar.

Njëkohësisht, dhe sigurisht para fillimit të vitit 2026, kur skadon traktati NEW START që kufizon arsenalet e dy fuqive të mëdha bërthamore, SHBA duhet t’ia bëjë të qartë Rusisë gatishmërinë e saj për të diskutuar fazën tjetër të kontrollit të armëve bërthamore. Axhendaduhet të përfshijë numrin dhe llojet e sistemeve të armëve që do të kufizohen, por edhe përfshirjen e Kinës.

Së bashku me partnerët e saj në rajon, SHBA duhet gjithashtu të ndërmarrë hapa – diplomatikë ose ushtarakë nëse është e nevojshme – për t’u siguruar që Irani të mos prodhojë armë bërthamore dhe as të afrohet aq shumë sa të mund ta arrijë këtë gjë.

Në rastin e dështimit në këtë aspekt, një ose më shumë nga fqinjët e Iranit mund të vendosin se kanë nevojë për armët e tyre bërthamore. Një skenar i tillë do ta çonte në një drejtim edhe më të rrezikshëm Lindjen e Mesme, që për 3 dekadat e fundit ka qenë rajoni më pak i qëndrueshëm në botë.

Rigjallërimi i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, që Irani arriti me fuqitë botërore (dhe nga e cila SHBA u tërhoq në vitin 2018) do të ndihmonte vetëm përkohësisht, pasi pakti përmban disa të ashtuquajtura klauzola kufizuese.

Por ajo duket si një kosto shumë e lartë për t’u paguar, pasi do t’i jepte mundësi Iranit t’i jepte fund disa prej sanksioneve më të  rëndësishme. Dhe në ato kushte regjimi mund të ndjekë një politikë të jashtme edhe më agresive, dhe të garantojë një kamerdare shpëtimi pikërisht në momentin kur po forcohet opozita e brendshme ndaj tij.

Disa shqetësime të tjera janë në Azi. Përpjekjet për të shkëputur Korenë e Veriut nga armët e saj bërthamore nuk po shkojnë gjëkundi. De-nuklearizimi i plotë duhet të mbetet një synim, por ndërkohë SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia duhet të marrin në konsideratë edhe një formë propozimi për kontrollin e armëve, e cila do të kufizonte arsenalin bërthamor dhe sistemet raketore të Koresë së Veriut, kjo në këmbim të reduktimit të sanksioneve.

Po ashtu, SHBA duhet gjithashtu të ruajë aleancën e saj të ngushtë me Korenë e Jugut dhe Japoninë përkundrejt jo vetëm Koresë së Veriut, por edhe Kinës. Dështimi për ta bërë këtë do t’i bënte me shumë gjasa që të dyja këto të fundit të rishqyrtojnë mundësinë e heqjes dorë nga armët bërthamore.

Për një kohë të gjatë, shumë studiues dhe politikë-bërës kanë vepruar nën iluzionin se problemi bërthamor ishte një relike e Luftës së Ftohtë. Në fakt, bota po i afrohet një epoke, e cila mund të përkufizohet edhe më qartë nga armët bërthamore. Ndryshimi i kursit është i domosdoshëm dhe koha për këtë po mbaron. / Council on Foreign Relations” – Bota.al

Back to top button