Facebook së fundmi ka paralajmëruar përdoruesit e tij se do i mbylli llogaritë e tyre në këtë aplikacion nëse ata nuk ngarkojnë një foto ‘të qartë’ të fytyrës së tyre. Sistemi i ri i verifikimit të identitetit është përpjekja më e fundit e rrjetit social për të frenuar përhapjen e “bots” artificialisht inteligjente, aplikacionet softuerike që kryejnë detyra të automatizuara në internet.
Facebook është i shqetësuar për përhapjen e bots, pasi ata janë të lidhur me përhapjen e të ashtuquajturave ‘Fake News’ dhe propagandës përpara zgjedhjeve në SHBA dhe referendumit të BE-së. Sistemi i ri kërkon që përdoruesit të ngarkojnë një fotografi të vetes që tregon qartë fytyrën e tyre, për të provuar se janë ata në të vërtet pas adresës së tyre duke shmangur kështu adresat fallco.
Testi i fotos ka për qëllim të ndihmojë Facebook “të kapë aktivitetin e dyshimtë në pika të ndryshme të ndërveprimit në vend”, tha një zëdhënës i kompanisë për revistën Wired. Ai nuk pranoi të ndante detajet se si funksionon procesi i verifikimit, për të parandaluar manipulimin e sistemit, por tha se kjo gjë do i ndihmonte shumë pasi fotoja do jetë unike.
Pasi të jetë kontrolluar fotografia, adresa përkatëse do të fshihet përgjithmonë nga serverët e Facebook-ut.
Facebook la të kuptohet se testi i fotos do të përdoret vetëm kur “aktiviteti i dyshimtë” zbulohet në sistem, për shembull, kur dikush që zakonisht poston nga Nju Jork papritmas fillon postimin nga Rusia./Bota.al