EkonomiMAIN

Fundi i krizës energjetike në Evropë është në horizont

Nga Chris Giless

Të hënën çmimi i shitjes me shumicë të gazit natyror evropian rezultoi të ishte në norma negative. Për një orë, furnitorët ishin të gatshëm t’i shisnin për vetëm 16 euro cilitdo që donte të blinte një megavatorë (MWh) gaz, rreth ekuivalenti i konsumit mesatar mujor të një familjeje në Britaninë e Madhe.

Ajo përbënte një kthesë të jashtëzakonshme për një treg, që në fund të gushtin shënoi çmime rekord prej mbi 300 euro MWh. Sigurisht në atë çmim ndikuan disa faktorë të veçantë. Edhe pse çmimi negativ u regjistrua në bursën kryesore të gazit në Holandë, ai nuk u pa kudo në të gjithë kontinentin.

Oferta zgjati për vetëm 1 orë, dhe tani dominon çmimi më standard prej rreth 50 eurosh për MWh. Dhe kjo ndodhi sepse furnizimet me gaz natyror të lëngshëm vazhdojnë të mbërrijnë në Evropë edhe në një kohë kur depozitat e magazinimit janë plot.

Por është e rëndësishme të mos shpërqendroheni shumë nga këto paralajmërime. Të gjitha çmimet evropiane të gazit kanë rënë që kur Vladimir Putin vendosi të ndalë furnizimin me gaz të kontinentit përmes gazsjellësit “Nord Stream 1” në fund të gushtit.

Çmimet e ditës janë të ngjashme me normën për orë prej 50 euro për MWh, çmimet e muajit për nëntorin janë 100 euro për MWh, më pak se një e treta e pikut, dhe çmimet e ardhshme për nëntorin e vitit 2023 parashikohet të jenë gjithashtu në rënie nga pothuajse 300 në rreth 140 euro për MWh.

Është e vetëkuptueshme që rënia e kostos së gazit nuk ishte as qëllimi i Putinit, dhe as pritshmëria e ekspertëve dhe udhëheqësve në Perëndim, kur presidenti rus përdori si një mjet shantazhi furnizimet evropiane me gaz gjatë verës që kaloi.

Në atë kohë, ekspertët e sektorit prisnin që çmimet e shitjes me shumicë të rriteshin, dhe industria ishte shumë shqetësuar. Liderja e industrisë gjermane, BDI, paralajmëroi një “recesion të madh”.

Ishin ekonomistët ata që iu afruan më shumë së vërtetës. Sipas tyre njerëzit dhe industritë priren të reagojnë ndaj stimujve të çmimeve, ndaj ata parashikuan se konsumi kishte gjasa të binte. Rrethanat ekonomike do të jenë ende të vështira në të gjithë Evropën këtë dimër, por kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur.

Industria e prodhimit të amoniakut për plehrat kimike, që kërkon shumë gaz, pushoi së funksionuari disa ditë më parë, dhe kimikati kryesor importohet tani nga SHBA-ja. Ndërkohë për të zëvendësuar gazin në prodhimin e energjisë elektrike, janë përdorur qymyri i ndotur dhe burimet e pastra të rinovueshme.

Një analizë nga kompania konsulenteEmber”, ka zbuluar se midis marsit dhe shtatorit ka pasur një rritje rekord të prodhimit e energjisë elektrike nga dielli dhe nga era në të gjithë BE-në. Por më mbresëlënëse nga të gjitha ka qenë ulja e konsumit të gazit, si nga konsumatorët industrialë po ashtu edhe nga ata vendas, dhe kjo jo vetëm për shkak të motit të ngrohtë.

Javët e fundit, përdorimi industrial i gazit në Gjermani ka qenë rreth 20-25 për qind më i ulët se një vit më parë. Edhe konsumi i gazit nga familjet gjermane është reduktuar në sasi të ngjashme, ndërsa familjet po rezistojnë për të parë se sa larg mund të vazhdojnë pa ndezur ende ngrohësit.

Është e vërtetë që pikëpamja dominuese në sektorin e energjisë, është se megjithëse këtë dimër do të ketë shumë gaz për të shmangur mungesat dhe ndërprerjet e energjisë, shqetësimi i vërtetë është dimri i ardhshëm, pasi depozitat e gazit nuk do të rimbushen dot verën e ardhshme pa furnizimin që vinte zakonisht nga Rusia.

Nuk ndodh shpesh që unë të jap lajme të mira, por gjykoj se këta parashikues ka të ngjarë të jenë më shumë pesimistë sesa duhet. Sinjali që dha ulja e ndjeshme e çmimit do të inkurajojë më shumë investime në terminalet e gazit natyror të lëngshëm dhe në rrjetet ndërlidhëse në të gjithë Evropën për të krijuar një treg të përbashkët të gazit.

Por më e rëndësishmja, çmimet më të larta do të ulin kërkesën për gaz, dhe do të inkurajojnë zhvillimin dhe përdorimin e mjeteve të tjera të prodhimit të energjisë elektrike. Askush nuk duhet të ndihet i kënaqur pse po paguan më shumë për energjinë këtë dimër. Por sinjali që dha çmimi i së hënës e ka bërë punën e tij. Ai e ka detyruar Evropën t’i përshtatet rrethanave të reja. Në këtë aspekt, ekonomitë e përparuara kapitaliste janë tejet të suksesshme. / Financial Times” – Bota.al

Back to top button