Histori

Gjashtë festimet pagane që përdoreshin dikur për të pritur ardhjen e Pranverës

Pas një dimri të gjatë e të ftohtë, nuk ka asgjë më të bukur se të shohësh lulet e para të Pranverës që të ngazëllejnë shpirtin. Vështirësitë e muajve të shkuar, zhduken nën tingujt e këngëve të shpendëve dhe në premtimin e kohëve më të ngrohta që janë duke ardhur.

Nëse kjo stinë na bën sot që të ndihemi kështu, imagjinoni pak se si duhet të ketë qenë mijëra vjet më parë, përpara shpikjes së ngrohjes qendrore. Është e lehtë të kuptohet arsyeja pse qytetërimet e lashta pagane adhuronin Perëndi të lidhura me stinët dhe mbanin festivale të mëdha për të shënuar largimin apo mbërritjen e tyre.

Sigurisht, sot festa jonë më e famshme e pranverës janë Pashkët, një periudhë kur i mbushim karrocat tona me lepurusha pelushi të shoqëruara me çokollatë dhe simite të ngrohta, teksamarrim pjesë në “gjuetinë” e vezëve të Pashkëve. Ndërsa Pashka është një festë e krishterë, që përkujton ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit të tij, shumë nga temat e Pashkëve ikanë rrënjët tek traditat pagane. Ja cilat ishin disa nga festat, përmes së cilave paganët e lashtë kremtonin ardhjen e Pranverës.

1. Imbolc

Zhvillimi i shumë qytetërimeve të lashta, varej nga një mori faktorësh. Por një nga më të rëndësishmit ishte suksesi i të korrave çdo vit. Ato ishin jetike për të mbajtur popullsinë. Nëse dështonin të korrat, atëherë të gjithë do të përballeshin me kohë të vështira.

Në ditën e parë të shkurtit, keltët e lashtë të Irlandës dhe Britanisë kremtonin një festë të quajtur Imbolc. Ajo zgjaste deri në perëndim të diellit më 2 shkurt, dhe festoi gjysmën e rrugës midis solsticit të dimrit dhe ekuinoksit pranveror në hemisferën veriore. Imbolcpërfaqësonte ardhjen e Pranverës dhe në qendër të festimeve ishte perëndesha Brigid, një nga më të fuqishmit nga të gjithë perënditë kelte.

E lidhur me pjellorinë, lindjen, zjarrin, poezinë dhe shërimin, keltët e lashtë e nderonin gjatë Imbolc duke ngritur gosti dhe ndezur zjarre. Duke nderuar Brigid, synimi kryesor i festivalit ishte të kishte një sezon bujqësor produktiv në muajt e ardhshëm.

2. Lupercalia

Shumë historianë besojnë se duhet të falënderojmë romakët për Ditën e Shën Valentinit, sepse besohet se ai e ka origjinën nga festivali pagan romak i quajtur Lupercalia. I kremtuar çdo vit më 15 shkurt, festivali kryesor mbahej për nder të perëndive Faunus dhe Lupercus, perënditë e bujqësisë dhe pjellorisë.

Po ashtu gjatë tij nderoheshin Romuli dhe Remi, themeluesit mitologjikë të Romës.

Veprimtaria kishte të bënte me shëndetin, pjellorinë, pastrimin dhe mbrojtjen nga sëmundjet, korrjet e këqija dhe luftën; dhe tema të tjera sinonime me ritualet pagane të pranverës. Ritet në këtë festë, përfshinin flijimin e kafshëve, raportet seksuale rastësore dhe goditjen me kamxhik të grave … pra jo edhe aq Ditën e Shën Valentinit siç e njohim ne sot.

3. Anthesteria

E mbajtur për nder të Dionisit – perëndisë së lashtë greke të Verës, Festës dhe Pjellorisë – Anthesteria ishte një festë athinase që festonte fillimin e Pranverës. Duke zgjatur 3 ditë, festimet nisnin në fund të shkurtit dhe vazhdonin deri në fillim të marsit sipas kalendarit tonë.

Në festë pihej vera e vitit të kaluar, organizoheshin festa në të gjithë qytetin. Kënaqësia arrinte kulmin me garat e pijeve, ku mund të merrnin pjesë edhe skllevërit dhe fëmijët. Ashtu si festat e tjera pagane, kufiri midis botës sonë dhe mbretërisë shpirtërore bëhej shumë i hollë. Athinasit e lashtë besonin se shpirtrat e të vdekurve ngriheshin gjatë Anthesteria dhe ecnin midis të gjallëve. Këtyre të fundit u bëheshin ofertat, ndërsa njerëzit e gjallë u luteshin që ata t’i mbronin nga e keqja.

4. Floralia

E themeluar rreth vitit 250 Para Krishtit, festivali i Floralias ishte një nga më të rëndësishmet dhe më të njohurit në kalendarin romak. Duke filluar nga fundi i prillit dhe duke zgjatur për 5-6 ditë, festivali mbahej për nder të perëndeshës Flora, hyjnisë romake të luleve, pjellorisë dhe pranverës.

Festimet përfshinin vallëzimin, mbledhjen e luleve dhe veshjen e rrobave me ngjyra të ndezura. Po ashtu zhvilloheshin lojëra publike. Festivali shihej si një mundësi që populli i Romës t’i jepte lamtumirën vështirësive të dimrit, dhe të mblidhej për të festuar gëzimin e ardhjes së Pranverës.

5. Eostre

Eostre (ose Ostara në paganizmin gjermanik), ishte perëndesha anglo-saksone e Pranverës, Agimit dhe Rilindjes. Në nderim të saj kremtohej një festë e ekuinoksit pranveror. Besohet se nga ajo buron edhe fjala “Pashkë”. Sepse muaji i veçantë i Eostre ishte prilli, dhe si keltët e lashtë ashtu edhe anglo-saksonët e adhuruan atë gjatë kësaj kohe, me shpresën se ajo do të sillte një verë të begatë për të gjithë.

Pas largimit të netëve të gjata e të ftohta të dimrit, anglo-saksonët i gëzoheshin ardhjes së ditëve më të gjata e më të ndritshme të pranverës, dhe prisnin me padurim bollëkun e muajve të ardhshëm. Lidhja e ngushtë e Eostre me lepujt, besohet nga disa të jetë origjina e historisë së lepurit të Pashkëve. Edhe simitet e nxehta në formë kryqi, mund ta kenë origjinën nga adhurimi anglo-sakson i Eostre, pasi ato i ofroheshin hyjnisë si një dhuratë. Katër ndarjet në simite përfaqësonin 4 stinët, por edhe4 fazat kryesore të Hënës.

6. Beltane

E festuar tradicionalisht në gjysmën e kohës midis ekuinoksit pranveror dhe solsticit të verës në Hemisferën Veriore, Beltane festonte ardhjen e pranverës në kulmin e saj dhe nënkuptonte mbërritjen e verës. Paganët e lashtë ndiznin zjarre dhe i futnin bagëtitë e tyre midis tyre, me shpresën për të siguruar mbrojtje hyjnore për to, përpara se ato të çoheshin në kullotat e tyre verore.

Zjarret e ndezura ishin pjesa qendrore e festimeve, pasi ato përfaqësonin burime të mëdha pastrimi. Paganët e lashtë kërcenin rreth tyre, bënin gosti dhe u bënin oferta Perëndive. Mund të ketë pasur edhe sakrifica njerëzore dhe praktika për të qetësuar Zanat e djallëzuara. / History – Bota.al

Back to top button