Nga Sergej Radccenko
“Foreign Affairs”
Presidenti rus Vladimir Putin e ka humbur lidhjen me realitetin. Ai ka shpallur një mobilizim të pjesshëm ushtarak për të rimarrë veten nga humbjet që ka pësuar në Ukrainë dhe duke treguar qartë dëshpërimin e tij, i ka shtuar kërcënimet bërthamore ndaj Perëndimit.
Çdo ditë që vazhdon lufta, vendi i tij po bëhet akoma më i izoluar nga pjesa tjetër e botës. Rusia po varet gjithnjë e më shumë nga Kina për të shmangur kolapsin e ekonomisë si pasojë e sanksioneve, edhe pse udhëheqësit kinezë kanë shprehur hapur dyshime mbi pushtimin e Ukrainës.
Dështimi i Rusisë për të pushtuar Kievin, dhe tërheqjet e ditëvë të fundit të trupave ruse në rajonin Kharkiv në Ukrainën lindore, kanë bërë që edhe analistët pro-Putin të nisin të vënë në dyshim vendimet e tij. Nën këtë sfond, është logjike që shumë rusë kanë filluar të pyesin se sa gjatë mund të qëndrojë Putin në pushtet dhe ta vazhdojë luftën e tij barbare. Një pjesë e vogël e këshilltarëve bashkiakë i kërkuan me guxim Putinit që të jepte dorëheqjen. Ata shprehën publikisht atë që shumë njerëz në elitën politike ruse po e mendojnë privatisht. Me sa duket, duhet që dikush në sallat e errëta të Kremlinit të vendosë se Putin duhet të largohet.
Por edhe nëse deputetët e Putinit arrijnë në përfundimin se shefi i tyre duhet të ikë, largimi i tij nga pushteti do të jetë i vështirë. Moska nuk ka përjetuar asnjë përpjekje për grusht shteti, të suksesshëm apo të pasuksesshëm, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Nuk ka pasur as komplote serioze, të paktën për aq sa dihet publikisht.
Përplasja e ish-presidentit rus Boris Yelstin me Sovjetin Suprem në vitin 1993 – që përfundoi vetëm pasi tanket ruse qëlluan mbi godinën e parlamentit – është gjëja më e afërt që ky vend ka përjetuar me skenarin e një grushti shteti. Dhe ajo klasifikohet më shumë si një përplasje publike midis një organi ekzekutiv dhe atij legjislativ.
Megjithatë Rusia e Jelcinit, ishte relativisht e hapur dhe demokratike, dhe lejonte një shkallë të shprehjes së mendimit ndryshe. Në kushtet kur Putin godet fort që në gjenezë çdo lloj disidence, dhe po e çon Rusinë drejt një autoritarizmi gjithnjë e më të zymtë, historia e Bashkimit Sovjetik ofron një krahasim më të përshtatshëm me të tashmen.
Por edhe të dhëna më të mira rreth asaj që mund ta bënte të suksesshëm apo të dështuar një grusht shteti sot në Moskë. Edhe kjo histori nuk është shumë inkurajuese, por disi më e përzier. Zyrtarët e lartë sovjetikë u organizuan me sukses për të rrëzuar Nikita Khrushchev.
Të tjerët e morën pushtetin në momente të rralla, kur vendit i mungonte një drejtes shteti i qartë. Zakonisht këta zyrtarë nuk kishin ndonjë ideologji apo parime politike të caktuara, por vetëm ambicie të forta personale. Suksesi varej kryesisht nga koha dhe forca: lëvizja e shpejtë dhe agresive kur udhëheqësi aktual shfaqi dobësi.
Në rastin e Putinit, nuk mungojnë uzurpatorët e mundshëm. Njerëzit pranë presidentit janë një tufë laramane. Ata u zgjodhën pranë tij për besnikërinë e tyre të padiskutueshme. Por në një mjedis shumë të pabesë besnikëria është një koncept relativ. Asnjë prej tyre nuk mund t’i besojë plotësisht Putinit.
Asnjëri prej tyre nuk ka luksin t’i besojë njëri-tjetrit. Dhe nëse do të nisin të komplotojnë një grusht shteti, ka të ngjarë të duan të vënë në dukje kontrastin midis tyre dhe Putinit, ndoshta duke përmendur dështimet e tij në Ukrainë. Edhe nëse vijnë në pushtet pas vdekjes së Putinit, ata mund të hartojnë një kurs të ri që e largon Rusinë nga imperializmi.
Në Bashkimin Sovjetik, grushtet e shtetit ishin të rralla. Për shembull marrin rastin e Stalinit, një diktator brutal që shfarosi për gati 3 dekada miliona njerëz, përfshirë qindra mijëra zyrtarë të Partisë Komuniste. Nga 139 anëtarët dhe kandidatë për anëtar të Komitetit Qendror të Bashkimit Sovjetik të zgjedhur në Kongresin e Partisë të vitit 1934, 98 u arrestuan më vonë dhe u pushkatuan me urdhër të Stalinit.
Autokrati hakmarrës dhe paranojak vuri në shënjestër shokët e tij më të afërt, duke i poshtëruar ose duke i vënë kundër njëri-tjetrit. Në retrospektivë, duket i e paimagjinueshme që elita e partisë sovjetike ta toleronte tiranin gjakatar. E megjithatë kështu ndodhi.
Ndoshta pjesërisht për shkak të njohjes së arritjeve të Stalinit si një revolucionar veteran dhe si një udhëheqës lufte. Por sigurisht edhe për shkak të frikës për jetën e tyre. Qëndrimi i tij në pushtet ishte i rrezikshëm, por planifikimi i një grushti shteti ishte diçka edhe më e rrezikshme.
Dështimi do të nënkuptonte vdekjen e sigurt të komplotistëve. Kur vdiq Stalini, pasoi një luftë për pushtet, e cila solli eliminimin e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Viktima e parë ishte shefi i policisë sekrete të Stalinit, njëherazi Ministri i Brendshëm Lavrenty Beria, ndaj të cilit kishin shumë frikë kolegët e tij.
Elemimi i Berias ishte aq kaotik dhe aq i fshehtë sa që edhe sot, kur shumica e arkivave janë të de–klasifikuara, është e pamundur të thuhet saktësisht se çfarë ndodhi. Por sipas shumë dëshmive, një rol kryesor luajtën Khrushchev dhe kryeministri Georgy Malenkov.
Fillimisht të dy pyetën në konfidencë anëtarët e tjerë të Presidiumit – organi më i lartë politik–bërës – se si do të reagonin ndaj një lëvizjeje kundër Berias. Më pas futën në Kremlin disa zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë marshallin Georgy Zhukov. Gjatë një diskutimi të Presidiumit, Khrushchev foli për gabimet dhe abuzimt e Berias, ndërsa Malenkov shtypi një buton sekret, pas të cilit ushtarakët hynë brenda dhe e arrestuan Berian e habitur.
Ai u gjykua më vonë nga një gjykatë ushtarake, ku nuk u lejua të mbrohej (ndoshta nga frika se mund të implikonte udhëheqës të tjerë të lartë në krimet e ndyra të epokës së Stalinit). U shpall fajtor dhe u ekzekutua. Më vonë, Khrushchev e mënjanoi Malenkovin. Askush nuk e priste një rezultat të tillë.
Pas vdekjes së Stalinit kredencialet dhe pozicioni politik i Hrushovit ishin shumë më inferiorë se ato të Malenkovit. Por Khrushchev veproi me vendosmëri, madje edhe në mënyrë të vrazhdë, gjë që gati shkaktoi rënien e tij. Në një takim të qershorit 1957, disa anëtarë me peshë të Presidiumit e akuzuan Hrushovin për prirje diktatoriale dhe u përpoqën ta shkarkonin. Votat në Presidium ishin shtatë kundër dhe katër pro tij.
Ai ishte gati duke e humbur pushtetin. Por arriti të fitonte mbështetjen e Zhukov, asokohe Ministër i Mbrojtjes, dhe të kreut të KGB-së, Ivan Serov. Këta të dy e ndihmuan në mobilizimin e mbështetësve të tij në Komitetin Qendror që votoi për të rrëzuar Presidiumin. Disa muaj më vonë, Khrushchev tregoi “mirënjohjen” e tij duke e shkarkuar Zhukovin nga detyra.
Hrushovi mbijetoi edhe për 7 vite të tjera, përpara se të rrëzohej nga një grusht shteti brenda Kremlinit në tetor 1964. Në krye të komplotit ishte njeriu që ai kishte mbështetur, Leonid Brezhnev, që përfitoi nga zhgënjimi në rritje në radhët e partisë dhe qeverisë me liderin.
Brezhnev punoi ngushtësisht me Alexander Shelepin, njeriun dikur pranë Khrushchev dhe ish-kreun e KGB-së, si dhe me kreun aktual të KGB-së, Vladimir Semichastny.
Ata përfituan nga mungesa e udhëheqësit sovjetik që ishte duke pushuar në Abkhazi. Ai u thirr me urgjencë në Moskë, ku kolegët e tij në Presidium i paraqitën një listë ankesash dhe i bënë thirrje të jepte dorëheqjen. Pleniumi i partisë i thirrur me nxitim, konfirmoi se Hrushovi do të tërhiqej nga drejtimi i vendit “për arsye shëndetësore”.
Rezultatet e betejave për pushtet, varen nga perceptimet e suksesit dhe shumica e lojtarëve preferojnë t’i lënë mënjanë ato. Ndonjëherë, makinacionet nuk prodhojnë asgjë. Me gjithë dështimet dhe abuzimet, një lider mund të qëndrojë gjithë jetën dhe të vdesë nga shkaqe natyrale.
Nuk ka dyshim se Putini e preferon këtë skenar. Ai ka të ngjarë të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. Por ndërsa sundimi i tij i korruptuar dhe brutal po i afrohet përvjetorit të 23-të, dhe ndërsa Putin po i afrohet të 70-ave, është pothuajse e sigurt që zëvendësuesit e tij të mundshëm po e shikojnë me kujdes njëri-tjetrin dhe po mendojnë për skenarë të mundshëm të caktimit të pasardhësit.
Marrë me shkurtime
Shënim: Sergey Radchenko, profesor në Shkollën Xhon Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS).