BotaEkonomiMAIN

“Hakmarrja” e Pekinit: “Jemi gati për çdo lloj lufte”

Fermerët amerikanë në krizë. Importet e sojës në shënjestër. Pekini vë në shënjestër 15 kompani amerikane, përfshirë prodhuesit e dronëve nga Silicon Valley dhe industritë bioteknologjike. Çështja e Taivanit dhe industria e mikroçipave

Pas një muaji fjalësh dhe kërcënimesh, vendimet e Donald Trump po fillojnë të ndihen edhe në ekonomi.

Tarifat e reja doganore që prekin Kinën, armikun historik të Uashingtonit, tregojnë se Trump 2.0 mund të minojë përgjithmonë ekuilibrin e viteve të fundit. Pikërisht Pekini, i goditur nga tarifat e reja prej 10% për të gjitha mallrat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ka reaguar duke deklaruar se nuk do të qëndrojë duarkryq, por do të kundërpërgjigjet me një ton të ndryshëm nga heshtja që kishte mbajtur muajt e fundit.

Ministri i Jashtëm kinez, Lin Jian, deklaroi: “Nëse Shtetet e Bashkuara insistojnë të nisin një luftë tregtare, një luftë ekonomike apo çfarëdolloj konflikti tjetër, atëherë pala tjetër do të luftojë deri në fund, por fundi do të jetë i hidhur për të gjithë.”

Fermerët amerikanë në krizë

Nga 10 marsi, do të hyjnë në fuqi tarifa prej 15% mbi grurin, misrin dhe elbin, si dhe një rritje prej 10% mbi importet e sojës, mishit të derrit dhe viçit, peshkut, frutave, perimeve dhe produkteve të tjera bujqësore.

Përveç kësaj, do të ndalohet importi i drurit nga SHBA, një katastrofë për fermerët dhe blegtorët amerikanë që vitet e fundit kishin votuar masivisht për Trumpin.

Vlen të kujtohet se Shtetet e Bashkuara eksportuan 12.8 miliardë dollarë në sojë drejt Kinës në vitin 2024, duke e bërë atë importuesin e tretë më të madh të këtij produkti nga SHBA.

Në të kaluarën, gjatë luftës tregtare të viteve 2018-2019 midis Trump dhe Kinës, fermerët amerikanë u dëmtuan aq rëndë nga tarifat hakmarrëse të Pekinit, saqë qeveria federale u detyrua të ndërhynte me 28 miliardë dollarë subvencione për të mbështetur sektorin bujqësor.

Fentanili dhe një tjetër betejë

Edhe në këtë rast, Trump kishte filluar luftën tregtare duke premtuar ndalimin e trafikut të fentanilit, por nuk arriti të zgjidhë problemin dhe shumë analistë besojnë se kjo betejë do të mbetet e hapur. Përgjigja e Kinës, si gjithmonë, është asimetrike, duke goditur sektorë të ndryshëm të ekonomisë amerikane.

Pekini vë në shënjestër 15 kompani amerikane, përfshirë prodhuesit e dronëve nga Silicon Valley dhe industritë bioteknologjike

Në mesin e kompanive të vëna në shënjestër nga tarifat e reja janë prodhuesit amerikanë të dronëve si Skydio, si dhe kompania e inteligjencës artificiale Shield AI, e cila prodhon pajisje me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak).

Gjithashtu, industritë bioteknologjike që kanë marrëdhënie të ngushta me Kinën janë në shënjestër të hakmarrjes kineze.

Pekini ka paralajmëruar se do të denoncojë Shtetet e Bashkuara në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për tarifat e reja, një veprim që kishte ndërmarrë edhe në shkurt, kur Trump miratoi tarifat e para 10% mbi produktet kineze.

Çështja e Tajvanit dhe industria e mikroçipave

Një tjetër çështje e ndjeshme është Tajvani. Administrata amerikane po përpiqet të zhvendosë prodhimin e mikroçipave në SHBA.

Këtë javë, presidenti amerikan ka firmosur një marrëveshje prej 100 miliardë dollarësh për 4 vitet e ardhshme me kompaninë tajvaneze Taiwan Semiconductor Manufacturing (TSMC).

Pekini e ka parë këtë lëvizje si një përpjekje për të dobësuar varësinë teknologjike të SHBA nga Azia dhe e ka cilësuar si një strategji për të ruajtur mbizotërimin kombëtar. / bota.al

 

 

 

 

 

 

Back to top button