HistoriMagazine

Harrojeni Atlantidën, ja cilat janë 4 qytetet e vërteta nënujore të lashtësisë

“Discover Magazine”

Për mijëra vjet, njerëzit kanë folur mbi mundësinë e ekzistencës së qyteteve të tëra të zhytura nën ujërat e deteve dhe oqeaneve. Një nga më të famshmet e këtyre metropoleve të humbura, Atlantida, e ka fituar këtë status falë filozofit grek Platonit, që deklaroi se ky qytet ishte fundosur në det mijëra vite përpara se ai të shkruante për të.

Ndërsa debatet nëse Atlantida ka ekzistuar vërtet apo jo, kanë vazhduar që nga koha e Greqisë së Lashtë, godinat, rrugët dhe objektet e qyteteve të tjera antike janë zbuluar dhe eksploruar nga studiuesit. Ato janë sa të bukura aq edhe të frikshme, dhe vërtetojnë se madhësia dhe rëndësia, nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur mbi ujë një komunitet shumë të zhvilluar.

Pavllopetri, Greqi

Në vitin 1967, Nik Fleming, studiues në Universitetin e Sauthemptonit në Britani, u ndesh me relike antike disa metra nën ujë në brigjet e Greqisë së Jugut. Zbulimet do të çonin në identifikimin e qytetit më të vjetër të zhytur nën ujë.

Rrugët, oborret, ndërtesat dhe gurët e varreve të çojnë në ishullin e afërt Pavllopetri, ku ndodhej dikur vendbanimi i lashtë. Studiuesit mendojnë se godinat datojnë që nga koha e Mikenës, grekët e lashtë që lulëzuan gjatë fundit të Epokës së Bronzit, gjatë viteve 1650- 1180 Para Krishtit.

Pas një ekspedite fillestare në vitet 1960, ky sit mbeti relativisht i pastudiuar deri në fillim të viteve 2000, kur ekipi i Projektit të Arkeologjisë Nënujore Pavllopetri, u zhyt nën ujë për të parë se çfarë mund të mësohej tjetër. Ndërhyrjet e shumta ilegale kishin dëmtuar varret e lashta, dhe kjo e detyroi UNESCO-s ta shpallë sitin si trashëgimi botërore në vitin 2016.

Herakleion, Egjipt

Dikur një port i madh që priste anijet kur hynin në deltën e Nilit, Herakleion ose Thonis – emri grek dhe ai egjiptian – ndodhet në vendin kur thuhet se shkeli për herë të parë në tokën egjiptiane Herakliu (ose Herkuli). Vendi ku ka ecur heroi është zhdukur prej kohësh, pasi arkeologët mendojnë se qyteti është nën ujë që nga shekulli i 8-të.

Përmes hidrolokatorit, studiuesit kanë identifikuar dhjetëra anije dhe qindra spiranca, teksa kanë arritur të nxjerrin prej andej temjanë, bizhuteri dhe pajisje të nevojshme për adhurimin e zotave nëpër tempuj. Nga uji janë nxjerrë edhe statujat prej graniti 6 metra të larta të perëndive egjiptiane.

Ndonëse studiuesit po mësojnë ende më shumë rreth Herakleionit dhe qytetit fqinj me të, Kanopusit, arkeologët dhe gjeologët e kanë një ide se pse dy u fundosën këto 2 qytete. Terreni i tyre përmbante shumë argjilë, dhe përmbytjet nga baticat apo tërmetet – që kanë ndodhur shpesh në zonë – mund ta ketë kompresuar tokën, duke e zhvendosur me shpejtësi drejt detit.

Baiae, Itali

Ju mund të silleni ende si një romak i lashtë dhe të kryeni një udhëtim në Baiae. Por për të parë qendrën e vjetër të llixhave, duhet të zhyteni nën det. Baiae tërhiqte dikur vizitorët më të pasur për 2.000 vitet që ekzistoi qyteti. Disa perandorë i shtuan atij pallate dhe pishina.

Ndërsa një filozof romak i paralajmëroi të tjerët të kishin kujdes nga thashethemexhinjtë, mbi endacakët e dehur që endeshin bregut, dhe nga festat e zhurmshme që ndodhnin shpesh aty. Por një moment festat morën fund:Aktiviteti nën koren e Tokës e zhyti nën ujë një pjesë të Baiaes. Reliket që gjenden ende mbi ujë, si dhe ato në Gjirin e Napolit, mund të kundrohen ende sot nga turistët.

Atlit-Jam, Izrael

Më shumë një fshat sesa një qytet, Atlit-Jam në brigjet e Izraelit Verior bart ende një sasi mbresëlënëse materialesh që ndodhen nën ujë, sepse ky sit është rreth 7.500-8.000 vite i vjetër. Gati 10 hektarë relike përfshijnë themele shtëpish, vatra, mjete, vegla prej stralli, mbetje kafshësh dhe varre njerëzish, që datojnë në një kohë kur paraardhësit tanë sapo kishin filluar të vendoseshin në një vend dhe të kultivonin drithëra.

Dy individë të varrosur në këtë vendbanim – me gjasë një grua dhe foshnja e saj – tregojnë shenja gjenetike të infeksioneve nga tuberkulozi , duke i bërë ata pacientët më të vjetër të tuberkulozit njerëzor të zbuluar deri tani. Në fund, ishte rritja e nivelit të detit, ajo që i largoi banorët e Atlit-Jam nga shtëpitë e tyre.

Një pus i gërmuar nga banorët, gjendet tani më shumë se 20 metra nën ujë, dhe vendbanimet e mëvonshme neolitike që janë ende të zhytura por më pranë bregut, tregojnë se si njerëzit u tërhoqën ngadalë prej andej për shkak të baticave në rritje. / bota.al

Back to top button