Disa prej njerëzve më magjepsës të historisë janë mbretërit dhe udhëheqësit e mëdhenj. Kjo vjen pjesërisht për faktin që jetët e tyre janë të mirëdokumentuara në histori, por edhe sepse ata kanë qenë persona vërtetë të madhërishëm. Një mbret është në vetvete një autoritet, kështu që shpesh herë është përshkruar si një figurë shumë më sipër së të vdekshmit. Legjendat e këtyre mbretërve kanë mbërthyer prej kohësh imagjinatën tonë. Sot fillojmë një seri me personazhet më të spikatur:
Mbretër mitikë / Anaksagora, Greqi
Në legjendat e lashta të Greqisë, ishte një mbretëri e madhe e njohur me emrin Argo. Gjatë mbretërimit të Mbretit Anaksagoras, disa gra nisën të argumentojnë se tempujt tokësorë ishin më të mirë se ata të Perëndive. Sigurisht, kjo gjë i zemëroi zotat e Greqisë, të cilët nuk ishin nga ai lloj që i merrnin lehtë fyerje të tilla. Ka shumë versione të kësaj historie, por në shumicën e tyre, Hera ose Dionisi mallkojnë gratë e tokës që të cmendeshin, si ndëshkim për kundërvënien që u kishin bërë krijuesve të tyre.
Detajet se si u sollën më pas gratë e cmendura janë të paqartë, por shumica e historive thonë se atyre nisën t’u bien flokët dhe lëkura iu mbush me vraga. Për të rikthyer mendtë (dhe pamjen) e grave të mbretërisë, mbreti kërkoi një burrë që quhej Melampous, i cili do të ndihmonte për të kuruar gratë prej sëmundjes. Melampousi i tha mbretit se mund ta zgjidhte problemin, por do ta bënte vetëm nëse ky i jepte gjysmën e mbretërisë. Mbreti mendoi se kërkesa e tij ishte absurde dhe e refuzoi, por shumë shpejt u bë e qartë se nuk kishte zgjidhje tjetër – dhe gjendja e grave po përkeqësohej.
Duke ditur që nuk kishte zgjidhje tjetër, mbreti ra dakord për ofertën fillestare, por ishte shumë vonë. Tani që Melampousi e kishte edhe më shumë në dorë, ai i kërkoi dy të tretat e mbretërisë – një të tretën për vete dhe një të tretën për të vëllanë. Anaksagora nuk kishte zgjidhje tjetër, kështu që ndonëse me hezitim, ra dakord ta ndante më tresh mbretërinë.
vijon