MagazineMAIN

“Incel”, “Manosphere”, “80:20”. Domethënia e fjalëve dhe numrave tek “Adolescence”

Gjithçka kontribuon në ndërtimin e një gjuhe që çdo brez e merr dhe e bën të vetën, që të funksionojë mes bashkëmoshatarësh dhe të bëhet e pakuptueshme për të tjerët: ja çfarë ndodh në serialin televiziv të Netflix

Diletta Parlangeli

Fjalët kanë rëndësi, edhe emoji-t.

Gjithçka kontribuon në ndërtimin e një gjuhe që çdo brez e përvetëson, e rimodelon dhe e përshtat brenda një kodi që është i efektshëm për bashkëmoshatarët dhe i pakuptueshëm – ose më keq, i padukshëm – për të gjithë të tjerët. Miniseriali me katër episode “Adolescence”, i disponueshëm në Netflix dhe i kudondodhur në gojën e kritikës dhe publikut, ka edhe këtë meritë: hedh dritë mbi terma të harruar, simbole që marrin kuptime të reja, platforma që secili i përdor në mënyrën e vet.

Konteksti narrativ, për ata që nuk kanë dëgjuar ende për të, është vrasja e një të miture, Katie. Jemi në Yorkshire, në Mbretërinë e Bashkuar, dhe i dyshuari është një 13-vjeçar, Jamie Miller. Edhe pse më i vogël, ai ndjek të njëjtën shkollë të mesme me djalin e inspektorit Luke Bascombe (Ashley Walters), Adam (Amari Bacchus).

Është pikërisht ky i fundit që, duke parë babanë e tij të hutuar mes pyetjeve për nxënësit dhe mësuesve pa autoritet, e tërheq mënjanë për t’ia çuar vështrimin në drejtimin e duhur.

“E ke parë Instagramin, apo jo?” i thotë Adam të atit. Sigurisht që e ka parë, Instagramin. E ka parë, por nuk e ka vëzhguar, nuk e ka lexuar me sytë e dikujt që njeh një kod të caktuar.

Incel dhe manosfera

Një kod i cili, në mënyrë specifike, lidhet me manosferën (manosphere), një term që identifikon ato hapësira digjitale të ndara vetëm mes burrave, ku përhapet maskuliniteti toksik, përmbajtje dhe teori thellësisht mizogjene dhe antifeministe.

Bëhet fjalë për forume, faqe, profile, kanale ku ndjehet rehat komuniteti i të ashtuquajturve incel: shkurtim i “involuntary celibates”, beqarë kundër dëshirës së tyre, jo për zgjedhje personale.

Qëndrimet e tyre rrënjosen mbi një supozim që tingëllon si një mëkat fillestar (sigurisht, femëror), ndërtuar mbi paaftësinë e tyre për të krijuar marrëdhënie: është sistemi (domethënë gratë) që i përjashton.

Gratë kanë pushtetin dhe ato zgjedhin me kë të kenë marrëdhënie seksuale.

Sipas teorisë që dominon – dhe që del në pah edhe në serial – përqindja është kështu: 80% e grave zgjedhin vetëm 20% të burrave (prej nga vjen emoji me shifrën “100”, që nënkupton “të gjithë”).

80/20

Kjo teori e mbështetur nga komuniteti incel bazohet – në mënyrë të thjeshtuar dhe të shtrembëruar – mbi parimin e Pareto-s, të formuluar në shekullin XIX nga matematikani italian Vilfredo Pareto, sipas të cilit rreth 20% e shkaqeve gjenerojnë 80% të pasojave.

Duke e aplikuar këtë logjikë në marrëdhëniet romantike dhe seksuale, incel-at pretendojnë se shumica dërrmuese e grave dëshiron vetëm një elitë të ngushtë burrash, ata që konsiderohen më të bukur, më karizmatikë, ose “alfa”, duke injoruar të tjerët.

Ajo që për disa është një nënkulturë, për të tjerë është një lëvizje që ka rrënjë të ndryshme historike, por që filloi të përflitet më shumë në fillim të viteve 2010.

Një prej kanaleve të Reddit-it (r/incels), një nga qendrat më të frekuentuara të këtij komuniteti, u ndalua nga vetë platforma në vitin 2017, për shkak të përmbajtjes së dhunshme.

Në vitin 2021, Komisioni Evropian publikoi një raport hetimor mbi këtë fenomen.

Në serialin Adolescence, Katie kishte sugjeruar – me komente në Instagram – se Jamie i përkiste pikërisht komunitetit incel. Gjithçka, përmes përdorimit të emoji-ve: për shembull, ai i dinamitit. Ai simbolizon shpërthimin e “pilulës së kuqe”, ajo që të bën të shohësh të vërtetën.

Referenca për të rriturit është menjëherë e qartë: jemi në territorin e Matrix. Të rinjtë mund të mos njohin filmin, por e përdorin idenë.

Nëse zgjedh pilulën e kuqe, ke vendosur të njohësh realitetin – në këtë rast, teorinë e 80% dhe të tjera “të vërteta” mbi gratë dhe sjelljen e tyre – dhe pra të “shohësh të vërtetën”.

Nëse zgjedh blu-në, ke zgjedhur të jesh bashkëfajtor në sistemin që e mban këtë pabarazi mes burrit dhe gruas, duke lënë shumë meshkuj jashtë dhe duke legjitimuar vuajtjen e tyre.

Zemrat

Në episodin e dytë, Adam i krijon të atit një legjendë të emoji-ve, si një Virgjil në ferrin e bullizmit. Dhe shton: “Ata që kanë vënë zemra janë dakord me të”. Ndërsa babai, i hutuar, pranon se ai vetë dërgon zemra të kuqe në bisedat me mamanë kur “nuk di çfarë të përgjigjet” – një pasqyrë interesante gjeneratash, edhe pse nuk është vendi për ta analizuar më gjatë – djali vazhdon me shpjegimin e ngjyrave: e kuqja: dashuri, vjollca: eksitim, e verdha: interes, rozë: interes pa seks, portokallia: “do të shkojë gjithçka mirë”.

“Çdo gjë ka një kuptim,” shton ai.

Ashtu siç ka kuptim, edhe ajo që del nga episodi i intervistës mes Jamie Miller dhe psikiatres:

Katie ishte viktimë e “revenge porn”. I kishte dërguar një foto në Snapchat një djali, dhe ai e kishte shpërndarë në të gjithë shkollën. Edhe tek ata që konsideroheshin “incel”, sipas konceptit të zgjeruar të “humbamenove”.

Vetëm se ky aspekt – fakti që imazhet qarkullojnë pa pëlqimin e personit në to – ndoshta ka marrë më pak vëmendje, të përthithur si jemi nga plan-sekuencat e jashtëzakonshme dhe rrëfimi i simboleve të vjetra që marrin kuptime të reja.

Me kusht që të mos jetë forca e zakonit që i mban gjallë këto rrëfime, sepse pikërisht ai është kodi i vërtetë i tmerrit. / La Repubblica – Bota.al

Back to top button