Në qendër të revolucionit teknologjik që po ndryshon jetët tona, Inteligjenca Artificiale (IA) ka sjellë jo vetëm mundësi të jashtëzakonshme, por edhe rreziqe që nuk i kishim menduar më parë. Në këtë kontekst, Instituti Ndërkombëtar për Menaxhim dhe Zhvillim (IMD) ka krijuar AI Safety Clock, një “orë simbolike e rrezikut” që synon të tërheqë vëmendjen ndaj një të ardhmeje të mundshme ku një Inteligjencë Artificiale e Përgjithshme (AGI) mund të dalë jashtë kontrollit.
Ora e sigurisë: Sa larg është mesnata?
E konceptuar nga TONOMUS Global Center for Digital and AI Transformation, kjo orë është vendosur 26 minuta larg mesnatës, duke simbolizuar pikën e “moskthimit,” kur një AGI e pakontrolluar mund të shkaktojë dëme të pakthyeshme për njerëzimin.
Kjo orë monitoron vazhdimisht mbi 1000 faqe dhe mbi 3000 burime lajmesh, duke kombinuar analiza dhe risi, për të rritur ndërgjegjësimin mbi sfidat që na presin dhe për të ndihmuar në parandalimin e katastrofave teknologjike. Tingëllon diçka e njohur? Po, është e frymëzuar nga Doomsday Clock, “Ora e Apokalipsit” e krijuar në vitin 1947.
Frymëzim apokaliptik
Ashtu si Ora e Apokalipsit, që fillimisht shërbeu për të paralajmëruar rrezikun e një konflikti bërthamor, AI Safety Clock përqendrohet tek një kërcënim më modern: rreziku nga teknologjitë e reja. Duke matur sa afër jemi nga mesnata, ora nxit veprim të përbashkët për të shmangur një të ardhme të errët të kontrolluar nga inteligjenca artificiale.
Rreziqet
Çfarë përfaqëson saktësisht ky rrezik? Bëhet fjalë për sisteme të avancuara që mund të marrin vendime pa mbikëqyrjen njerëzore, modele gjithnjë e më të fuqishme, robotikë të përparuar, dhe përdorimin ushtarak të Inteligjencës Artificiale. Këto zhvillime i afrojnë akrepat e orës gjithnjë e më shumë drejt mesnatës. Megjithatë, IMD thekson se teknologjia vetë nuk është problemi kryesor; më shumë shqetësuese është mungesa e rregulloreve.
Thirrje për veprim
AI Safety Clock nuk është vetëm një paralajmërim, por një mjet për të promovuar ndërgjegjësimin dhe për të nxitur dialogun mbi një të ardhme të përgjegjshme. Michael Wade, drejtori i TONOMUS Global Center, shpjegon: “Nuk duam të krijojmë panik, por të ftojmë për veprim. Jemi në një moment rreziku të lartë, por ende nuk është vonë.”
Mesazhi është i qartë: një strategji e përbashkët që përfshin qeveritë, kompanitë teknologjike dhe opinionin publik mund të ndihmojë në ngadalësimin e afrimit të mesnatës. IMD propozon rregullore të qarta, bashkëpunim ndërkombëtar dhe një etikë teknologjike që vë sigurinë në vend të parë. Nëse veprimet e duhura ndërmerren, një e ardhme e pasigurt mund të kthehet në një mundësi për përfitime kolektive.
Siç thuhet shpesh: “Jemi vetëm në fillim, por mesnata është më afër nga ç’mendojmë.” / bota.al