HistoriMAIN

Juda, puthja fatale e pabesisë

Screenshot

Kërkoni për sinonimet e tradhtarit dhe shumë fjalorë me reputacion do të ofrojë termin ‘Juda’ si një zëvendësues i fortë. Kjo është e gjitha falë Juda Iskariotit –më të debatuarit ndër apostujt e parë të Jezusit. Gjatë shekullit të 1-të të erës sonë, emri Judas, nuk ishte veçse një zgjedhje popullore për djemtë e rinj, më së shumti i lidhur me një prift heroik hebre, i quajtur Judas Maccabeus. Por nuk do të gjeni shumë të krishterë që e mbajnë emrin që nga shekulli i 2-të i erës sonë – pavarësisht kuptimit të tij shenjtëror “Lëvduar” ose “Lëvduar qoftë Zoti” – pasi Juda famëkeq e njollosi atë përgjithmonë me “tradhtinë” e tij tronditëse.

Sipas Ungjillit biblik të Mateut, Juda ua shiti romakëve mikun e tij të mirë për 30 copa argjendi, gjë që çoi në kryqëzimin e Krishtit. Po a e meriton ai reputacionin e tij si tradhëtari më famëkeq i Krishterimit, apo historia e ka bërë të pistë Judën?

APOSTULLI JUDË

Ka shumë pak informacion të besueshëm në lidhje me vetë Judën, që mund të gjendet në Bibël. Nuk kishte integritet gazetaresk në shekullin e I-rë dhe shumë rrëfime bashkëkohore, madje edhe ato të paraqitura si fakte, përfshijnë hamendje, propagandë dhe besime e opinione të njëanshme.

Vetë ungjijtë biblikë shpesh kundërshtojnë njëri-tjetrin, duke treguar të njëjtat histori nga këndvështrime të ndryshme, dhe historianët e kanë pasur jashtëzakonisht të vështirë për të deshifruar nëse ka ndonjë provë të fortë për pjesën më të madhe të përmbajtjes së tyre, përfshirë dhe ekzistencën e Judës. Megjithatë, nëse me të vërtetë ai ka jetuar, ja çfarë dimë për të: Juda ishte një nga dishepujt e Jezusit dhe i dymbëdhjeti i apostujve të Jezusit – një anëtar i rrethit të ngushtë të Jezusit – i përmendur në të katër ungjijtë (ungjijtë sinoptikë të Mateut, Markut dhe Lukës dhe Ungjilli i Gjonit).

Juda shpesh vlerësohet si më i arsimuari nga të Dymbëdhjetë Apostujt, i sjellë në “tufë” nga Nathanieli, kryesisht falë përvojës së tij me financat, dhe ai u bë arkëtari i tyre – një rol që tregon se Jezusi duhet të ketë pasur njëfarë besimi te Juda. Sipas Ungjillit të Mateut, të gjithë apostujve të Jezusit iu dha fuqia për të dëbuar demonët dhe për të shëruar sëmundjet – ose së paku, atyre iu dhanë një njohuri dhe autoritet i hershëm mjekësor për të kryer të ashtuquajturat mrekulli.

TRADHËTARI JUDË

Pas Darkës së Fundit, Juda shkoi te autoritetet fetare dhe pranoi t’i çonte te Jezusi në Kopshtin e Gjetsemanit, ku ai po lutej, në këmbim të 30 copave argjendi. Ai u tha autoriteteve që të ndalonin personin që ai do të puthte, dhe më pas shkoi te Krishti dhe e puthi atë.

Jezusi përgjigjet, sipas Mateut, duke iu referuar Judës si “mik”, por ai u arrestua menjëherë dhe iu dorëzua ushtarëve romakë për t’u kryqëzuar. Prandaj, në thelb është faji i Judës që Krishti vdiq në kryq.

Shkrimet kanonike pranojnë se Jezusi ishte i vetëdijshëm për tradhtinë e Judës, por nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndaluar atë, duke treguar se ai ishte pjesë e planit të Perëndisë dhe se nuk kishte patur flamuj të kuq që paralajmëronin se Juda do të sillte rënien e tij. Një njeriu si Juda do t’i duhej të linte shtëpinë dhe të hiqte dorë nga profesioni në mënyrë që të ndiqte Jezusin rreth Izraelit.

Atëherë, çfarë e bëri Judën të ndryshojë nga një ndjekës në dukje i përkushtuar dhe anëtar i vëllazërisë më elitare të Jezusit, në armikun numër një?

ARSYET E JUDËS

Ekzistojnë dy teori kryesore se përse Juda e tradhtoi Jezusin: lakmia dhe pushtimi prej Satanait. Ungjilli i Lukës konstaton se Satanai hyri në trupin e Judës në kohën e tradhtisë së tij. Gjoni gjithashtu ia vë fajin ndikimit demonik dhe një nga shtatë mëkateve vdekjeprurëse. Sipas Gjonit, Juda kishte qenë gjithmonë një njeri i keq dhe e kishte përdorur rolin e tij si arkëtar i grupit për të përvetësuar para dhe u largua nga Darka e Fundit me qëllimin e qartë për të tradhtuar udhëheqësin. Çuditërisht, Ungjilli i Gjonit nuk e përmend shkëmbimin e besnikërisë së tij për 30 copa argjendi. Ungjijtë e Mateut dhe Markut gjithashtu fajësojnë lakminë e Judës, por ka disa probleme me këtë teori. Pse Jezusi, më i zgjuari nga të gjithë njerëzit, do të zgjidhte një njeri lakmitar dhe të pandershëm për të qenë një nga të Dymbëdhjetët e tij?

Pse Juda nuk do të kërkonte më shumë se 30 copa argjendi – një sasi e vogël për të kërkuar – dhe pse një njeri i shtyrë nga lakmia do të bashkohej me një grup rebelësh fetarë pa para? Disa kanë argumentuar se Juda mund të ketë pasur një motiv politik dhe donte të caktohej udhëheqësi i judenjve, por nuk ka asnjë provë shkrimore për këtë.

Teori të tjera se pse Juda e tradhtoi Krishtin janë të shumta, duke përfshirë idenë se Juda ishte i zemëruar se Jezusi nuk ishte Mesia që u ishte premtuar judenjve, apo se Juda nuk kishte ndërmend ta tradhtonte fare Jezusin dhe ideja se ai ishte i pabesë është një përkthim i gabuar i “dorëzimit”, dhe se ai besonte se ata duhej të flisnin me Jezusin dhe të zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre. Kjo do mund të shpjegonte pse ndjeu keqardhje më pas dhe, në shumë raste, besohet se ka kryer vetëvrasje. Në çdo rast, Juda duhej ta tradhtonte Jezusin në mënyrë që të përmbushte profecinë dhe që Krishti të vdiste, si një pjesë e domosdoshme e planit të shpëtimit të Perëndisë.

VDEKJA E JUDËS

Sipas Ungjillit të Mateut, kur Juda zbulon se tradhtia e tij rezultoi në kryqëzimin e Jezusit, ai u pushtua nga faji. Ai tenton t’i kthejë 30 copat e argjendit, të cilat nuk pranohen për shkak të shkëmbimit të tyre si para gjaku. Ai shpërfill argjendin dhe kryen vetëvrasje duke u varur. Është e paqartë pse e bën këtë, por interpretime të ndryshme përfshijnë keqardhje për rezultatin e veprimeve të tij (disa sugjerojnë se ai mendonte se po ia dorëzonte Jezusin autoriteteve thjesht për ta marrë në pyetje). Anasjelltas, Veprat e Apostujve japin një histori tjetër: Juda blen një arë me paratë e tij dhe vdes aksidentalisht, duke mos treguar pendesë. Të tjerë besojnë se ai u godit nga zemërimi i Perëndisë.

E VËRTETA NË NJË EMËR

Ka pikëpamje kontradiktore në lidhje me emrin e dytë të Judës, Iskariot. Një teori është se përdoret për ta dalluar atë nga njerëzit e tjerë të quajtur Juda që gjenden brenda ungjijve dhe një përkthim grek i një fraze hebraike që do të thotë ‘njeri nga Kerioth’, një teori e mbështetur nga libri i Gjonit që thotë se ai është “biri i Simon Iskariotit”. Megjithatë, studiues të tjerë besojnë se ai është një epitet që rrjedh nga një fjalë latine, sicarius, që do të thotë ‘njeri me kamë’, që e lidh atë me Sicarii, një grup vrasësish rebelë hebrenj.

Një teori tjetër është se emri Iscariot rrjedh nga hebraishtja ose aramaishtja me kuptimin ‘i rremë’ ose ‘gënjeshtar’, por duke qenë se shkrimtarët e ungjillit pothuajse gjithmonë e ndjekin emrin e tij me një koment për tradhtinë, kjo duket gjithashtu pak e çuditshme.

JUDA, MIKU BESNIK?

Një ungjill gnostik jo-kanonik, Ungjilli i Judës, u zbulua në vitet 1970 në Egjipt. I gjetur brenda një kodi të shkruar në papirus në gjuhën koptike (gjuhë e lashtë egjiptiane) dhe i lidhur me lëkurë, dokumenti ishte përkiste shekullit II ose III të e.s. Dorëshkrimi, i cili u përkthye përfundimisht në vitin 2006, thuhet se ishte një përkthim nga një tekst i mëparshëm grek dhe paraqet historinë e kryqëzimit të Jezusit nga këndvështrimi i Judës. Ndryshe nga ungjijtë kanonikë, Ungjilli i Judës e portretizon Judë Iskariotin si një dishepull besnik dhe të përkushtuar të Jezusit, i cili ‘shiti’ zotërinë e tij vetëm me udhëzimet e vetë atij, për të përmbushur planin e Perëndisë.

Sipas këtij ungjilli, Jezusi e mori mënjanë Judën gjatë Pashkës dhe i zbuloi atij informacione sekrete në lidhje me Zotin dhe krijimin (‘ungjilli i vërtetë’), duke i besuar se ai ishte më i rëndësishmi nga të gjithë dishepujt e tij dhe duke e thirrur për të hartuar një plan që do të rezultonte në vdekjen e tij.

Jezusi e udhëzon Judën që t’ia dorëzonte autoriteteve për ta ndihmuar në çlirimin e vetes së tij të pavdekshme shpirtërore nga trupi i tij i vdekshëm dhe material. Juda bën siç kërkon Krishti, por më vonë shfaq pendim dhe ankth për këtë veprim, duke parë një vegim të dishepujve të tjerë të Jezusit që e persekutojnë dhe e vrasin me gurë.

DENIM NË PËRJETËSI

Qoftë nëse Juda ishte thjesht një shpirt i varfër, i destinuar të shiste me ngurrim mikun e tij, një jobesimtar që ndryshoi mendje, një viktimë e korruptimit prej djallit ose një mashtrues manipulues i infektuar nga lakmia, nuk ka dyshim se ai mbetet një nga tradhtarët më të mëdhenj të historisë – një titull që mund ta meritojë ose jo. Puthja e tij fatale – një akt që zakonisht nënkupton besnikëri dhe dashuri – çoi në vdekjen brutale të Krishtit dhe termi ‘puthja e Judës’ është përjetësuar si një frazë e përdorur për të treguar një gjest miqësie që maskon një vepër të pabesë. / bota.al

Back to top button