Horizonti.al

Kaluan 40 ditë të izoluar në një shpellë, ja çfarë ndodhi me 15 francezët

Pesëmbëdhjetë vullnetarë kanë dalë nga një shpellë në jugperëndim të Francës pasi kaluan plot40 ditë pa orë, telefona apo dritën e diellit në kuadër të një eksperimenti që do të testonte efektet e izolimit tek njerëzit.

Grupi prej 8 burrash dhe 7 grash jetonte në shpellën Lombrives, si pjesë e një projekti prej 1.4 milion dollarësh të quajtur “Deep Time”, që synonte të shihte kufijtë e përshtatjes njerëzore ndaj izolimit.

Projekti, i udhëhequr nga “Instituti i Përshtatjes Njerëzore”, përfundoi të shtunën e 24 prillit pas 40 ditësh. Në mediat sociale kanë qarkulluar pamje të vullnetarëve që dalin të qeshur nga shpella duke duartrokitur ndërsa mbanin syze dielli speciale për t’i mbrojtur sytë e tyre pas kaq shumë kohe të kaluar në errësirë.

Gjatë kohës që ishin në shpellë, vullnetarët fjetën në çadra, dhe e prodhuan energjinë e tyre elektrike me një biçikletë me pedale, pasi nuk kishte dritë natyrore. Ndërkohë ata u furnizuan me ujë nga një pus 50 metra nën tokë.

Meqenëse nuk kishte dritë dielli, ekipi duhej të ndiqte orët e tyre biologjike për të ditur se kur të flinin, të hanin apo të bënin detyrat e përditshme. Siç mund të pritej, ata e humbën shpejt sensin e kohës.

Drejtori i projektit Kristian Klot, që ishte gjithashtu pjesë e grupit, u tha gazetarëve të shtunën:“Ja ku jemi! Sapo dolëm nga shpella pas 40 ditësh… Për ne, ishte një surprizë e vërtetë”. Një nga vullnetarët tha se ata mendonin se ai kishte qenë nën tokë për 23 ditë.

Grupi nuk kishte asnjë komunikim me botën e jashtme dhe nuk ishte në gjendje të përdorte telefona apo pajisje të tjera elektronike. Një vullnetar mësues matematike Johan Fransua, tha se vrapoi rreth 10 kilometra rreth e qark shpellës për të qëndruar në formë.

Ai u tha gazetarëve se kishte “një nxitje të brendshme” për të lënë shpellën. Por vullnetarët e tjerë ndiheshin ndryshe. Dy të tretat e tyre thanë se do të donin të qëndronin në shpellë për më shumë kohë.“Për herë të parë në jetën tonë, ky eksperiment ishte sikur të mund të bënim një pauzë”- tha Marina Lançon, një nga 7 gratë që morën pjesë në eksperiment.

Gjithsesi, ajo e pranoi se ndihej e lumtur që ishte jashtë shpellës dhe mund të dëgjonte sërish. Shkencëtarët francezë dhe zviceranë të Institutit të Përshtatjes Njerëzore, i monitoruan vullnetarët nga afër gjatë gjithë kohës që ata ishin brenda në shpellë.

Ata do të kontrollonin rregullisht përmes sensorëve modelet e gjumit, ndërveprimet sociale dhe funksionet njohëse. Gjithashtu, u mat aktiviteti të vullnetarëve para dhe pasi ata hynë në shpellë. Shkencëtarët që qëndrojnë pas këtij projekti, thonë se eksperimenti do t’i ndihmojë ata të kuptojnë se si njerëzit mund t’i përshtaten kushteve ekstreme të jetesës edhe duke qenë në izolim të plotë.

“E ardhmja jonë si njerëz në këtë planet do të evoluojë. Ne duhet të mësojmë dhe të kuptojmë më mirë se si truri ynë është i aftë të gjejë zgjidhje të reja, pavarësisht nga situata ku mund të ndodhemi”-thotë Klot. / ScienceAlert – Bota.al

Back to top button