BotaMAIN

Katastrofa e shkaktuar nga përmbytjet, mund të sjellë një përmbysje të madhe politike në Gjermani

Nga Wolfgang Münchau

“The Spectator”

Ka një histori interesante në politikën e përmbytjeve në Gjermani, dhe një mundësi që historia të përsëritet. Numri zyrtar i të vdekurve në Gjermani arriti në 93 mëngjesin e së premtes, ndërsa 1300 njerëz u raportuan ende të zhdukur në rajonin e Ahrveiler në Gjermaninë Perëndimore.

Kjo është pa dyshim katastrofa natyrore më e rëndë që e ka goditur Gjermaninë në kujtesën e njerëzve të sotëm. Në këtë pikë, nuk duhet të nxitohemi të nxjerrim ndonjë përfundim në lidhje me ndikimin politik që do të ketë ajo.

Ka të ngjarë që nga kjo katastrofë të përfitojnë shumë të Gjelbrit, pasi ndryshimi i klimës është në qendër të axhendës së tyre politike. Historikisht nga përmbytjet kanë përfituar qeveritë aktuale.

Në vitin 1962, një stuhi gjigante në Detin e Veriut shkaktoi përmbytjen e Hamburgut pasi digat u çanë. Ndaj popullatës nuk u bë asnjë paralajmërim sepse linjat telefonike ishin shkëputur, dhe sepse autoritetet i nënvlerësuan gjasat që një stuhi në Detin e Veriut të prekte Hamburgun që ndodhet 96 km në brendësi.

Përmbytja shkaktoi ngjitjen në majë të Helmut Shmid, që në atë kohë ishte senatori i Hamburgut për çështjet e brendshme dhe të sigurisë. Gjatë menaxhimit të emergjencës, Shmid shkeli kushtetutën gjermane, duke urdhëruar ushtrinë, Bundeswhr, që të ndihmonte në lehtësimin e pasojave tragjike të asaj katastrofe natyrore.

Gjithashtu ai angazhoi edhe trupat amerikane të pranishme në vend. 315 njerëz vdiqën në Hamburg kur përmbytjet prekën zona gjeografikisht më të ulëta përreth lumit Elba. Por operacionet e shpëtimit ishin jashtëzakonisht të suksesshme. 13 vjet më vonë, Shmid u zgjodh kancelar i Gjermanisë dhe mbeti një nga politikanët më të nderuar të vendit deri në vdekjen e tij në 2015.

Në gushtin e vitit 2002, Gjermania Veriore dhe ajo Lindore përjetuan atë që u quajt para kohe si ‘përmbytja e shekullit’, kur lumenjtë Elba dhe Oder dolën nga shtrati dhe përmbytën zonat përreth. Një fshat i vogël në Gjermaninë Lindore u zhduk plotësisht.

Ashtu si tani, viti 2002 ishte një vit zgjedhor, dhe sërish zgjedhjet që do të zhvilloheshin në muajin shtator. Në fillim të gushtit Gerhard Shrëder, që sapo kishte mbaruar mandatin e tij të parë si kancelar, renditej në sondazhe pas Edmund Shtoiber, kryeministrit bavarez dhe kandidatit për kancelar të CDU/CSU.

Kur ndodhi përmbytja, Shrëder nisi menjëherë fushatën, mbathi në këmbë çizmet dhe u vendos në krye të operacioneve të menaxhimit të katastrofës. Shtoiberit iu deshën disa ditë derisa shkoi të vizitonte zonat e prekura.

Ndikimi absolut mbi votuesit ishte relativisht i vogël, por i mjaftueshëm për ta çuar përpara koalicionin e Shrëder. Koalicioni i SPD- të Gjelbrit i fitoi zgjedhjet me 3 deputetë më shumë.

Këto histori janë bërë pjesë e folklorit të politikës moderne gjermane.

Kur Armin Lashet dëgjoi për shkallën e përmbytjeve gjatë një takimi me CSU-në në Bavari, ai u nis menjëherë për në landin e tij, që ka qenë një nga dy më të prekurit. Krahasuar me Shmid dhe Shrëdet, Lashet nuk është një figurë shumë bindëse për publikun.

Një deputet i të Gjelbërve, e tejkaloi masën duke e fajësuar qeverinë për përmbytjen e tmerrshme, dhe tentoi që të përfitonte kapital politik nga katastrofa. Por është padyshim shumë herët për të kryer manovra politike të këtij lloji. Dhe po ashtu është ende herët për tëspekuluar mbi ndikimin politik që do të ketë kjo ngjarje. Por sapo uji të tërhiqet gjatë fundjavës, do të jetë më i dukshëm jo vetëm dëmi i shkaktuar, por edhe politika.

Shënim: Wolfgang Münchau, është ish-redaktor i “Financial Times Deutschland”, dhe drejtor i “Eurointelligence”. / bota.al

Back to top button