
Uashingtoni do veprojë me anije dhe sulme të shënjestruara. Por Teherani nuk është Karakasi
Për disa, Trump po kërkon një rrugëdalje; për të tjerë, ai është gati ta përshkallëzojë sërish aksionin. Ndoshta duke adoptuar “formulën e Venezuelës”, i inkurajuar nga suksesi që pati me Nicolás Maduron, edhe pse Teherani nuk mund të krahasohet në asgjë me Karakasin. Sepse bëhet fjalë për kontekste thellësisht të ndryshme dhe gjeografia e favorizon dukshëm Republikën Islamike.
Sipas informacioneve të publikuara nga Wall Street Journal, SHBA mund të ndërmarrë sulme të kufizuara ndaj Iranit, një veprim i përqendruar që do të shoqëronte bllokadën detare të shpallur të dielën nga presidenti. Dhe pikërisht këtu qëndron paralelizmi me krizën venezueliane. Pentagoni, përpara se të kapte udhëheqësin, zbatoi një manovër të dyfishtë: disa goditje kundër narkotrafikut, të ndjekura nga ndalimi i anijeve cisternë, disa prej tyre të lidhura me Iranin.
Një presion në rritje, që më pas çoi në inkursionin ajror me helikopterë të komandove të Delta Force. Misioni përfundoi pa shumë probleme, përveç plagosjes, sipas versionit zyrtar, të disa ushtarakëve amerikanë. Ishte vetë presidenti ai që e theksoi gjithashtu paralelizmin me dosjen e Karaibeve: “Nëse ndonjë nga motovedetat e shpejta do t’i afrohet qoftë edhe nga larg bllokadës sonë, do të eliminohet menjëherë, duke përdorur të njëjtën metodë eliminimi që përdorim kundër trafikantëve në anijet në det: e shpejtë dhe brutale.”
Përgatitjet që bën Uashingtoni
Avionët e Forcave Ajrore amerikane mund të godasin më pas bunkerë, raketa dhe instalime përgjatë zonës bregdetare. Por mund të vënë në shënjestër edhe infrastrukturë civile. Iranianët, sipas ekspertit Hamidreza Azizi, druhen nga vrasje të tjera të shënjestruara të drejtuesve, veçanërisht nga ana e izraelitëve, të cilët nga ana e tyre e mbajnë të lartë nivelin e alarmit për surpriza të mundshme. Qeveria Netanyahu duket e bindur se veprpimet armiqësore do të rifillojnë.
Të njëjtin mendim ndan edhe studiuesi rus Andrei Frolov: Shtëpia e Bardhë po përpiqet të fitojë kohë, po grumbullon municione dhe më pas po përgatitet për një ofensivë të re në shkallë të gjerë së bashku me IDF-në. Vëzhguesit që ndjekin lëvizjet në ajër dhe në det kanë sinjalizuar hyrjen në Mesdhe të aeroplanmbajtëses Bush, e treta e mobilizuar nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa mbetet i lartë edhe fluksi i avionëve transportues, të nevojshëm për transferimin e materialeve ose trupave në baza.
Ndërkohë, Pentagoni duhet të zbatojë urdhrin e Shtëpisë së Bardhë, duke imponuar kundër-bllokadën e tij ndaj lundrimit përmes ngushticës së Hormuzit.
Njësitë po zbatojnë një skemë të parë edhe më herët në rajon gjatë luftës kundër piraterisë dhe trafikut të armëve, dy plagë që nuk janë zhdukur kurrë. Marina mund të urdhërojë ndalimin e një anijeje cisternë ose të një anijeje mallrash; nëse është e nevojshme, dërgon një skuadër në bord për të verifikuar portin e nisjes dhe atë të mbërritjes. Është i mundur edhe përdorimi i helikopterëve, si në rol mbështetës, ashtu edhe të gatshëm për të “shkarkuar” në kuvertë pjesëtarët e forcave speciale.
Janë ndërhyrje rutinë, por që nuk e përjashtojnë kurrë plotësisht rrezikun: këtë e kujton vdekja e dy anëtarëve të Navy Seals gjatë një operacioni të ngjashëm të kryer pranë brigjeve të Somalisë në janar 2024.
Kundërmasat nga Irani
Dhe e gjithë kjo ndodh në një kontekst aspak të qëndrueshëm. Irani e ka cilësuar lëvizjen e Shtëpisë së Bardhë si një akt piraterie, deklaratë e shoqëruar me mobilizimin e aparatit të tij në sektorin jugor.
Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i Khatam al Anbiya, në praktikë komanda strategjike, ka deklaruar se portet e Gjirit Persik dhe të Detit të Omanit “janë për të gjithë ose për askënd”. Mesazhi është i qartë: do të ketë pasoja për portet e rajonit.
Në thelb, Teherani mbetet i rreshtuar me strategjinë e zgjerimit të vazhdueshëm të krizës, duke përfshirë vazhdimisht monarkitë sunite, por edhe duke u imponuar një kosto kujtdo që duhet të përdorë këtë rrugë ujore. Krerët e Republikës Islamike e kishin premtuar këtë në çdo mënyrë në prag të konfliktit, pa taktika dhe pa paqartësitë e tyre tradicionale. Megjithatë, në Uashington nuk deshën t’i dëgjonin. / Guido Olimpio (Corriere della Sera – botal.al)