Amanda L. Chan
Fatkeqësisht, meraku është pjesë e pashmangshme e jetës. Gjëra të këqia janë të prirura të ndodhin, dhe reagimi i natyrshëm njerëzor është mendimi për pasojat negative që mund të vijnë. Megjithatë, meraku rrallëherë është produktiv – “është dicka që e bëjmë në mënyrë të përsëritur, pa shumë zgjidhje, dhe është tipikisht skenari më i keq i mundshëm për të ardhmen” – shpjegon Jason Moser, profesor në Departamentin e Psikologjisë në Michigan State University, i cili ka kryer studime për merakun. “Ka gjithmonë një element pasigurie, gjithmonë një element katastrofe”, tha ai për Huffington Post. Ndryshe nga frika, e cila ka gjithmonë një burim më të qartë (për shembull një akrep në mur), njerëzit merakosen për një “rrezik në të ardhmen, amorf, të pasigurtë – dicka e keqe që mund të ndodhë”.
Ndërkohë që studimi nuk shpreh qartë se deri në cfarë mase njerëzit janë të prirur të merakosen, është e qartë që disa lloje personaliteti janë më të lidhur me merakun se sa të tjerë. Neurotizmi duket të jetë i lidhur me merakun, për shembull, ashtu sikurse dhe intoleranca e përgjithshme ndaj pasigurisë. Dhe ndërkohë që ndodh që të gjithë të merakosemi, është e mundur që meraku të jetë kaq i shpeshtë, sa që të ketë një impakt të dukshëm në jetën e përditshme.
Por edhe nëse je njeri që merakosesh shumë, nuk është e thënë të “kesh marrë fune” – ka një numër strategjish efektive që ata që merakosen më shumë mund t’i përdorin për ta ndalur ciklin. Moser dhe Christine Purdon, psikologe, profesore dhe drejtore ekzekutive e Qendrës për Kërkime të Shëndetit Mendor në Universitetin e Vaterlosë, ofrojnë disa prej zakoneve dhe strategjive më efektive për të asgjësuar merakun, si dhe disa tepare të njerëzve që meraku “nuk i ka vënë poshtë”.
1. Ata fokusohen në të tashmen
Ndoshta dallimi më i madh mes atyre që merakosen, dhe atyre që “nuk e vrasin mendjen” është aftësia për të qëndruar në të tashmen, dhe të mos vihen poshtë nga gjërat që ende nuk kanë ndodhur. Purdon e quan një “zinxhir meraku” – ideja që një shqetësim, do të shkaktojë një “po sikur”, që nga ana e vet do të shkaktojë një tjetër shqetësim, dhe një tjetër “po sikur” e kështu me radhë. Ata që nuk merakosen kanë aftësinë të shohin një problem dhe të gjejnë zgjidhjen që duhet zbatuar, “por një që merakoset nuk është në gjendje të mbajë atë lloj distance”, shpjegon ajo. “Mendja ecën shumë më shpejt”. Për shembull, le të themi që djali juaj vjen në shtëpi me një notë të keqe. Nëse je njeri që merakosesh, mund të mendosh që prej kësaj ai do të ngelë në klasë, gjë që më pas do e pengojë të hyjë në kolegj. Megjithatë, nëse je njeri që nuk merakosesh, do të kuptosh që problemi i menjëhershëm që ke në duar është se djali duhet të mësojë më shumë në këtë lëndë të caktuar – dhe kaq. “Jam në gjendje të them: Ai zakonisht del mirë në shkollë, është i zgjuar, i dedikuar, do të jetë mirë. Eshtë thjeshtë një shkarje”, thotë Purdon. Ndërkohë që kur të merakosurit i mbërthen ankthi “atëherë fokusi i tyre ngushtohet vetëm tek rreziqet. Ata futen shumë shpejt në ankth”.
2. Praktikojnë meditimin
Duke qenë se të qënruarit në të tashmen është kaq themelor për të larguar merakun, praktikimi i meditimit mund të të ndihmojë që të largosh fokusin nga një problem hipotetik që mund të shfaqet më vonë. “Të mban në të tashmen dhe të ndihmon të jesh më i ndërgjegjshëm për mendimet e tu”, thotë Purdon. Dhe terapia, si për shembull CBT (terapia e sjelljes konjitive) mund të ndihmojë për ndaljen e ciklit negativ, duke qenë se fokusohet në idenë që “të mos luftohen dhe moskonfirmohen shqetësimet, por nxisin njerëzit të fokusohen në jetën dhe vlerat e tyre dhe të fokusohen në të tashmen, me qëllim që të marrin vendime”, shton Moser.
Në një situatë që shkakton shqetësim, truri i tyre në fakt funksionon ndryshe. Moser ka botuar së fundmi një studim në Journal of Abnormal Psychology, ku tregon se truri i atyre që merakosen dhe atyre që nuk merakosen funksionon ndryshe në një situatë stresuese. Për këtë studim, Moser dhe kolegët e tij u kërkuan 71 pjesëmarrëseve femra që të përgjigjeshin pyetësorëve, prej ku do të dilte nëse ishin pozitivë në të menduar, apo negativë. Më pas, pjesëmarrësit panë pamje negative – si për shembull një grua, të cilës një burrë i maskuar i kishte vendosur një thikë në fyt – ndërkohë që aktiviteti i trurit të tyre monitorohej dhe rregjistrohej. Moser zbuloi se truri i atyre që mendonin pozitivisht ishte më pak aktiv se sa ai i atyre që mendonin negativisht (merakoseshin). Në fakt, (të merakosurit shfaqën një efekt paradoksal kundërgoditës në trurin e tyre, kur iu kërkua që të ulnin emocionet negativë”, shpjegoi ai. “Kjo tregon se ata e kanë me të vërtetë të vështirë t’i japin një dimension pozitiv në situata të vështira dhe në fakt i përkeqësojnë emocionet e tyre negativë, atëherë kur u kërkohet të mendojnë pozitivisht”.
3. Janë më të gatshëm të provojnë
Ndërkohë që ata që merakosen e kanë më të vështirë të marrin vendime – atyre u duhet një kohë më e gjatë për arsye se ngecin mes gjithë rezultateve të mundshëm negativë – ata që nuk merakosen janë më të gatshëm të testojnë zgjidhje për një problem, ehde atëherë kur një rezultat negativ është i mundshëm, thotë Moser. Në po të njëjtën mënyrë, ata që nuk merakosen janë gjithashtu më fleksibël në mënyrën si mendojnë për gjërat, me qëllim që të mos ngecin në një “ulluk” të menduari negativisht.
4. Kanë sensin e perspektivës
Ata që nuk merakosen janë në gjendje të distancohen nga një situatë, me qëllim që të fitojnë perspektivë. Megjithatë, ata që merakosen mund ta rrisin perspektivën e tyre, thotë Moser. Një mënyrë për ta bërë këtë është të menduarit për të gjithë skenarët e këqinj të mundshëm, dhe më pas të vlerësohet se sa gjasa ka që secili prej tyre të ndodhë. Për shembull: Nëse një person që merakoset ka frikë mos humbet vendin e punës, ajo mund të kërcejë menjëherë tek skenari më i keq i mundshëm, që është ai ku mund të përfundojë të jetojë poshtë urës, e pastrehë dhe e vetme. Por Moser thotë se të flasësh me një njeri që merakoset për një skenar të tillë e ndihmon atë për të kuptuar se sa i pagjasë është ky rezultat. Moser sugjeron një tjetër strategji të thjeshtë për të fituar perspektivë: Të përdorësh emrin tënd, në vend të “unë” kur flet për emocionet e tua. Për shembull, të thuash “Unë do të dështoj” është disi e ashpër dhe nuk lejon asnjë distancë mes teje dhe asaj gjësë që të shqetëson. Por “nëse flet për veten në vetën e tretë, mund të përftosh një perspektivë më të mirë”, thotë Moser.
5. Ata i shkojnë në rrënjë merakut që kanë
Problemi me merakun është se ai mund të dalë nga kontrolli, deri kur gjëja që të merakos është larguar me dhjetë hapa nga problemet e tu më të afërt. Prandaj është e rëndësishme të kuptosh se cili është problemi, për të ndalur ciklin e merakut. “Kur punoj me njerëz që merakosen, përpiqem që të merrem shumë me identifikimin e problemit, dhe t’i ndihmoj të ndihen rehat me të”, thotë Purdon. “Po, ka disa probleme që mund të shkaktojnë dicka tjetër, por le të mos merakosemi tani, sepse nuk po ndodh tani”. Eshtë e rëndësishme të kalojmë nga gjenerimi i problemit, gjë që ata që merakosen janë të prirur ta bëjnë, tek zgjidhja e problemit. “Ata që merakosen mendojnë që, ajo që po bëjnë është konstruktive – që duke u paraprirë problemeve të ardhshëm, i ndihmon në një farë mënyre”, thotë Purdon. “Eshtë e arsyeshme, deri në një farë mase, por kur fillojnë, pastaj nuk ndalojnë dot më”.
6. Ata nuk pushojnë së merakosuri. Thjeshtë caktojnë një kohë për këtë
“Një prej arsyeve përse njerëzit merakosen është se mendojnë: Ky është një problem që duhet ta zgjidh tani, më duhet të planifikoj dhe t’u paraprij këtyre pasojave. Kjo gjë u shkëput vëmendjen nga ajo që duhet të bëjnë, qoftë kjo punë, bashkëshorti, fëmijët, cfarëdolloj gjëje”, shpjegon Purdon. Kështu që, ajo rekomandon përdorimin e një strategjie që quhet “karrikja e merakut”. Ja se si funksionon: 15 minuta në ditë, duhet të qëndrosh vetëm duke menduar për shqetësimet e tua. Mos u merakos fare jashtë këtyre 15 minutave, dhe sigurohu që “seancën e merakut” ta kryesh në po të njëjtin vend (prandaj dhe termi “karrikja e merakut”) cdo ditë. “E dini c’do të thotë kjo? Që kur të jeni të merakosur gjatë ditës, do të mendoni: për këtë do të mendoj më vonë. Le ta heq tani vëmendjen dhe të mendoj për gjëra të tjera”, thotë Purdon. “Duke i dhënë vetes leje të merakosen për dicka, por më vonë, ata e largojnë vëmendjen nga mendimi negativ”.
7. Ata kanë besim se do ta zgjidhin, cfarëdolloj problemi që t’u vijë
“Njerëzit që merakosen shumë jo vetëm gjenerojnë ide për gjëra që mund të shkojnë keq, por atyre u mungon edhe besimi në aftësinë e tyre për të përballuar atë që mund të shkojë keq”, shpjegon Purdon, duke shtuar se kjo është ironike, po të kesh parasysh që ata që merakosen, në fakt kanë performancë shumë të mirë gjatë një krize, përderisa kanë kaluar kaq shumë kohë duke menduar për skenarët më të këqinj të mundshëm. Dhe kanë aftësi normale të përballimit të streseve. Ata që nuk merakosen, nga ana tjetër, zotërojnë besimin që nëse dicka do të ndodhë, ata thjeshtë do ta përballojnë.
8. Ata kanë aftësinë të shohin pasoja pozitive edhe në situata të vështira
Marrim fotografinë që Moser përdori në studimin e Journal of Abnormal Psychology dhe që u përmend më lart. Nëse sheh fotografinë e një gruaje, të cilës një burrë me maskë i ka vënë thikën në fyt, cili mendoni që do të jetë rezultati i menjëhershëm? Ai që merakoset do të mendonte skenarin më të keq, ndërkohë që ai që nuk merakoset do të kishte aftësinë të mendonte: “Ajo grua është në telash, por ndoshta shkëputet nga ai burri dhe largohet me vrap”, shpjegon Moser. Ata që nuk merakosen kanë aftësinë të mendojnë që, nga një situatë negative mund të ketë një rezultat pozitiv.
9. Ata i bëjnë vetes pyetjet e duhura
Ata që merakosen dhe që përpiqen të frenojnë tendencën për t’u shqetësuar mund ta kenë të dobishme nëse i bëjnë vetes një seri pyetjesh kur i kanë hyrë një rruge negative. “Pyet: A është problemi im? Dhe e dyta: A kam unë ndonjë kontroll mbi të?”, thotë Purdon. “Së treti, pyetja tjetër që nejrëzit mund t’i bëjnë vetes është: “A kam bërë gjithcka që mundem? Dhe a është i afërt risku? Nëse jo, atëherë nuk kam arsye të merakosem tani”.
10. Ata dinë të kuptojnë emocionet e tyre negative
“Ata që merakosen më shumë janë dhe ata që i pranojnë më pak emocionet e tyre, që do të thotë se janë jotolerantë ndaj pasigurisë dhe në mënyrë të vecantë i shohin si krejt të papranueshëm emocionet negativë”, shpjegon Moser. Ndërkohë, njerëzit që janë psikologjikisht më të shëndetshëm kanë prirjen t’i shohin emocionet negativë si një shenjë se cfarëdolloj gjëje që po i shkakton ata – marrëdhënie, punë, fatura – ka nevojë për vëmendje. (Huffington Post – Bota.al)