Kush prej jush nuk e ka parë kurrë këtë pikturë? Është shumë e famshme dhe mund të gjendet pothuajse në çdo shtëpi. Është “Shën Maria” më e riprodhuar e të gjitha kohërave.
Në fakt, piktura portretizon një vajzë njëmbëdhjetëvjeçare, Angela Cian, me vëllanë e saj më të vogël Giovanni në krahë. Piktori Roberto Ferruzzi (Dalmaci 1853 – Luvigliano, Euganean Hills, 1934) ishte djali i një avokati të njohur dhe, pas studimeve klasike, u regjistrua në fakultetin juridik të “Universitetit të Padovës”.
Ai ishte shumë i talentuar në pikturë. Ndërsa vazhdonte kurset universitare, studionte edhe për vizatim dhe pikturë, si dhe iu përkushtua muzikës. Në vitin 1879 u vendos në Luvigliano (Kodrat e Euganeanit) ku iu përkushtua ekskluzivisht pikturës, duke krijuar një muze kulturor që u bë destinacioni i artistëve më të mëdhenj të kohës.
Një ditë ai pa një vajzë, Angelina Cian, e dyta nga pesëmbëdhjetë fëmijët e familjes së saj, që mbante në krahë vëllanë e vogël Giovanni në gjumë. Imazhi i tyre e la pa fjalë piktorin për ëmbëlsinë qëtransmetonin fëmijët, dhe ai e riprodhoi atë në një pikturë, të cilën e titulloi “Mëmësia”. Piktura u ekspozua në Bienalen e Venecias në 1897 dhe u shpërblye, mirëpo suksesi që pati, bëri që nga artistët e tjerë të kërkohej ndryshimin e titullit në “Shën Maria”.
Piktura është blerë për tre mijë lireta, një shifër astronomike për kohën dhe është rishitur disa herë. Në fund, ajo u ble nga vëllezërit Alinari, fotografë të njohur nga Firence, të cilët e ekspozuan në studiot e tyre. Ajo u rishit ende, por vëllezërit Alinari rezervuan të drejtat e riprodhimit. “Shën Mëria” u riprodhua në mijëra kopje, bileta, “karta të shenjta”, si dhe objekte kulti.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ambasadori amerikan në Francë, John G.A. Leishman, e bleu pikturën, por gjatë udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës anija u përmbys dhe bukuroshja Maria përfundoi në fund të detit. Disa pretendojnë se nuk ka humbur, por gjendet në një koleksion privat në Pensilvani.
Vajza në portret, Angelina, e cila frymëzoi Marinë, ishte zhvendosur ndërkohë në Venecia. Ajo u martua dhe shkoi me burrin e saj, në 1906, në Kaliforni, në Oakland. Ajo kishte dhjetë fëmijë, por lumturia e saj u shua me vdekjen e papritur të të shoqit. E ve, ajo nuk ishte në gjendje të përballonte fatkeqësitë e jetës; fëmijët e saj u strehuan në një jetimore dhe ajo, e dëshpëruar, u internua në një azil. Vdiq në vitin 1972.Ajo nuk e dinte se fytyra e saj do të frymëzonte miliona besimtarë në mbarë botën.