Ditët e fundit një valë dezinformimi ka goditur kundërshtarin politik të vdekur tashmë të Vladimir Putinit, Alexei Navalny dhe gruan e tij Yulia Navalnaya. Trashëgimia politike e disidentit është në shënjestër, përmes përdorimit të imazheve të manipuluara dhe audiove të rreme të krijuara me inteligjencë artificiale
Fjala “nazist” është ndër më të kërkuarat e ditëve të fundit në Itali dhe jo vetëm, në lidhje me disidentin politik rus Alexei Navalny, vdekja e të cilit u njoftua më 16 shkurt. Temat “nazizëm” dhe “neonazizëm” shohin gjithashtu një rritje të madhe, tek shihen të lidhura me emrin e tij.
Që nga vdekja e kundërshtarit politik të Vladimir Putinit, narrativa të ndryshme dezinformuese kanë vënë në shënjestër figurën e tij dhe të disa anëtarëve të familjes së tij, siç raportohet nga monitorimi i njësive të ndryshme gazetareske dhe institucionale të kontrollit të fakteve, si AFP dhe Task Forca Stratcom e Bashkimit Evropian. Sipas një prej këtyre rrëfimeve, vendet perëndimore janë të prirura të krijojnë një idhujtari përreth figurës së Navalny-t, pavarësisht lidhjes së tij të deklaruar me nazizmin.
Akuzat kundër Navalny-t manifestohen përmes shpërndarjes së imazheve të manipuluara dhe informacioneve mashtruese, të tilla si fotot e rreme të tij me një tatuazh të Adolf Hitlerit, që synojnë të vërtetojnë aderimin e tij në ideologjinë naziste.
Edhe pse Alexey Navalny e ka konsideruar gjithmonë veten nacionalist dhe në një fazë të hershme politike ka marrë pjesë në demonstratat e ekstremit të djathtë, si dhe ka shprehur mendime ksenofobe ndaj disa pakicave, ai kurrë nuk ka aderuar në ideologjinë naziste.
Gjatë evolucionit të tij politik, ai hoqi dorë publikisht nga pozicionet më radikale dhe më pas i hyri një rruge që shënoi trajektoren e tij kryesore politike deri në vdekje: luftën kundër autoritarizmit joliberal të qeverisë së Vladimir Putinit, shpesh duke përdorur denoncimin e korrupsionit të institucioneve ruse, si mjetin kryesor të luftës.
Dezinformatat kundër Yulia Navalnayas, gruas së Navalny
Julia Navalnaya, gruaja e disidentit rus që vendosi të vazhdojë trashëgiminë politike të bashkëshortit të saj, është bërë gjithashtu objektiv i sulmeve të dezinformatave. Rrëfimi kryesor në lidhje me të ka të bëjë me lehtësinë me të cilën, pas vdekjes së të shoqit, ajo ka nisur marrëdhënie romantike me burra të tjerë.
Imazhe dhe audio të ndryshme të manipuluara shoqërojnë këtë informacion të rremë. Një foto e bërë nga agjencia AFP në të cilën Navalnaya përqafon burrin e saj, u retushua duke e zëvendësuar Navalnyn me një mashkull tjetër.
Një foto tjetër e Nvalnayas së bashku me Yevgeny Chichvarkin, një sipërmarrës rus dhe kundërshtar i zjarrtë i Putinit, i cili u largua në Britani në vitin 2008, u hoq jashtë kontekstit për të diskredituar gruan e disidentit. “Unë dhe i dashuri im i ri jemi thellësisht të pikëlluar nga vdekja e bashkëshortit tim”, lexohet në një postim në Twitter (X), ku bashkangjitur ndodhet fotoja në fjalë dhe ku deklarata i atribuohet gruas.
Fotoja në fakt është e datës 17 gusht 2021, shumë kohë përpara vdekjes së Alexey Navalnyt, dhe u publikua në profilin e Yevgeny Chichvarkinit në Instagram. Sipërmarrësi është gjithashtu një mik i familjes Navalny dhe ka financuar projekte që lidhen me fondacionin e tyre.
Po ashtu qarkullon një audio e rremë, e krijuar me inteligjencë artificiale, në të cilin nëna e Alexei Navalnyt duket se fajëson Navalnayan, se e ka shtyrë djalinër sht që të kthehej në Rusi. Audioja e rreme gjithashtu akuzon Navalnayan se ka përfituar nga vdekja e burrit për të përfituar dhe për të dalë me burra të tjerë. / truthhub – bota.al