EkonomiMAIN

Kriza në zemrën industriale të Gjermanisë

Rruga gjarpëruese nëpër fshatrat gjermane nga Shtutgarti në qytetin e vogël të Mulfingen të krijon një ide, se ky rajon jugperëndimor është qendra e disa kompanive që janë liderë të tregut global në fushën e veprimtarisë së vet.

Por pjesa në veri-lindje të Baden-Württemberg krenohet me disa firma të specializuara që përbëjnë Mittelstand-in, bazën e kompanive inxhinierike të vogla dhe të mesme, shtylla kurrizore e ekonomisë gjermane, që e kanë zili në mbarë botën.

Prodhuesja i ventilatorëve ebm-papst ka selinë në Mulfingen – një qytet me një popullsi prej rreth 3,600 banorësh. Produktet e saj gjenden në të gjithë botën në makina, pajisje shtëpiake dhe qendra të dhënash.

 Kriza energjetike, mungesa e fuqisë punëtore dhe ndërprerja e shkaktuar nga pandemia në zinxhirët e furnizimit po akumulon presion mbi këto biznese, të cilat tradicionalisht janë familjare dhe nuk kanë xhepa të thellë, si gjigantët e korporatave gjermane.

Me Gjermaninë e përgatitur për recesion, mënyra se si reagon kjo qendër industriale do të ndihmojë në formimin jo vetëm të së ardhmes së vendit, por edhe të eurozonës në tërësi. GDP-ja e Gjermanisë parashikohet të jetë e treta më e dobët në vendet e G20 (-0.3%) këtë vit, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, pas Rusisë dhe Britanisë. Prodhimi përbën rreth një të pestën e ekonomisë së Gjermanisë, më shumë se dyfishi i 9%-shit të Britanisë dhe Francës dhe shumë përpara 15%-shit të Italisë.

Rreth 4,000 persona punojnë për ebm-bapst në Mulfingen, punëdhënësi më i madh industrial në rajon. E themeluar në vitin 1963 nga Gerhard Sturm, kompania, e cila e quan veten një “kampione e fshehur”, mbetet në pronësi të familjes, por është drejtuar vitin e fundit nga shefi ekzekutiv, Klaus Geißdörfer. Nën udhëheqjen e tij, ajo vendosi t’i japë fund prodhimit të ventilatorëve për makina dhe e ka zhvendosur stafin në propdhimin e teknologjive të reja, të tilla si ventilatorët për pompat e nxehtësisë dhe për ftohjen e qendrave të të dhënave.

“Ne menduam se është më mirë të fokusohemi në gjërat ku jemi vërtet më të mirët në botë,” thotë Geißdörfer nga zyra e tij. “Vendosëm të rrisim ndjeshëm kapacitetet tona, të cilat do t’i forcojmë vitin e ardhshëm, sepse për momentin nuk jemi në gjendje të ndjekim kërkesën.”

Pavarësisht përfitimit nga lulëzimi i shitjeve në ventilatorët për teknologjitë e rinovueshme, vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për ebm-papst. Bllokimet e shkaktuara nga Covid në Kinë dhe ndërprerja e zinxhirit të furnizimit i ndaluan herë pas here linjat e saj të prodhimit gjerman, gjë që sipas Geißdörfer “nuk ka kuptim”. Si rezultat, kompania ka punuar për të siguruar më shumë pjesë prodhimi në vend, si dhe në SHBA dhe Kinë.

Pak më poshtë ndodhet selia e prodhuesit pothuajse 80-vjeçar të vidhave dhe fiksuesve Würth, pranë Bürkert, një prodhues i sistemeve të matjes dhe kontrollit për lëngjet dhe gazrat. “Rajoni ka shumë kompani lidere të tregut botëror”, thotë Donata Lell, e cila drejton një bujtinë dhe restorant vendas. Ajo beson se baza industriale rrit fuqinë shpenzuese të klientëve të saj: “Njerëzit këtu fitojnë më shumë para”.

Geißdörfer, i cili vjen nga Bavaria fqinje, është i bindur se komuniteti i vogël i Mulfingenit është një vend i mirë për të drejtuar një biznes prodhimi. “Kemi njerëz të zgjuar këtu. Më pëlqen shpirti që kanë njerëzit këtu, ata janë shumë entuziastë”, tha ai.

Por a ka kompania mjaftueshëm nga ata njerëz, sa të plotësojë kërkesën në rritje? Pavarësisht pozitivitetit të Geißdörfer, ebm-papst ka vështirësi në gjetjen e personelit me aftësitë e duhura, si dhe probleme në marrjen e komponentëve, të tillë si gjysmëpërçuesit. Është përpjekur për të zgjidhur mungesën e punëtorëve duke ofruar punë në distancë personelit në role administrative, plus udhëtime falas me autobus për në punë për punonjësit që jetojnë brenda një rrezeje 40 km (25 milje), një përfitim i shfrytëzuar nga rreth 1500 njerëz.

Mes presioneve të kostove dhe çmimeve më të larta të kërkuara nga furnitorët e saj, pjesëtarë të stafit thonë se po luftojnë me krizën e kostos së jetesës. Ata i kanë ngritur shqetësimet për vështirësitë e tyre personale financiare drejtpërdrejt tek Geißdörfer.

“Kisha njerëz që vinin tek unë dhe më thoshin ‘Nuk mund të blej më dhurata për Krishtlindje për fëmijët e mi’, thotë ai. “Flas me njerëzit dhe ata thonë: “Unë nuk mund të përballoj më pushimet”.

Gjatë verës, kompania i pagoi stafit një shtesë prej 2,500 € në pagesa për mbulim të kostove të jetesës, të bëra në pesë këste mujore prej 500€, nga tetori e në vazhdim.

“Ne u qëndrojmë pranë njerëzve dhe i mbështesim ata në kohë të vështira,” tha Geißdörferfer, duke e përshkruar këtë si një pikë të fortë të Mittelstand. “Kjo është gjëja pozitive me këtë lloj strukture biznesi familjar që kemi në Gjermani. Shoh edhe kompani të tjera që bëjnë gjëra të ngjashme.”

Megjithatë, kjo mund të mos mjaftojë. Sindikata e IG Metall, punonjësve të çelikut, më e madhja në vend, përfaqëson punëtorët në vendet e tjera ku vepron ebm-papst në Gjermani, por jo në qendrën e saj kryesore në Mulfingen, si rezultat i një marrëveshjeje historike. Po punojmë për të futur këmbën edhe aty, thotë Uwe Bauer, përfaqësuesi i IG Metall për rajonin Schwäbisch Hall.

Bauer tha se sindikata kishte rekrutuar disa qindra anëtarë në Mulfingen muajt e fundit, teksa punëtorët kuptuan se punësimi i plotë në vend kishte krijuar “një treg punëmarrësish”. “Bizneset duhet të rimendojnë se çfarë të bëjnë për punëtorët e kualifikuar,” thotë ai.

“Ne kemi shumë kërkesa se cilat kompani janë të detyruara me marrëveshje kolektive të pagave. Pagat luajnë një rol, por po ashtu edhe orari i rregullt i punës.”

Oferta e pagave e ebm-papst në nivel kombëtar është gjerësisht në përputhje me marrëveshjen kolektive të arritur midis IG Metall dhe punëdhënësve në Baden-Württemberg në fund të nëntorit, megjithëse punëtorët në Mulfingen nuk i nënshtrohen kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja e pagave, e cila përcakton standardin për rritjen e pagave për pothuajse 4 milionë punëtorë të sektorit të metaleve dhe elektrik në të gjithë Gjermaninë, rrit pagat e punëtorëve me 5.2% nga qershori dhe 3.3% nga maji 2024. Ata gjithashtu do të marrin një “bonus inflacioni” prej 3,000 €, siç e quan sindikata.

Marrëveshja është bujare për nga standardet historike, por tërhoqi disa kritika për zbatimin nën normën e inflacionit prej 10% në nëntor.

Sigurimi i pjesëve mbetet një sfidë duke pasur parasysh mungesën globale të çipave gjysmëpërçues që nga fillimi i pandemisë. Në garën për të marrë këto komponentë jetik, kompanitë e Mittelstand e gjejnë veten të paafta për të konkurruar financiarisht me prodhuesit më të mëdhenj gjermanë, veçanërisht prodhuesit e makinave.

“Si kompani mund të rritemi më shpejt nëse mund të marrim më shumë gjysmëpërçues,” thotë Geißdörfer. “Në një farë mënyre, ne konkurrojmë. Por industria po konkurron me industrinë e automobilave, industrinë diellore dhe industrinë e energjisë së rinovueshme, dhe ne të gjithë kemi nevojë për të njëjtët lloj materialesh elektronike.”

Qeveria duhet të bëjë më shumë për të mbështetur rrjetin jetik të kompanive të vogla dhe të mesme, thotë ai, veçanërisht me rritjen e kostove të energjisë, të cilat ai beson se po i bëjnë firmat evropiane globalisht jo konkurruese në krahasim me rivalet aziatike ose amerikane. Rënia së fundi e çmimeve të energjisë ka ofruar vetëm një fije shprese.

“Unë kam vërtet shqetësime për kompanitë më të vogla gjermane dhe ato të mesme që varen shumë nga energjia. Ato kanë probleme reale për të punuar për t’u përballur me ato rritje të mëdha të energjisë.”

Ndërsa mirëpret mbështetjen e qeverisë me faturat e energjisë, Geißdörfer dhe bosët e tjerë të Mittelstand kanë frikë se qeveria nuk ka një strategji të qartë industriale, veçanërisht ndërkohë që e largon vendin nga gazi i lirë rus.

Vendimi i qeverisë së Angela Merkelit për të fikur termocentralet bërthamore pas katastrofës së Fukushimës në Japoni në vitin 2011, e ka lënë atë të ekspozuar ndaj gazit nga Kremlini.

“Në Gjermani kemi nevojë të rishpikim veten”, thotë Geißdörfer, duke pranuar sfidat gjeopolitike, duke përfshirë tranzicionin energjetik dhe Brexit. “Ne jemi ende mjaft të fortë dhe kemi para të mjaftueshme dhe mund ta përballojmë, por duhet ta bëjmë këtë shpejt, të mendojmë se si të kemi një ekonomi të qëndrueshme. Por jemi një minutë para mesnate.” / The Guardian – Bota.al

Back to top button