BotaMAIN

Ku do të ndalet ushtria ruse në Ukrainë? Ja çfarë thotë këshilltari i ngushtë i PutinIt

Nga Francesco Bechis

“Formiche.net

Tonet profetike dhe nganjëherë apokaliptike me të cilat foli Vladimir Putin për luftën ruse në Ukrainë nga forumi i Shën Petersburgut, dhe premtimi për ndërtimin e një “bote të re”, e tradhtojnë retorikën e “operacionit special” në Donbas.

Lufta është më tepër episodi i parë i një sfide epokale që Rusia po i bën Perëndimit. Këtë e konfirmon në një intervistë për Formiche.net, Sergei Karaganov, këshilltari për politikën e jashtme i Putinit, themelues i “Klubit Valdai”, dhe një nga politologët më të njohur në Moskë.

Putin premton se Rusia nuk do të bëjë hapa pas. Megjithatë, vendi duket se po shkon drejt autarkisë. Edhe forumi i Shën Petërburgut ishte e braktisur nga një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar…

Kam përshtypjen se izolimi i Rusisë nuk do të zgjasë shumë në të ardhmen. Natyrisht, ne do të ruajmë masat proteksioniste, dhe do ta përshtatim ekonominë kombëtare sipas rrethanave aktuale. Tek e fundit, ndërvarësia shpesh nënkupton cënueshmëri. Ne nuk duam të izolohemi dhe nuk do ta bëjmë këtë.

Për presidentin rus, bota unipolare ka marrë fund tashmë. Jeni i bindur për të?

Mendoj se ka mbaruar prej kohësh, prej të paktën 10 apo 15 vjetësh. Unë jam optimist: e shumta brenda 10 viteve, Evropa do ta kuptojë se bota në të cilën jetoi ka marrë fund.

Dhe çfarë bote do te kemi tani?

Sot bota po hyn në një fazë kaosi dhe anarkie. Nesër, kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa të përshtaten me një rend të ri ndërkombëtar, më të lirë ideologjikisht dhe politikisht, unë shpresoj që të jetë një botë në paqe, në të cilën rusët do të duan të kontribuojnë.

Megjithatë kemi luftën e nisur nga Rusia kundër Ukrainës, e cila po i shkakton një kosto të madhe Moskës…

Në një periudhë afatshkurtër, kostoja do të jetë e lartë, kjo ishte e pashmangshme. Ne e kuptuam se bota po shkonte drejt luftës. Dhe këtu nuk po flas vetëm për Ukrainën. E kam fjalën për paaftësinë e elitave perëndimore për t’u përshtatur me një botë të re, dhe këmbënguljen për të shtyrë atë që nuk mund të shtyhej më.

Në botën e re, Rusia do të varet nga Kina. Por deri më tani, duke lënë mënjanë fjalët, Pekini nuk ka marrë një pozicion të qartë në mbrojtje të pushtimit tuaj…

Kjo është ajo që lexoni në gazetat perëndimore. Ne i dimë faktet: Kina po e ndihmon dhe do të vazhdojë ta ndihmojë Rusinë, pasi e kupton shumë mirë se nëse humbet Rusia, edhe Kina bëhet shumë më e pambrojtur. Por Rusia po e fiton luftën.

Për çfarë lufte flisni? Dështoi plani për pushtimin e Kievit dhe përmbysjen e qeverisë ukrainase. Ndërkohë ka ende luftime në Donbas

Rusia po fiton në “operacionin e saj special”. Nuk ka asnjë dyshim se gjatë konfliktit objektivat kanë ndryshuar disa herë. Sot synimi ynë kryesor është ta çlirojmë Ukrainën Lindore nga “fashistët” e Kievit.

Qëllimi i parë, për ta pushtuar të gjithë Ukrainën, ka dështuar. A dëshiron Putini ta provojë sërish?

Personalisht, unë mendoj se është një mision shumë i kushtueshëm. Në Moskë ka pikëpamje të ndryshme mbi këtë çështje. Përballë dobësisë së ushtrisë ukrainase të financuar dhe mbajtur në këmbë nga ndihma e Perëndimit, ka nga ata që argumentojnë se duhet të mbërrijmë deri në Kiev. Unë vetë shpresoj për një operacion më të shkurtër në kohë, dhe më pak të kushtueshëm për sa i përket jetëve njerëzore.

A është Odesa një objektiv i Putinit?

Fatmirësisht, unë nuk jam një strateg ushtarak. Për sa na përket neve, Odesa ka qenë gjithmonë një qytet rus. Siç e tha Putin, Ukraina u shkëput nga ne nga lidershipi komunist.

Ukraina u bë e pavarur me një marrëveshje ndërkombëtare. Dhe pushtimi rus është në kundërshtim me çdo rregull të së drejtës ndërkombëtare…

Mjerisht, gjatë 20 viteve të fundit kanë mbetur shumë pak gjëra nga e drejta ndërkombëtare. Ne kemi parë shkatërrimin e Jugosllavisë nga NATO, pushtimin e Irakut, bombardimin e Libisë. Sot jetojmë në një botë pa rregulla. / Formiche – Bota.al

Back to top button