Kulture

KULTURE / Eshtë epoka e narcizistëve

Egocentrik dhe pak i prirur për marrëdhënie të qëndrueshme. Eshtë burri i kohëve të sotme, i përshtatur në një epokë në të cilën joshja vepron edhe në politikë dhe në publicitet

Thuhnarcisiet se narcisismi është e keqja e kohës sonë. Ashtu si në legjendën klasike (Narcisi është një djalosh që dashurohet pas pamjes së tij të reflektuar në liqen, deri sa vdes) sot shumë burra duken të obsesionuar nga pamja e tyre, të paaftë për të krijuar lidhje të qëndrueshme për arsye se janë të përqëndruar tek suksesi i tyre personal. Një fenomen i ushqyer edhe më shumë nga tregjet dhe pjesërisht i paralajmëruar nga joshës të mëdhenj të së shkuarës, si Don Zhuani apo Kazanova, figura më të interesuara për të koleksionuar pretë e tyre se sa në kërkim të dashurisë autentike. Një bisedë me filozofin Umberto Curi.

Figura e mashkullit joshës, i ashtuquajturi “feminist”, të kujton legjendën e Narcisit: një burrë që nuk lidhet me asnjë grua sepse është i përqëndruar tek vetvetja. Jeni dakord?

Jo plotësisht. Koncepti ynë për narcizismin buron prej interpretimit të babait të psikanalizës, Sigmund Freud. Në të vërtetë, miti i Narcisit, në versionin e Ovidit kishte një domethënie më të pasur: Narcisi pasqyrohet dhe vdes jo prej dashurisë për vetveten, por sepse ka parë veten, pra e ka njohur në thellësi. Eshtë emblemë e brishtësisë së gjendjes njerëzore.

Por një don zhuan a nuk është edhe i tillë? Kërkimi i vazhdueshëm për gra nuk pasqyron në fund të fundit frikën e tij për të parë brenda vetvetes dhe që të tjerët të shohin brenda tij? Jo më kot Don Zhuani pasqyrohet gjithmonë me një maskë…

Pikërisht kjo na bën të kuptojmë që Don Zhuani nuk është thjeshtë një joshës. Joshësi i vërtetë është ai që u jep vlerë cilësive të tij, me qëllimin që të tërheqë dhe fitojë objektin e dëshirave të tij. Ia del më mirë nëse nuk përdor maska, duke vepruar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërsa Don Zhuani fshihet vazhdimisht pas maskave dhe sa herë që e bën përfundon që zbulohet.

E megjithatë sot, shprehja “don zhuan” konsiderohet ekuivalenti i feministit, i pushtuesit të femrave…

Në versionin origjinal të Tirso de Molina, Don Zhuani thotë: “Unë jam mashtruesi i Seviljes dhe kënaqësia ime më e madhe është të mashtroj gratë”. T’i mashtrosh nuk do të thotë t’i bësh për vete. Autori spanjoll që na ka sjellë këtë personazh ka qenë një frat, dhe komedia e tij kërkonte t’i përgjigjej një pyetjeje teologjike që në vitet gjashtëqind, në kulmin e polemikës mes katolikëve dhe protestantëve, ishte bërë madhore: konvertimi in extremis mund të shpëtojë shpirtin? Faji i vërtetë i personazhit nuk ishte pra mospërfillja e gruas, por mospërfillja e Zotit: Don Zhuani ishte një lloj Antikrishti. Kur komediografi Molier e mori personazhin e tij, më shume se 30 vjet më vonë, i shtoi një tjetër element: në një skenë, Don Zhuani është i gatshëm t’i japë lëmoshë një lypësi, nëse ky është i gatshëm të mallkojë. Këtu figura e tij ka evoluar: është bërë një njeri i shthurur.

Por “i shthurur” – “libertin” nuk do të thotë i ligë, qejfli, imoral?

Një tjetër ekuivok. “Libertin” është një term që në origjinë është përdorur për filozofët që refuzonin dogmat, kritikonin fenë dhe mbronin lirinë e kërkimit racional. Libertini është rebel kundrejt një shoqërie hipokrite dhe konformiste. Pra, aspak i ligë dhe imoral.

Ashtu si në rastin e mitit të Narcisit, jemi përballë dy termave të tjerë që sot kanë marrë një domethënie krejtësisht të ndryshme, madje ndoshta dhe të kundërt në krahasim me domethënien e tyre fillestare: libertin dhe donzhuan. Si ka mundësi?

Përdorimi i papërshtatshëm i termit libertin buron prej asaj që bënë kritikuesit e tij, për të cilët rebelimi ndaj moralit të ngurtë borgjez të bënte të ishe i ligë dhe i shthurur. Më e vështirë të shpjegohet përkeqësimi i figurës së don zhuanit. Ndoshta ka ndodhur kur, në mesin e viteve tetëqind, në mjekësi u identifikua si “sindroma e Don Zhuanit”, që ishte praktikisht kërkimi i vazhdueshëm për një partner. Ose ndoshta sepse personazhit të Don Zhuanit i është mbivendosur figura reale dhe jo letrare, e Xhakomo Kazanovës.

Kazanova ishte një joshës i vërtetë?

Ai po: ishte një koleksionist erotik, i shtyrë nga dëshira për të pasuruar listën e grave që kish bërë për vete, edhe sepse objektivi i tij ishte që të shkruante, pra të rrëfente aventurat e tij. Por mënyra e tij e të joshurit nuk kishte asgjë false: përkundrazi, Kazanova ishte bindës pikërisht sepse para grave shfaqej ai që ishte, pa veshur maska. Të kujton në disa drejtime personazhin e Xhejms Bondit, burri që i bën për vete gratë pa bërë sikur, dhe pa u fshehur. I mjafton të prezantohet: “Mua më quajnë Bond. Xhejms Bond”.

Nuk mendoni se Xhejms Bond, në versionet e fundit kinematografikë, është ezauruar duke u shndërruar në parodi të vetvetes? Nuk josh më…

Mitet e sotëm, praktikisht shërbejnë më shumë për të sugjeruar një stil për t’u kopjuar, një model me të cilin të pajtohemi. Nuk kanë thellësinë dhe kompleksitetin e joshësve të mëdhenj të të kaluarës. Don Zhuani, pavarësisht historisë së dobët (mjafton të mendosh që një nga protagonistët është një statujë që flet…) ka zgjatur me shekuj, duke pësuar metamorfoza të vazhdueshme. Në të kundërt, modelet bashkëkohorë të joshjes – për shembull ata që janë përshtatur nga reklamat – në momentin kur ideohen e kanë tashmë një datë skadimi. Preferohen personazhe më të rrafshtë, të përshtatur për konsum të menjëhershëm.

Praktikisht sot joshja duket se ka kaluar nga fusha e sfidës mes gjinive, në kontekste të tjerë, si publiciteti dhe politika. Si ka ndodhur ky ndryshim?

Në vetvete, koncepti i joshjes është një koncept “luftarak”, që përfshin edhe përdorimin e dhunës. Në latinisht, se-ducere do të thotë “të marrësh me vete”, me nëntekstin që bëhet fjalë për diçka që ndodh kundër vullnetit, ose në dëm të atij që detyrohet “të merret me vete”. Pra nuk të habit që joshja është përshtatur si armë pushtimi nga politika-spektakli apo nga publiciteti. Nuk duhet harruar që, siç thoshte gjenerali prusian Carl von Clausevitz, “lufta është vetëm vazhdimi i politikës, por me mjete të tjerë”. Dhe publiciteti nuk është aspak një sferë paqësore, por një fushë ku preja është konsumatori. Në fund të fundit, populli që lejon të joshet – nga politikani apo reklamuesi – është i ngjashëm me një masë të paarmatosur, pa instrumenta mbrojtës ndaj ofensivës që po pëson. Ndërkohë që sot – fatmirësisht – është e vështirë të mendosh që një grua e lirë dhe e vetëdijshme, siç është në të vërtetë gruaja moderne, mund të korrespondojë me modelin e viktimës së pambrojtur.

Ndoshta fakti që “donzhuani” dhe “kazanova” konsiderohen sot sinonimë duhet të na shkaktojë alarm. Duket se kërkohet që të harrohet ana shumëplanëshe e joshjes, gjithmonë në balancën mes tërheqjes dhe mashtrimit…

Sot më shumë se kurrë, me afirmimin e dominimit të teknologjisë, ekziston tendenca për ta bërë gjithçka të pranueshme dhe të kuptueshme, edhe kur nuk është aspak. Kështu, konceptet varfërohen dhe thjeshtësohen. Veç kësaj, thjeshtësimi bashkë me pretendimin për të ofruar siguri dhe eleminuar çdo lloj dyshimi, janë strategji joshëse që në kohët tona janë shumë në modë (mbi të gjitha në politikë) dhe prej të cilave duhet të mësojmë të mbrohemi.

Ndoshta do të vlente pena e Oskar Uajld, që i ftonte njerëzit të mos besonin tek siguritë. Aforizmat e tij, që citohen shumë edhe sot, bazohen në fakt mbi kontradikta: “Duhet të jemi sipërfaqësore që të mos kujdesemi për dukjen”, “I rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve”, “Gjërat më të këqia bëhen me qëllimet më të mirë”…

Uajld, në fundin e Tetëqindës ishte dëshmitar i kalimit nga kriza e aristokracisë angleze, tek afirmimi i borgjezisë. Kjo e fundit ishte një forcë e jashtëzakonshme rinovimi, por kishte edhe një frenim të fortë të llojit moralist. Uajld ishte ndoshta dëshmitari kryesor i këtij momenti tranzicioni dhe e rrëfeu jo vetëm me veprën e tij, por edhe me jetën e tij. Dhe na pëlqen edhe sot, pikërisht sepse na kujton se sa shumë realiteti i shpëtn çdo lloj tentative për thjeshtësim.

Si konkluzion: a mund të themi se rizbulimi i joshësve të mëdhenj të shekujve të kaluar, si Don Zhuani, Kazanova, apo Oskar Uajld mund të na ndihmojë për të kuptuar se çfarë jemi sot?

Rileximi i mitit të Don Zhuanit, në të gjithë transformimet e tij nga gjashtëqinda e deri më sot, na lejon të kuptojmë se si ka evoluar burri bashkëkohor. Kazanova, në Kujtimet e tij, na lejon të kuptojmë sekretet e artit të joshjes, që sot ka hyrë në sektorë të ndryshëm nga ai erotik. Ndërkohë që një personazh si Oskar Uajld, me analizën e tij inteligjente të ambivalencës njerëzore, mund të na ndihmojë për t’u orientuar në një realitet kompleks dhe të ngurtë si ai i sotmi.

Leave a Reply

Back to top button