Horizonti.alMAIN

Kur filloi koha?

Sipas disa teorive, koha mund të ketë ekzistuar edhe para Big Bengut, por në një formë krejtësisht të ndryshme nga ajo që njohim ne. Për ta përcaktuar këtë, duhet të kuptojmë se çfarë është koha.

New Scientist

Universi ynë është në zgjerim, prandaj në të kaluarën duhet të ketë qenë më i vogël. Nëse do ta shihnim duke u tkurrur si një film që ecën mbrapsht, do ta shihnim të zvogëlohej derisa të bëhej një pikë – Big Bengu, rreth 13.8 miliardë vjet më parë. Po kur filloi koha? Përcaktimi i kësaj nuk është i thjeshtë.

Sipas teorisë së relativitetit të përgjithshëm të Albert Ajnshtajnit, koha dhe hapësira janë të lidhura me njëra-tjetrën, kështu që nëse universi ka pasur një fillim, atëherë edhe koha duhet të ketë pasur një fillim. Por nëse universi nuk ka pasur një pikënisje dhe është i pafundëm në kohë, atëherë ai mund të ketë ekzistuar gjithmonë.

Megjithatë, disa kozmologë janë të bindur se ka pasur diçka “para” Big Bengut. Për disa, universi ynë ka qenë pjesë e një universi më të vjetër që, pasi u tkurr, u “përplas” dhe u zgjerua përsëri – një teori e ngjashme me atë të Roger Penrose, sipas së cilës universet ecin në cikle të pafundme të tkurrjes dhe zgjerimit.

Të tjerë, si Stephen Hawking dhe James Hartle, sugjerojnë se në origjinë koha ishte një dimension hapësinor, por që më pas u transformua në kohë me Big Bengun. Sipas kësaj teorie, nëse do të mund të “udhëtonim” prapa në kohë deri në momentin e krijimit të universit, nuk do të kishte një kufi të qartë kur fillon koha, por një kalim gradual, siç ndodh kur akulli shndërrohet në lëng.

Për fat të keq, asnjëra prej këtyre hipotezave nuk mund të provohet lehtësisht përmes vëzhgimeve. Dhe më keq akoma, disa filozofë argumentojnë se pyetja “Kur filloi koha?” është e pakuptimtë.

Thjesht perceptim

Nëse koha ekziston vetëm sepse ne e perceptojmë atë, si mund ta matim?

Disa fizikantë argumentojnë se koha mund të mos jetë reale, por një iluzion psikologjik. “Mendoni për ngjyrat”, thonë ata. “Trëndafilat nuk janë vërtet të kuq, por reflektojnë një valë të caktuar të dritës që ne e përkthejmë si të kuqe. Po sikur koha të jetë vetëm një konstrukt i mendjes sonë?”

Megjithatë, nuk ka nevojë për spekulime filozofike. Një nga qëllimet e fizikës moderne është të bashkojë dy nga teoritë më të mëdha – relativitetin e përgjithshëm, që përshkruan hapësirën dhe kohën, dhe mekanikën kuantike, që përshkruan grimcat subatomike. Disa teori sugjerojnë se koha mund të ekzistojë në mënyra të ndryshme dhe në nivele të ndryshme të universit.

Sipas teorive të fundit, koha mund të jetë ende një koncept subjektiv. “Mund të jetë një ndjesi që vjen nga ndërgjegjja jonë,” thotë Shohreh Majid nga Universiteti Queen Mary në Londër. “Dhe nëse është kështu, ndoshta kurrë nuk do të mund ta kuptojmë plotësisht.” / bota.al

 

Back to top button