Motivuese

“Kur Zoti krijoi nënën”. Askush nuk duhet ta lërë pa e lexuar këtë histori

Një herë e një kohë, Zoti i mirë kishte vendosur të krijonte… nënën. Kishte gjashtë ditë që punonte pa reshtur, kur ja aty, u shfaq një engjëll që i tha Krijuesit: “Kjo punë po të bën të humbasësh shumë kohë, e?” E Ai: “Po, por a e ke lexuar se si do të jetë kjo krijesë? Duhet që me një të puthur të arrijë të shërojë çdo plagë. Me një buzëqeshje të arrijë të shërojë çdo përjetim negativ. Por gjithashtu, ajo duhet të ketë një dashuri shumë të madhe dhe të ketë gjashtë palë duar.

“Gjashtë palë?!” pyeti engjëlli i habitur. “Gjashtë palë duar nuk janë asgjë në krahasim me sytë. Ajo duhet të ketë tri palë sy.” – i tha Zoti. “Kaq shumë?” e pyeti engjëlli. “Sigurisht. Një palë sy për të parë dyerve të mbyllura kur fëmijët e saj janë aty brenda, ndonëse e di fare mirë se çfarë po bëjnë. Një palë tjetër pas kokës, për të parë çfarë nuk duhet të shohë, por që duhet të dijë. Dhe një palë tjetër për t’i thënë me shikim dhe në heshtje të birit që është në ndonjë qorrsokak ngatërresash se e kupton dhe se i do të mirën.

“Zot, shko të pushosh. Nesër është ditë e re…” – i tha engjëlli Zotit duke i fërkuar lehtë shpatullat, por Ai nuk e la të mbarojë. “Nuk mundem. Pothuajse kam mbaruar” – i tha Ai. Pastaj vazhdoi “Gati harrova. Nëna duhet të ketë edhe diçka tjetër. Duhet të shërohet vetë në qoftë se sëmuret, të mund të punojë 18 orë rresht, të arrijë të përgatisë darkën për gjashtë vetë me vetëm 300 gram mish të grirë dhe të arrijë t’i bëjë dush një fëmije një vjeç.”

Engjëlli iu soll rrotull modelit të nënës dhe duke e vëzhguar me kureshtje bëlbëzoi: “Është tepër e brishtë.”

Zoti e dëgjoi, u kthye nga ai dhe i tha: “Po, por reziston. Ti nuk e di se sa mund të durojë një nënë!” Engjëlli, sërish me atë fytyrën kureshtare pyeti Zotin: “A di të mendojë?” Zoti e pa, buzëqeshi lehtë dhe i tha: “ Jo vetëm di të mendojë, por di të përdorë në mënyrë të shkëlqyer arsyen dhe arrin të bëjë edhe marrëveshje.” Në këtë pikë engjëlli u përkul mbi modelin e nënës dhe i kaloi gishtin mbi njërën faqe. I shqetësuar i tha Zotit: “Këtu ka rrjedhje”.

Zoti e pa, buzëqeshi njësoj si bën një mësues me nxënësit e shkollës fillore dhe i tha: “Nuk është një rrjedhje, por është një pikë loti.”  “E për çfarë shërben?” e pyeti engjëlli. “Për të shprehur trishtim, hidhërim, dhimbje, vetmi, gëzim dhe lumturi” i tha Zoti. “Ti o Zot je një gjeni” i  tha engjëlli me zë të lartë dhe plot gëzim. Me përmallim, Zoti shtoi: “ Engjëll…të të them të drejtën, nuk isha unë që ia vura lotin aty.”

Marrë nga libri “40 Histori në shkretëtirë”, Bruno Ferero

Përktheu: Andreas Dushi. Burimi: Konica.al

Leave a Reply

Back to top button