BotaMAIN

Kurthi i Carit dhe alarmi i shërbimeve sekrete amerikane: “Moska ende dëshiron të pushtojë Ukrainën”

Refuzimet e Putinit e bëjnë armëpushimin të pazbatueshëm. Plani është i vjetër: rikthimi i Rusisë së Madhe

Nuk ishte e vështirë për t’u parashikuar: Vladimir Putini ka reaguar ndaj propozimit amerikan – i pranuar nga pala ukrainase – për një armëpushim njëmujor në luftime duke vendosur kushte të tilla që e bëjnë atë në fakt të pazbatueshëm. Pikat e dakordësuara nga Uashingtoni dhe Kievi në Xhedah nuk i pëlqejnë Kremlinit, kjo është e qartë.

Megjithatë, Putini ka një interes të madh të tregojë se po i përshtatet projektit të Donald Trumpit për të arritur një paqe të qëndrueshme midis Rusisë dhe Ukrainës, por në realitet ai nuk synon aspak paqen, pasi e vetmja gjë që i intereson është fitorja e plotë. Kjo është arsyeja pse po ndjek një strategji pritjeje dhe një qëndrim të ngurtë ndaj përmbajtjes së negociatave (nëse mes tij dhe Trumpit ka ndonjë negociatë, dhe jo thjesht një marrëveshje të paracaktuar).

Putini dëshiron kohë për të rimarrë pjesën e vogël të provincës ruse të Kurskut, që është ende në duart e ushtrisë ukrainase, për të ndryshuar kushtet e përcaktuara të Xhedahut dhe për ta përdorur armëpushimin – kur të vijë – për rifillimin e agresionit.

Është shumë e mundur që tani diktatori rus të përpiqet të shfrytëzojë ndikimin e tij personal mbi Trumpin, për të marrë drejtpërdrejt prej tij atë që dëshiron. Nuk duket si një mision i pamundur, duke pasur parasysh se të dy liderët kanë pasur biseda të gjata dhe të fshehta për këtë çështje, shumë përpara se të vihej në lëvizje makineria e diplomacisë zyrtare.

Është e arsyeshme të besohet se qëndrimi shumë i anshëm i Trumpit në favor të Moskës është pasojë e atyre bisedave, në të cilat nuk mori pjesë askush tjetër përveç përkthyesve. Madje, ka një dyshim të bazuar se ky proces diplomatik, i zhvilluar në disa etapa në Arabinë Saudite dhe gjetkë, nuk është gjë tjetër veçse një teatër i sajuar nga Trumpi dhe Putini për ta detyruar Volodymyr Zelenskyn të bëjë lëshime të rënda, duke i paraqitur ato si një rezultat i suksesshëm i negociatave.

Dhe kjo, pavarësisht se – sipas Washington Post – shërbimet sekrete amerikane vazhdojnë ta informojnë presidentin se Putini nuk synon aspak paqen me Ukrainën, por synon ta nënshtrojë atë plotësisht dhe ta shndërrojë në një shtet vasal, si Bjellorusia e Lukashenkos: diçka këtu nuk shkon.

Disa zyrtarë amerikanë, aktualë dhe të mëparshëm – shkruan Washington Post – kanë deklaruar se, edhe nëse do të pranonte një armëpushim të përkohshëm, lideri rus do ta përdorte atë për të çlodhur dhe riorganizuar trupat e tij, dhe më pas ka shumë gjasa që do të shkelte kushtet e marrëveshjes duke krijuar një provokim që do t’ia atribuonte Kievit.

Të tjerë zyrtarë kanë pohuar se raportet janë më të kujdesshme në lidhje me termat e paqes që Putini mund të pranojë. Por ata kanë pranuar se nuk ka asnjë shenjë që ai ka hequr dorë nga kërkesa e tij që Ukraina të futet në orbitën ekonomike dhe të sigurisë të Rusisë. “Ai ka një dëshirë të kahershme për të rikthyer ‘Nënën e Madhe Rusi’”, ka shpjeguar një burim.

Pra, nëse parashikimet tona janë të sakta, Putini do të mund të marrë nga Trumpi pothuajse gjithçka që kërkon: të fitojë sa më shumë kohë të jetë e mundur para një armëpushimi, të ndalë ose të kufizojë riarmatimin e Kievit dhe të aneksojë të gjithë territorin ukrainas të pushtuar deri më tani, plus pjesët e provincave të aneksuara ilegalisht, që rusët nuk kanë arritur ende t’i pushtojnë.

Është e parashikueshme që Trumpi, “në interes të paqes dhe për të ndaluar masakrat e panevojshme”, do t’i kujtojë Zelenskyt me tonin e tij përçmues se ai nuk ka asnjë kartë në dorë dhe se duhet të kënaqet me “lëshimin” nga ana e Putinit të mos rrëmbejë gjithçka që kërkon – por ndoshta 10-20% më pak, një gjë që Trumpi do ta paraqesë si një sukses të madh personal në një tavolinë negociatash që në të vërtetë do të jetë false.

Një mosbesim i tillë ndaj këtij skenari ka mbërthyer Europën, saqë jo vetëm Gjermania, por edhe Polonia po kërkojnë tashmë mbrojtje bërthamore drejtpërdrejt në territorin e tyre. Pasoja është e pashmangshme: Medvedev apo Zakharova do të përsërisin akuzat e zakonshme hipokrite për një “Europë luftënxitëse”, duke kërcënuar edhe një herë, në mënyrë të kotë, me një “armagedon” të supozuar kundër Perëndimit. / il giornale – bota.al

Back to top button