EkonomiMAIN

Kush është shkaktari i kolapsit të euros?

Nga Ross Clark

Spectator

Që nga qershori i vitit 2016 ne jemi vendosur në një model. Sa herë që zhvlerësohet paundi, kjo shoqërohet nga fjalia “A të thashë”. Për ta i gjithë faji është i Brexit dhe rezultat i investitorëve ndërkombëtarë që po ikin nga Britania dhe po i çojnë paratë e tyre diku tjetër. Por kur zhvlerësohet euro?

Nuk dëgjojmë asgjë. Megjithatë sot euro po përjeton një moment historik që nuk duhet shpërfillur. Ajo ka rënë nën vlerën e dollarit për herë të parë që nga viti 2002. Është një rënie e madhe, duke qenë se në vitin 2008 ajo tregtohej me 1.5 dollarë.

Përkundrejt paundit, euro është rikthyer tani në vendin ku ishte në vitin 2012, shumë kohë përpara se largimi i Britanisë nga BE-ja të bëhej një perspektivë serioze. Investitorëve ndërkombëtarë mund të mos i pëlqejë dhe aq panorama aktuale e ekonomisë britanike.

Por edhe më pak u pëlqen tabloja që shohin sot tek eurozona. Dhe shqetësim nuk përbën vetëm rritja e ngadaltë ekonomike që ka prekur gjithë Evropën, madje edhe Britaninë, gjatë dekadës së fundit. Në trajtimin e dukurisë së inflacionit, eurozona spikat duke qenë shumë prapa SHBA-së dhe Britanisë.

Ndërsa Rezerva Federale e SHBA (FED) dhe Banka e Anglisë e kanë shtrënguar prej muajsh politikën e tyre monetare, Banka Qendrore Evropiane nuk bëri lëvizjen e saj të parë deri në korrik kur ngriti normat e interesit në zero. Nëse inflacioni do të lejohej të rrinte më i lartë edhe për pak më gjatë në eurozonë, duke e zhvlerësuar monedhën në terma realë, është e pashmangshme që euro do ta gjente veten duke u zhvlerësuar edhe kundrejt monedhave të tjera.

Përveç kësaj janë presionet që po rriten sërish në eurozonë si rezultat i borxheve qeveritare. Kriza e borxhit sovran të një dekade më parë u trajtua, por nuk u kurua përfundimisht. Megjithatë, vendet anëtarë të eurozonës nuk janë zotëruese të monedhës së tyre. Në rastin më ekstrem, në dallim nga vendet që kanë një monedhë sovrane, ato nuk mund të printojnë vetë euro për të dalë nga një krizë borxhi.

Ata nuk mund të sigurojnë vlerën e borxhit të tyre ndaj përballen me një rrezik shumë më të lartë të mospagimit të tyre. Pastaj është gabimi i madh që kanë bërë vendet e eurozonës me politikën energjetike, duke e injoruar sigurinë energjetike dhe duke u fiksuar pas përpjekjes për të eliminuar emetimet e karbonit në atmosferë.

Evropa mund të mendojë se është një hap para në raport me pjesën tjetër të botës, duke lejuar reduktimin e investimeve tek lëndët djegëse fosile dhe energjia bërthamore duke kaluar tek burimet e rinovueshme. Por problemi është se burimet e rinovueshme kanë ardhur me një ritëm më të ngadaltë sesa burimet e karburanteve fosile, ndërsa ato bërthamore janë çmontuar, duke e lënë eurozonën veçanërisht të varur nga gazi rus.

Asnjë pjesë e globit nuk ka qenë këtë vit imune nga rritja e çmimeve të energjisë. Por kriza ka tronditur sigurisht më fort një rajon që deri në muajin shkurt e merrte 40 për qind të importeve të gazit nga Rusia e Putinit. Ne po zbulojmë tani se sa energjia e lirë e drejton një ekonomi, dhe se çfarë do të thotë për rritjen ekonomike momenti kur nuk e keni më në dispozicion atë energji të lirë. Rënia e euros është një simptomë se sa keq e shohin investitorët strukturën e eurozonës dhe tranzicionin e gjelbër tejet të pamenduar të Evropës. Britania nuk mund të mburret shumë në këtë aspekt, por të paktën perspektivat e saj duken pak më të ndritshme, duke pasur parasysh se ajo ka një farë izolimi nga kriza e ripërtërirë në eurozonë.

Back to top button