Psikologji

“Lërini të largohen njerëzit që nuk janë gati t’ju duan”. Mesazhe reflektimi

“Lërini të larrgohen njerëzit që nuk janë gati t’ju duan. Mos u merrni me ata që nuk duan të ndryshojnë. Shmangini personat që nuk kanë interes të jenë pranë jush. Nëse nisni të luftoni për një jetë të gëzuar, për të realizuar interesat dhe dëshirat tuaja, dijeni se jo të gjithë do të jenë gati t’ju mbështesin.

Nëse nuk ju pranojnë, ju kthejnë shpinën, ju braktisin apo ju fyejnë për kohën dhe kujdesin që ju u kushtoni, mos vazhdoni t’u kushtoni më kohë dhe as të shpenzoni energji nga jeta juaj. E vërteta është se ju nuk mund t’i ndihmoni të gjithë dhe jo të gjithë janë të gatshëm t’ju ndihmojnë. Kjo është ajo që i bën të veçantë njerëzit, me të cilët të shpërblehet dashuria dhe miqësia. Ka miliarda njerëz në këtë planet, ndaj me siguri do të gjeni plot prej tyre me të njëjtat interesa dhe angazhime si ju.

Gjëja më me vlerë që keni në jetën tuaj, është koha dhe energjia juaj. Të dyja këto janë të kufizuara, ndaj njerëzit dhe gjërat, të cilave u kushtoni kohë dhe energji, duhet t’i mendoni mirë. Dhe kur të mendoheni, me siguri do të kuptoni se keni shpenzuar kohë me njerëz, aktivitete apo angazhime që nuk ju përshtaten e që jeni larg tyre me interesat që keni.

Do të nisni të kuptoni se gjëja më e rëndësishme që duhet të bëni për veten dhe për të gjithë ata që ju rrethojnë, është të mbroni energjinë tuaj më fort se gjithçka tjetër. Bëjeni jetën tuaj një strehë të sigurtë, ku lejohen të hyjnë vetëm personat e duhur për ju. Ju nuk jeni përgjegjës për t’i bindur të tjerët të përmirësohen. Nuk është detyra juaj të ekzistoni për njerëzit e tjerë dhe t’u jepni atyre jetën tuaj. Ju meritoni miqësi dhe dashuri të vërteta me njerëz me vlerë. Vendimi për t’u distancuar nga njerëzit e dëmshëm, do t’jua rikthejë dashurinë, vlerat, lumturinë dhe sigurinë që meritoni”. – Anthony Hopkins

Back to top button